Në postimin e radhës të buletinit të parë elektronik shqip në Substack, do të lexoni për një temë që e ka mbërthyer globin që prej fillimit të vitit 2020 dhe ende nuk e ka lëshuar.
Duke iu përmbajtur edhe stilit të buletinit tim, kësaj radhe vij tek ju me një histori të njohur nga e shkuara që pasqyron paralelisht të tashmen që po jetojmë sot.
Pas një zgjerimi masiv vjen tkurrja - Pak histori
Mesi i shekullit të 18-të ishte një periudhë zgjerimi masiv për Perandorinë Britanike.
Disa nga territoret më të vlefshme të mbretërisë së asokohe ishin tokat e Anglisë së Re, larg në perëndim të ishujve britanikë. Këto toka kryenin tregti gjëmuese me mbarë botën, dhe kjo sillte përfitime kolosale ekonomike për mbretin e atëhershëm (Gjergji II).
Anijet, uiski, gëzofët, gruri, rumi, hekuri dhe bagëtia ishin të gjitha pjesë e dërgesave tregtare në Britani. Tregtarët eksportonin edhe mallra të rralla dhe të vlefshme, shumë prej të cilave erdhën si rrjedhojë e gjuetisë së balenave në bregdetet e rajonit.
Dhjami i balenës përdorej për të prodhuar vaj që më pas kthehej në qirinj ose përdorej si lëndë djegëse për llambat.
'Dhëmbët' filtruese të balenave ishin thelbësore në prodhimin e korseve që lidhnin belin e femrave asokohe.
Dhe substanca e dylltë (si qelibari) formuar në stomakun e balenave, e quajtur ndryshe capadogli— ishte një përbërës që përdorej në prodhimin e parfumeve luksoze, si dhe ndonjëherë hahej si pjatë shoqëruese nga ata që mund të përballonin çmimin e tij të kripur (dhe jo të kripur sepse vinte nga deti - në rregull, në rregull shaka pa kripë kjo). E mirë, mjaft me lojëra fjalësh. Le të ecim më tej me historinë.
Sidoqoftë, tregtia e lulëzuar që erdhi nga Anglia e Re (New England) nuk ishte pa problemet e saj për Perandorinë Britanike dhe mbretin në fuqi.
Asokohe, shumë nga kolonitë e Anglisë së Re po printonin format e tyre të monedhës letër dhe për shkak të mungesës së mbikëqyrjes, inflacioni filloi të dilte jashtë kontrollit.
Në dekadat e para të shekullit, kolonia e Masaçusetsit po përjetonte një inflacion vjetor me vlerë 40%. Ndërsa në Anglinë e Re si një e tërë, sasia e parave të letrës në qarkullim arriti vlerën marramendës të inflaciot prej 34%, në më pak se dhjetë vjet (ju kujton diçka apo jo?).
Ky inflacion i tmerrshëm ishte një shqetësim në rritje, veçanërisht për tregtarët e huaj që bënin tregti me kolonitë e Anglisë së Re. Kapitenët e anijeve që shkarkonin mallrat në rajon paguheshin me fatura lokale, të cilat kishin humbur vlerën e tyre në krahasim me paundin britanik. Para ky me të cilin tregtarët ishin të mësuar ta përdornin në shtëpi.
Për shkak të rënies së besueshmërisë së parave që vinin nga këto koloni, tregtarët filluan të ankoheshin te qeveria britanike. Dhe si rrjedhojë, te vetë mbreti.
Kështu në mesin e shekullit, parlamenti i Anglisë nënshkroi ligjin Akti i monedhës së vitit 1751 (Currency Act of 1751), i cili, ndër të tjera, ndaloi kolonitë e Anglisë së Re të krijonin monedha të tyren. Në vend të kësaj, ata do të detyroheshin me ligj të përdornin dhe të tregtonin vetëm me paundin britanik.
Me një goditje të çekiçit ligjor, paratë ekzistuese të kolonive në Anglinë e Re, Ishulli Rode (Rode Island), Plimuth (Plymouth), Konektikat (Connecticut) dhe të tjera, u shfuqizuan - dhe brenda natës u bënë të paligjshme.
Barra, si përherë bie në shpinën e më të dobëtit
Fermerët të cilët më parë u kishin borxh (në monedhën e tyre) tregtarëve, tani ishin të detyruar të paguanin me paundin e çmuar britanik. Dhe kur erdhi koha e taksave, atyre iu kërkua të paguanin ekstra pound për kurorën e mbretit të Anglisë përtej Atlantikut.
Për shumë kolonistë, kjo mund të arrihej vetëm nëse ata do të shisnin parcelat e tokave të tyre në mënyrë që të përballonin pagesën e borxheve ose taksave.
Dhe nuk mbaron këtu. Si një rast ideal, kreditorët hajna britanikë përfituan nga gjendja e vështirë e kolonistëve dhe ua blenë tokat me tarifat më të ulëta të mundshme.
Kolonitë protestuan me forcë kundër këtyre ligjeve të reja. Megjithatë, ankesat e tyre ranë në vesh të shurdhër.
Anglisë nuk i interesonte shumë se çfarë mendonin kolonistët. Gjithçka që dëshironte ishte të siguronte dominimin tregtar të tregtarëve të saj. Plus, që kjo solli edhe efektin e dëshiruar anësor të kontrollit të plotë ekonomik mbi tokat e reja në perëndim (mbajeni mend këtë pjesë se si e shkuara pasqyrohet shëmtuar sot).
Në mënyrë të pashmangshme, kolonistët u ngritën kundër dominimit shtypës të britanikëve. Kontrolli i monedhës dhe taksat e tepërta të vendosura në Anglinë e Re nga britanikët ishte një nga arsyet e shumta për fillimin e Luftës Revolucionare; prej të cilit erdhi krijimi i kombit të pavarur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Treqind vjet më parë, SHBA-të luftuan për të drejtën e tyre për liri financiare. Pyetja është, a do të bënim sot të njëjtën gjë? Dhe jo vetëm në SHBA-të. Kjo prolematikë shtrohet kudo ku SHBA-të janë partner strategjik ekonomik dhe politik (përfshi Shqipërinë).
E bëj këtë pyetje tani, sepse duket sikur hija e kontrollit monetar global po afrohet sërish. Sikur shembulli i mësipërm nga historia, ky problem rrjedh përsëri nga Anglia dinake.
E shkuara përndjek të tashmen
Rishi Sunak, ishte Kancelar i Thesarit (Chancellor of the Exchequer) prej 2020-2022; ose sikurse i themi me fjalët e popullit, kryeministri i financave të Anglisë (para se të bëhej realisht kryeministri i Anglisë). Gjatë asaj periudhe, ai bëri një propozim që unë besoj se do të jetë mjeti i fundit për kontrollin financiar në botën moderne. Dhe është pikërisht arsyetimi i inflacionit grotesk të viteve të fundit që do të na shtyjë të biem pre e kurthit të tyre.
Propozimi që ai i bëri kombeve të G7-ës –përfshi Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Francën, Italinë, Gjermaninë, Japoninë dhe natyrisht, Mbretërinë e Bashkuar – ishte krijimi i Monedhës Dixhitale të Bankës Qendrore (Central Bank Digital Currencies - CBDC).
Mendoni për CBDC-të si Bitcoin, ose kriptovaluta të tjera, një mëtodë dixhitale e përdorimit të parave. Mirëpo, ndërsa Bitcoin është i decentralizuar, një CBDC do të kontrollohet plotësisht nga qeveria dhe banka qendrore e kombit tuaj.
Sunak hodhi shumë fjalë mbreslënëse në prezantimin e tij në lidhje me CBDC-të; fjalë si 'të sigurta', 'të mbrojtura', dhe 'gjithpërfshirëse'. Fjalë që përdoren përgjithësisht kur një qeveri dëshiron që ne të besojmë se po krijojnë diçka dashamirëse.
Megjithatë, ka një fjalë tjetër që lidhet me CBDC-të, ku shumë njerëz nuk po përqendrohen, e cila për mua është më e rëndësishmja - dhe më tmerruese- nga të gjitha.
Ajo fjalë është të programueshme.
Sipas propozimit, monedhat e reja dixhitale që do të krijohen së shpejti në vendet e G7-ës do të programohen me rregulla, që do të kufizojnë pikërisht përdoruesit e parave.
Rregulla të tilla si ndalimi i përdoruesit nga blerja e artikujve të caktuar, kufizimi i sasisë që mund të shpenzohet në një periudhë të caktuar, apo edhe skadimi i parave tuaja pas një date të caktuar. Për ata që kujtojnë periudhën e komunizmit, kjo gjë mund të paralelizohet me tollonat.
Ashtu si rregullat që të kufizojnë në një nivel të caktuar në një videolojë, qeveritë, së shpejti, mund të jenë në gjendje të programojnë e vendosin çdo rregull që u pëlqen atyrë në lidhje me paratë tuaja.
Akoma nuk je i qartë së si mund të ndodh kjo?
Më lejoni t'ju jap disa shembuj.
Si fillim, është e qartë se po jetojmë në një botë që është gjithnjë e më e fiksuar me reduktimin e emetimeve të karbonit. Nëpër medja ka tregues në rritje që diskutojnë kontrollin e çlirimit të karbonit individual. Ama, shumë njerëz besojnë se mund të jemi vetëm vite larg nga zbatimi i kësaj ideje në vendet e perëndimit dhe si pasojë edhe tek ne.
Në rast se kreditë personale të karbonit bëhen realitet, një CBDC mund të jetë mënyra më e mirë për qeverinë që të kontrolloj prodhimin tuaj individual të karbonit.
Nëse arrini kufirin tuaj mujor të emëtimit të karbonit, për shembull, mund të mos jeni në gjendje të blini karburant për makinën tuaj, ose mund t’ju bllokojnë një fluturim e të tjera si këto. Në supermarket, ndoshta do t’ju detyrojnë të zgjidhni vetëm produktet që konsiderohen me ndikim të ulët në mjedis. Me pak fjalë do të na diktojnë se cfarë të bëjmë me paratë tona.
Në një propozim edhe më të frikshëm, CBDC-të mund të përdoren nga qeveritë për të caktuar se kur këto para do që të skadojnë. Justifikuar kjo si në një lëvizje për të frenuar inflacionin ose për të inkurajuar shpenzimet.
Në kohë krize – si dy vitet e mëparshme – printimi i tepërt i parave ka shkaktuar një inflacion fenomenal. E cila sigurisht çon në çmime më të larta për të gjithë, dhe një zhvlerësim të kursimeve tona.
Mund ta parashikoj lehtë fare argumentin se si një qeveri mund të vendosë që çdo para që hyn në llogarinë tënde bankare të skadojë brenda një ose dy vitesh. Kjo gjasme me arsyetimin që të mbajë sasinë e parave në qarkullim në një nivel të arsyeshëm.
Kjo do të thotë se ata mund të vazhdojnë të printojnë para për të mbuluar të metat e tyre si menaxherë të paaftë financiarë, por më pas mund të rrafshojnë fushën e lojës duke shkatërruar paratë tuaja të "papërdorura" (pra kursimet) kurdo që të dëshirojnë.
Nëse ata (për qeverinë po flas akoma) do të zgjedhin pastaj të stimulonjnë ekonominë, mund të vendosnin që paratë tuaja të skadojnë në një lëvizje për t'ju nxitur që t'i shpenzoni, në vend që të mbledhin pluhur si kursime në llogarinë tuaj. Ide gjeniale për leverdinë e tyre apo jo? Kështu nuk dilni kurrë nga cikli dhe keni gjithnjë nevojë për ta.
Një CBDC i programueshëm do t'i jepte qeverisë kompetencat për kontroll total. Duke nisur që nga kufizimi i kursimeve tuaja, tek mbledhja automatike e taksave dhe gjobave, apo edhe bllokimi i plotë i parave nëse iu teket.
Në thelb, paratë tuaja nuk do të jenë vërtet tuajat. Në vend të kësaj, do të jenë diçka që do t'ju lejohet t’i përdorni ato vetëm sipas mënyrës që qeveria juaj dëshiron.
Aty ku shqetësohem vërtet për këtë lloj parash të programueshme, është mundësia se ato do të përdoren si një mjet kontrolli. Lloji i kontrollit distopian që gati-gati po e shohim në botën e sotshme.
Vende ku kjo marrëzi është realitet
Shembulli i përsosur është Kina, ku thjesht duke thënë gjënë e gabuar në rrjetet sociale, ose duke u shoqëruar me njerëz që qeveria i konsideron si 'problematikë', të ndalohet aksesi në shërbime publike si treni, kredi bankare ose të drejtën për të aplikuar për një pasaportë.
Në Kinë, kjo është e mundur vetëm sepse Partia Komuniste Kineze e ka plotësisht nën kontrollin e saj sistemin financiar të vendit.
Ti ndoshta po mendon: "Po, por ajo është Kina. Nuk besoj se kjo do të ndodhë këtu, apo jo?”
Epo, mendohu mirë.
T’i rikthehemi Mbretërisë së Bashkuar. Vendi që ka diskutuar heqjen e të drejtave themelore të njeriut si aksesi për krijimin e një pasaporte ose një lejeje drejtimi, nëse një person ka një lloj të caktuar dosjeje kriminale.
Qeveria Liberale e Australisë ka propozuar ide të ngjashme, për njerëzit që zgjedhin të mos vaksinojnë fëmijët e tyre.
Po rasti në Kanada? Bini ose jo dakort me arsyet e tyre, protestuesve kryesisht paqësorë në Ottawa ua ngrinë llogaritë bankare dhe fondet, sepse ata nuk ishin dakord me mandate të caktuara të qeverisë.
Me një CBDC, aftësia e një qeverie për të vendosur kufizime të tilla mbi një popullsi do të shumëfishohej.
Duke pasur parasysh historitë e mësipërme, imagjinoni nëse qeveria juaj do të kishte aftësinë t'i aktivizojë ose çaktivizojë paratë tuaja sipas dëshirës, ose t'i zhdukë ato me një klikim apo goditje çekiçi. Tani pyesni veten, a i besoni qeverisë tuaj këtë lloj pushteti financiar mbi ju?
Për mua, përgjigja është JO.
Në propozimin e tij për vendet e G7-ës, Sunak thotë se një CBDC do të ofrohet vetëm si një metodë opsionale pagese, së bashku me grupin ekzistues të zgjedhjeve të pagesave të disponueshme për njerëzit sot. Gjëra të tilla si monedha, kartëmonedha dhe mënyra elektronike të pagesës.
Por, edhe sa kohë deri sa një CBDC të kthehet në të vetmen mënyrë tregtie apo pagese?
Sa kohë derisa një qeveri të dëshirojë kontroll të plotë elektronik mbi paratë tona?
Vetëm koha do ta tregojë.
Ama, nëse monedhat dixhitale të Bankës Qendrore hyjnë në lojë, si do ta mbroni veten nga ky lloj i mundshëm autoritarizmi financiar?
Po sikur thjesht të refuzojmë përdorimin e saj?
Kjo do të ishte zgjidhja e parë. Kur CBDC-të të hyjnë në shoqëri në fazën e tyre opsionale, mund të zgjidhni t'i përmbaheni përdorimit të parave letër ose formave standarde që operojnë aktualisht në bankingun elektronik.
Më e mira e të mirave është ta bëni zakon nisjen e disa prej shkëmbimeve tuaja javore në kriptovaluta, nëse kjo ekziston si mundësi.
Për më tepër, nëse jeni të shqetësuar për potencialin që qeveria juaj të abuzojë me CBDC-të, gjithmonë mund të inkurajoni njerëzit e tjerë që njihni që edhe ata t'i shmangin ato. Filloni të përhapni në rrethet tuaja shoqërore çdo informacioni që dini në lidhje me anët negative të CBDC-ve tani, sepse le ta pranojmë, qeveria juaj do t'i shesë publikut të gjerë vetëm përfitimet që ato sjellin.
Së fundi, gjithmonë, mund të filloni të ruani disa nga kursimet tuaja në para. Flas për para të vërteta, në formën e metaleve të çmuara si ari dhe argjendi. Paratë që i kanë qëndruar provës së kohës dhe kanë qënë të vlefshme për mijëra vjet.
Nëse CBDC-të bëhen realitet (dhe ka të ngjarë që së shpejti kjo gjë të ndodh) duhet të luftojmë që ato të mos kthehen në realitetin tonë të vetëm.
Ashtu si kolonistët e Anglisë së Re që i rezistuan kontrollit të monedhës së tyre disa shekuj më parë edhe ne kemi fuqinë t'i mbajmë paratë tona në duart tona.
Shkruar nga Flogerta D. Lesi
Themeluese, Juno Moneta
P.S. - Nëse je europian dhe kërkon një vend të sigurt për të ruajtur arin dhe argjendin, personalisht sugjeroj Avenue Gold. Këta të fundit i ruajnë metalet tuaja të çmuara si monedha argjendi apo ari, në kasafortat zvicerane dhe në shumicën e rasteve mund t'i blini ose ruani pa paguar TVSH.
*Nuk jam e sponsorizuar prej tyre, kështu që ju sugjeroj të bëni kërkimet tuaja.