Çfarë është buxheti dhe sa lloje ka?
Lexoni deri në fund që të shkarkoni një aplikacion për të krijuar nje buxhet elektronik ose shkarkoni pdf-në e planit buxhetor të krijuar nga une për ju.
Një nga shtyllat e ndërtimit të financave personale është buxhetimi. Ndodh shpesh që kur përmendim fjalën buxhet ndiheni si të kufizuar dhe të limituar. Ose sikurse thotë vajza ime 2 vjec e gjysmë kur e pyes si për shaka: “Çfarë është buxheti mamush?” dhe ajo përgjigjet “Hmmm, është mjaft.”
Pra, buxheti është pikërisht momenti kur i thoni vetes mjaft shpenzimeve të panevojshme.
Ka shumë mënyra për të buxhetuar, ashtu sikurse ka edhe aplikacione që mund t’ju ndihmojnë për të vënë në vijë shpenzimet tuaja (në fund të buletinit po linkoj një aplikacion buxhetimi falas si dhe nje pdf me plan buxhetor të përgatitur nga unë).
Qëllimi kryesor i këtij buletini për këtë javë është zgjedhja e një plani buxhetor që funksionon për ju. Idealisht, një buxhet i mirë do t’ju jap më shumë liri, jo më pak.

Çfarë është buxheti?
Një buxhet është një sistem që ju krijoni për veten tuaj. Mos harroni se buxheti i çdo personi ndryshon nga tjetri. Kjo varet edhe nga fakti nëse ky person është familjar, student apo beqar.
Krijimi i buxhetit mujor merr parasysh se ku do të shkojnë të ardhurat dhe shpenzimet tuaja për atë muaj.
Organizimi i buxhetit ofron një pasqyrë të qartë të asaj që po sillni në shtëpi çdo muaj dhe se ku po shkojnë këto para. Që t’i biem për shkurt, procesi i buxhetimit përvijohet në tre hapa.
Krijimi i një buxheti duke përdorur të ardhurat që sillni dhe shpenzimet aktuale,
Gjurmimi i të ardhurave dhe shpenzimeve për të parë se ku jeni,
Rishikimi dhe rregullimi sipas nevojës.
4 mënyra për të buxhetuar
Tani që besoj se e kemi të qartë se cfarë është buxheti, le të flasim pak për atë që do na ndihmonte realisht në lidhje me financat tona. Sa qasje të ndryshme ka për të buxhetuar paratë tuaja?
Para së t’ju shkruaj për mënyrat më të mira, merrni parasysh se buxhetimi është gjithmonë personal. Disa prej këtyre qasjeve mund të funksionojnë për disa dhe për disa të tjerë jo. Merni pak kohë dhe përpiquni të krijoni një zakon të qëndrueshëm.
Për shembull, në familjen time, unë dhe bashkëshorti e kemi traditë që një herë në muaj të ulemi dhe të diskutojmë në hollësi buxhetin familjar si dhe kursimet personale.
E di që do jetë pak e vështirë si fillim, por më besoni kur ju them se do t’ju shërbej për një kohë të gjatë. Kështu që, pa u zgjatur shumë ja ku keni 4 mënyrat më të njohura për të buxhetuar.
1. Buxheti 50/30/20
Buxheti 50/30/20 është një formulë buxhetimi që ofron standarde specifike të përqindjes së të ardhurave për nevojat, dëshirat dhe detyrimet tuaja (kursimet dhe borxhi). Koncepti është përdorur në librin “All Your ëorth: The Ultimate Lifetime Money Plan” shkruar nga autorja Senatore Elizabeth Warren dhe e bija, Amelia Warren Tyagi.
Ndarja e buxhetit 50/30/20 përdor përqindjet e mëposhtme për të përshkruar të ardhurat tuaja drejt kategorive specifike:
50% e të ardhurave tuaja duhet të shkojnë kundrejt nevojave (strehimi, ushqimi, transporti, sigurimet, borxhet etj.)
30% ndaj dëshirave (Netflix, bileta filmash, kurse apo trajnime, koncerte, udhëtime, etj.)
20% ne të ardhurave duhet të shkoj drejt kursimeve (fondit të emergjencës, investimi për pension, apo kursime të arritshme, etj.)
E di se gjëja e parë që do të thoni është, “Hej, po shpenzimet e mia bazë kalojnë 70% e të ardhurave ose vetëm qeraja më shkon sa 60% i tyre.”
Ndaj edhe Fleming rekomandon këtë lloj buxhetimi kryesisht për të rinjtë të cilët duan të ngrejnë bazat e para ekonomike. Qofshin këta të rinj studentë apo beqar të sapopunësuar. Plus, kjo nuk është ideale për njerëzit që ndjekin shlyerjen agresive të borxhit.
Për shembull, nëse ke një borxh dhe do ta shlyesh sa më shpejt, ky lloj buxhetimi do të funksionoj perfekt.
2. Buxhetimi me bazë zero
Buxhetimi me bazë zero i referohet shpërndarjes së çdo qindarke të të ardhurave tuaja drejt shpenzimeve dhe qëllimeve financiare si kursimi apo shlyerja e borxhit.
Kjo vlen për ata të rinj të cilët jetojnë ende me prindërit e tyre, dhe duan të kursejnë një sasi të caktuar parash për të blerë një makinë, për të blerë një apartament ose për të shlyer ndonjë borxh që mund të kenë.
Me pak fjalë, baza e tyre si ushqimi dhe strehimi janë të mbuluara nga prindërit ndërsa të ardhurat që marin nga puna shkojnë drejt synimeve që i kanë vendosur vetes.
Sigurisht që shpenzimet ndryshojnë në bazë stilit të jetës apo nevojat tuaja specifikie. Nëse je duhanpirës, dijeni se do ishte mirë që ta gjurmoni edhe këtë shpenzim dhe sa rëndon ky zakon në buxhetin tuaj.
Kjo metodë e buxhetimit merr parasysh çdo qindarkë që fitoni dhe ka një plan për to.
3. Paguani veten të parin
Personalisht, kjo ishte metoda e parë e buxhetit që provova dhe që për dy tre vjet më funksionoi goxha mirë. Kjo sepse e kisha shumë të vështirë të bëja buxhet. Nuk përqëndrohesha, nuk dija si të ndaja shpenzimet bazë nga ato të ndryshueshmet si dhe isha dorëdhënëse duke ndihmuar familjen ndërkoh që vet ngelesha minus cdo muaj.
Nëse jeni si puna ime, fillojeni me këtë metodë. Vendosni si synim një shumë të caktuar që doni të arrini brenda një viti. Pasi të vendosni synimin përpjestojeni shumën që doni të mblidhni dhe paguani veten të parin. Për tre vjet rresht, vendosa si qëllim që të paguaja veten të parën duke marrë 10% të të ardhurave e duke i hequr vecmas para se të tërhiqja rrogën.
Me ndihmën e bankës, hapa një llogari kursimi të pacënueshme (pra ku as mund të tërheq e as mund të derdh përpos shumës së përcaktuar) dhe autorizova bankën të tërhiqte 10% të pagës time.
Kjo do t’ju jap liri dhe siguri për të ardhmen, sidomos nëse doni t’i investoni këto të ardhura tek vetja juaj për trajnime apo studime të mëtejshme.
4. Sistemi i zarfeve
Kjo metodë fantastike, ishte e dyta që provova duke e kombinuar me buxhetimin e sipërpërmendur. Sistemi i zarfeve është një lloj metode buxhetimi e popullarizuar nga Dave Ramsey.
Para një viti, provova të shtoja një tjetër metodë buxhetimi që do më ndihmonte më tepër në lidhje me të ardhurat e mia. Në Aliexpres bleva këtë bllok i cili ka brenda zarfe plastike. Klikoni linkun për ta parë se cfarë është saktësisht: Bllok axhende për buxhet. Për fat të mirë e keni dhe me ulje kështu që mund të përfitoni nga rasti për ta blerë.
Si funksionon? Çdo zarf përdoret për kategorinë specifike dhe asgjë më tepër. Nëse paratë brenda zarfit mbarojnë do të thotë se keni mbërritur kufirin e buxhetit dhe nuk duhet të shpenzohet më shumë në atë kategori.
Këtë metodë e kam përdor qëkur linda vajzën ku më duhej të llogarisja shpenzime si lodrat, librat, veshjet apo pelenat çdo muaj.
Ky është një planifikim i shkëlqyer për të kuptuar se ku po e teproni me shpenzimet tuaja apo ku e kaloni kufirin mujor më shumë se tek të tjerat. Që pas kësaj metode, për shembull, vendosa të bleja një ekspres në shtëpi duke kursyer kështu 140 euro në muaj (në 3 muaj shpenzoja gati 180euro vetëm kafe).
Bëjini llogaritë tuaja dhe do kuptoni se sa do t’ju ndihmojë kjo metodë. Sidomos për faktin që gjatë gjithë kohës ekziston tundimi për të shpenzuar. Jeni të bombarduar me reklama konsumi nga mëngjesi deri në darkë dhe kjo metodë do t’ju sjell qartësi.
*Në buletinin rrufe e të enjtes së ardhshme do t’ju shpjegoj më hollësishëm se cilat janë tre llojet e kursimeve që duhet të krijoni.
Shkruar nga Flogerta D.Lesi
Themeluese e Juno Moneta
Aplikacioni i vetëm që jep një pasqyrë të detajuar të financave tuaja (dhe që është falas) është Ramsey Network. Në vende të ndryshme njihet edhe si Everydollar. Shkarkojeni dhe provoni nëse ju përshtatet apo jo.
Nëse doni të bëni buxhet me laps dhe letër shkarkoni pdf-në e planit buxhetor të krijuar nga unë.
*Si gjithmonë, nuk jam e sponsorizuar nga asnjë prej kompanivë që sugjeroj. Ju ftoj të bëni kërkimet tuaja.
Ky buletin shërben për qëllime edukative dhe nuk përbën këshillim financiar profesional. Ju lutemi bëni kërkimet tuaja dhe merrni parasysh rreziqet që lidhen me investimin ose blerjen e bitcoin.
Nga të gjithë, unë ndjek Dave Ramsey