Ku t’i investoni kursimet tuaja?
Pyetje që do të na torturojë për shumë kohë, derisa tregu shqiptar të bëhet ai që duhet...
Ja ku po ta them, që në hyrje të këtij buletini, se titulli është clickbait, sepse unë nuk mund të jap një përgjigje të saktë se çfarë të bëni me paratë tuaja. Mirëpo, ja që ka njerëz që janë të interesuar për këtë temë (dhe shumë madje). Kështu që, ndryshe nga të tjerët unë nuk po e shkruaj titullin për të përfituar nga ju që ta lexoni, por për t’i dhënë një përgjigje modeste si një njeri i zakonshëm.
Ju e dini në fakt që i gjithë buletini im është ndërtuar mbi idenë e metodave të kursimit dhe jo të investimit. Kjo sepse unë e shoh mangësinë tek njerëzit më tepër tek pjesa e kursimit sesa investimit. Kursimi është rrjetë sigurie për shumë njerëz, kështu që pse dreqin do t’ju thoja t’i luani paratë prej vendit të tyre të ngrohtë në bankë, qoftë për investim apo për diçka tjetër?
Ka disa arsye persë, dhe një prej tyre është inflacioni. Mirëpo, unë nuk do qëndroj tek inflacioni këtë radhë. Do ju flas për një pyetje që e shoh se bëhet thuajse kudo: “Ku t’i investoni kursimet tuaja?”
Para dy ditësh madje dëgjova ekspertë të flisnin për këtë temë gjerë e gjatë dhe, në fakt, nuk dhanë asnjë përgjigje të prerë. Kjo sepse ekspertiza financiare është një nga fushat më të rrezikshme për të dhënë këshilla me vetëbesim. Mirëpo, pavarësisht frikës, mendoj se dikush një mendim duhet ta ketë. Dikush duhet të flasë rreth kësaj teme dhe ta parashtrojë si problem, sepse bankat shqiptare po notojnë në likuiditet.
Çfarë do të thotë kjo për ty?
Nëse vendose të vazhdosh leximin e këtij buletini edhe pasi të thashë se po përdor një titull clickbait, faleminderit! Për të të falënderuar, do të të jap në fund disa ide se si ti, si një njeri i zakonshëm që ke disa kursime mënjanë, mund t’i investosh diku ato të shkreta dhe të mos presësh që inflacioni t’i “gllabërojë”. (Nëse Elvis Shera thotë se inflacioni është si elefanti në dhomë, për mua inflacioni është si miu i gjirizave, që ha paratë tuaja pak nga pak.)
Tani le t’i kthehemi pyetjes së mësipërme: “Çfarë do të thotë për ty që bankat shqiptare po notojnë në likuiditet?”
Modeli tradicional i bankave funksionon kështu: ato marrin para nga njerëzit (për shembull kursimet) dhe premtojnë t’i japin këto para kurdo që dikush i kërkon. Megjithatë, bankat i përdorin këto para për të dhënë borxhe, të cilat nuk mund të kthehen shpejt.
Kështu që, zakonisht, bankat janë në një pozicion negativ kur vjen puna tek likuiditeti, sepse premtojnë më shumë para se sa kanë në dispozicion. Ky sistem funksionon – kur funksionon – sepse shumica e njerëzve që depozitojnë para nuk i përdorin ato menjëherë. Ndonjëherë banka u duket më e sigurt se poshtë dyshekut, dhe me të drejtë.
Bankat moderne kanë mbështetje nga qeveria dhe banka qendrore për të siguruar likuiditetin, kështu që ato nuk shqetësohen për këtë pjesë. Megjithatë, ata që rregullojnë bankat u kërkojnë të mbajnë një minimum likuiditeti.
Nga ana tjetër bankat moderne, sidomos ato të mëdha dhe ndërkombëtare, bëjnë shumë më tepër se sa thjesht bankim. Shumica e këtyre veprimeve nuk mbështeten nga shteti, kështu që bankat varen nga besimi që tregu ka tek ato. Likuiditeti është një mënyrë për të ruajtur këtë besim. Por në fund, ajo që ka rëndësi është besimi i tregut, jo sa shumë para ka banka. Likuiditeti është thjesht një mjet për të bërë tregun të besojë se banka është e sigurt.
Në këtë rast, bankat shqiptare kanë krijuar goxha besim te shqiptarët (duke përfituar edhe nga traumat tona kolektive në lidhje me paranë, si për shembull firmat piramidale). Kjo shpjegon edhe arsyen pse ato kanë kaq shumë likuiditet.
Por kjo nuk është arsyeja e vetme
Likuiditeti i bankave shqiptare tregon se shqiptarët nuk i ruajnë kursimet e tyre sepse kanë besim te bankat. Në fakt, është krejt e kundërta. Shqiptarët i ruajnë kursimet dhe akumulojnë shuma të caktuara, që miu i inflacionit ua ha pak nga pak, sepse nuk dinë ku t’i investojnë ose çfarë të bëjnë me to. Por pse?
Përgjigja është e thjeshtë: nuk ka ekspertë. Ose më saktë, eskpertë ka po ka akoma më pak besim tek kopetenca e tyre. Si dhe nuk kemi treg të gatshëm për këtë gjë. Investimi i kursimeve është një mënyrë e mirë për të mbrojtur veten nga minjtë e gjirizave, siç është inflacioni. Por kur nuk di çfarë të bësh me to dhe, nga frika se mos i humb ato që ke kursyer me mund e me djersë, të bën t’i thuash vetes: ““Më mirë të mi hajë miu pak nga pak, sesa t’i humbas të gjitha menjëherë.
E hëngrëm një herë sapunin për djathë, nuk na e bën zemra ta hamë sërish.
Atëherë si zgjidhet ky ngërç?
Për fat të keq nuk jam eksperte për t’ju dhënë një mendim të mirëqënë, por ajo qëmë diferencon është fakti që jam një prej jush. Duke qënë e tillë, ju dëshmoni rrugën time kërkimore për përgjigjen e duhur dhe atë më vonë e ndaj me ju. No gatekeeping here!
Nëse do flisnim se kush e ka fajin për këtë ngërç, unë do thoja janë bankat. Kjo sepse ato janë tepër tradicionale, si të tilla ato nuk zhvillojnë metoda investimi apo nuk punojnë për zhvillimin e tregut shqiptar, për t’u mundësuar njerëzve të zakonshëm rrugë më të lehta investimi. (thjesht sepse nuk u leverdis)
Kështu që, kur bëhet pyetja nëpër emisione, media, televizione apo edhe vetes tënde: “Ku dreqin t’i çoj kursimet e mia, të cilat po më kalben?”, e kuptoj frustrimin kur ngelesh pa përgjigje.
Nisur nga kjo, ja disa mënyra që kam menduar të përdor për të investuar paratë e kursimeve të mia, sapo të mbledh mjaftueshëm.
Por jo investim në mënyrën se si e kuptoni ju fjalën investim. Sapo ju sqarova që tregu shqiptar është i lodhur (ose i vogël). Kështu që do flas për ato opsione që ka.
Investo në pronë
Nëse ke para mënjanë, një nga mënyrat më të mira për të investuar është blerja e pronave. Megjithatë, nuk do të ishte ide e mirë të blesh apartamente të shtrenjta dhe më pas ta kesh të vështirë t’i japësh me qira. Nëse je i gatshëm të eksperimentosh, do të duhet pak punë dhe pak guxim. Mund të nisësh me blerjen e një garazhi apo një garsoniere të vogël. Të dyja mund të jepen me qira në forma nga më të ndryshmet dhe kostoja fillestare nuk është shumë e lartë.
Blerja e një garazhi është një mënyrë e zgjuar, sepse investon rreth 15-20 mijë euro dhe, për shkak të mënyrës se si është ndërtuar Tirana (pra, pa një plan urbanistik të mirëfilltë), do të thotë se do ta kesh të lehtë të gjesh dikë që do ta marrë me qira për të parkuar makinën e tij.
Një garsoniere, nga ana tjetër, mund të jepet me qira për studentë, si hapësirë biznesi, dyqani ose edhe të kthehet në një Airbnb. Asgjë nuk bëhet pa punë, kështu që në të gjitha rastet do të duhet të përveshësh mëngët dhe të përkushtohesh.
Blerja e pronës është basti më i mirë që mund të bësh, pasi vlera e saj vjen duke u rritur dhe inflacioni do t’ju marr të keqen. (Shaka, se si lexuesit e mi që jeni, s’keni të keqe kund!)
Flo, pa dalë një herë? Kursimet e mia janë të vogla. Nuk arrij dot të blej një pronë, qoftë edhe një garazh. Po në këtë rast, çfarë të bëj?
Mbylli kursimet në një high-yield acoount
Një mënyrë që e kam menduar gjatë është mbyllja e kursimeve në një bankë për një periudhë 3-5 vjet, me një përqindje kthimi vjetor të vlerës së futur prej 4-5%. Në varësi të monedhës, do t’ju jepen vlera të ndryshme kthimi. Për shembull, BKT ofron një kthim prej 4% për depozitat në monedhën euro. Bëni kërkimet tuaja për banka të tjera.
Tani, kjo vlerë nuk është se do t’ju sjellë një fitim të madh, por mendoj se mjafton për të frenuar pak humbjen nga inflacioni vjetor, i cili, mos të harrojmë, këto vitet e fundit ka arritur deri në 13% humbje të vlerës së parave tuaja. Nëse me këtë metodë arrini të ndaloni, qoftë edhe pjesërisht, minjtë që po brejnë vlerën e parave tuaja, atëherë, pse jo?
Bli Ar - jo për investim por për të mbrojtur kursimet nga inflacioni
Në Shqipëri, disa banka ofrojnë mundësi investimi në ar, duke përfshirë blerjen e monedhave dhe lingotave të arit. Për shembull, Credins Bank ofron shërbime të tilla për individët, duke i mundësuar atyre të investojnë në ar për qëllime koleksionimi, diversifikimi të portofolit të investimeve ose si dhuratë.
Megjithatë, interesi për investimin në ar në Shqipëri është ende në nivele të ulëta. Sipas Bankës së Shqipërisë, tregu i tregtimit të arit nëpërmjet bankave të nivelit të dytë ka mbetur në vëllime mjaft modeste në vitet e fundit, i ngjashëm me atë të viteve të mëparshme.
Përpara se të angazhoheni në investime të tilla, gjthmonë konsultoheni me një këshilltar financiar dhe shqyrtoni rreziqet e mundshme të lidhura me investimin në ar. Unë kam sugjeruar edhe në artikujt e mëparshëm aplikacionin Gold Avenue, nëse interesat e blerjes së arit në Shqipëri nuk ju duken të mira.
Hidhini një sy. Deri më tani unë jam duke menduar të investoj në programin Inheritance. Gjithsesi, ju ftoj të bëni kërkime, ia vlen të kesh alternativa.
Investoni në Vetvete: shëndeti është kapitali juaj
E di që do t’ju duket absurde si ide, por më lexoni me kujdes. Shumica prej nesh, nëse jo të gjithë, kemi probleme të ndryshme shëndetësore, mendore, fizike dhe çfarëdo që mund të shtoni këtu. Të gjitha këto ndodhin pikërisht sepse nuk kujdesemi për veten sa duhet. Nuk di pse nuk e bëjmë, por ja që kështu është.
Nëse përdorni një pjesë të kursimeve tuaja për të bërë vizita shëndetësore të rregullta, për të mirëmbajtur shëndetin oral, për fizioterapi, palestër apo dhe ushqyerje të shëndetshme, mendoj se keni bërë investimin më të mirë që mund të bëni. Shëndeti është kapitali më i vlefshëm që kemi dhe është shumë më i shtrenjtë të rikuperohet pas problemeve serioze sesa të mbrohet me masa parandaluese.
Në fund, gjithçka lidhet me edukimin financiar dhe vendimmarrjen e mençur. Pavarësisht se tregu mund të jetë i pasigurt dhe bankat shqiptare mund të ofrojnë pak mundësi, është në duart tona të krijojmë mundësi investimi, që do të mbrojnë kursimet tona dhe do të na japin mundësinë për të patur një të ardhme më të sigurt dhe të qëndrueshme.
Të investosh nuk është vetëm një akt financiar; është një veprim që ndihmon për t'u përgatitur për të ardhmen, për t'u siguruar që asgjë nuk shkon dëm dhe se secili vendim që merrni sot, është një hap për një të nesërme më të sigurt.
Shkruar nga Flogerta D.Lesi
Themeluese e Juno Moneta
*Ky buletin shërben për qëllime edukative dhe nuk përbën këshillim financiar profesional. Ju lutemi bëni kërkimet tuaja.
Inheritance app ku ta gjejm, e kemi kerku….