Letër pa vlerë—CBDC-ja po vjen!
...kur shteti merr kontrollin e parasë, ai merr në dorë sovranitetin që i përket me të drejtë popullit.
Në vitin 1260 pas Krishtit, Kublai Khan, nipi i pushtuesit famëkeq Genghis Khanit, mbajti kontrollin mbi një perandori që shtrihej nga brigjet më të largëta lindore deri në skajet e të ashtuquajturit krishterim në perëndim.
Megjithatë, pavarësisht sundimit të tij të jashtëzakonshëm, kontrolli i tij mbi ekonominë ishte i brishtë, i rrezikuar nga një sistem kaotik shkëmbimesh dhe tregtie me metale të çmuara. I shtyrë nga ambicia e pamëshirshme dhe dëshira për kontroll, Kublai Khan krijoi një plan për të lidhur popullin me vullnetin e tij: para letre të printuara nga shteti.
Kjo para e printuar nga shteti u quajt Jiaochao, ose thjesht kao. Ndryshe nga monedhat e mëparshme prej argjendi ose ari, kao u prodhua nga letra – e thjeshtë, e lirë dhe me një numër teorikisht të pakufizuar.
Në fillim, paratë e reja të letrës së Khanit sollën një periudhë prosperiteti. Tregtia u bë më e thjeshtë, taksat u organizuan më mirë dhe perandoria u zgjerua me ritme të shpejta, falë lehtësisë me të cilën mund të financonte luftëra të reja dhe ambicioze.
Për ca kohë, qytetarët përfituan ndjeshëm nga kjo epokë e re tregtare, por ashtu siç shemben kështjellat e rërës, edhe dekretet shtypëse nuk vonuan të pasonin e si pasojë të shembnin besimin e krijuar.
Zyrtarët e Khanit e shpallën kao si monedhën e vetme të vlefshme në perandori dhe përdorimi i saj u imponua me forcë. Kush guxonte të përdorte një monedhë tjetër, rrezikonte kokën.
Me fjalë të tjera, shkëmbimet me valutë të huaj u ndaluan krejtësisht. Duke marrë kontroll të plotë mbi sistemin financiar, taksat nisën të rriteshin dhe dekretet u bënë gjithnjë e më të ashpra—disa mallra kërkonin leje për t'u tregtuar, dhe çdo transaksion duhej të kalonte nëpër filtrin e zyrtarëve. Ditët e tregtisë së lirë u shuan pak nga pak, të zëvendësuara nga një sistem i rregulluar deri në detajet më të vogla, ku çdo shitje duhej të kalonte nën lupën zmadhuese e të pamëshirshme të Khanit.
Megjithatë, ky ishte vetëm fillimi. Shumë shpejt gjërat do kalonin nga shiu në breshër. Mungesa e vlerës së brendshme të monedhës nënkuptonte që ishin tekat e perandorit ato që përcaktonin vlerën e saj. Kublai mundej—dhe e bëri—të printonte thasë të tërë me kartëmonedha për të financuar dëshirat e tij, duke shkaktuar në mënyrë të pashmangshme një inflacion të shfrenuar.
Ndërsa çmimet e mallrave po rriteshin dhe ato pak kursime që njerëzit kishin filluan të avullonin, pakënaqësia filloi të ziente. Të gjithë e dinin se rezistenca barazohej me vdekje. Tregtarët dhe qytetarët që guxonin të refuzonin paratë e Khanit përballeshin me ndëshkime të tmerrshme—konfiskim të pasurisë, burgim ose, në rastin më të keq, prerje koke. Herë pas here, provincat rebele u vunë nën sulmin e ushtarëve, të cilët linin pas rrugë të zbukuruara me koka të prera, një paralajmërim i gdhendur me gjak:
Bindu ose vdis!
Skema e Khanit ishte një manovër gjeniale politike. Duke kontrolluar mjetet e tregtisë, ai siguroi pushtet absolut mbi jetën e përditshme të nënshtetasve të tij. Ai mund të pasuronte aleatët, të rrënonte armiqtë, të ndëshkonte disidentët dhe të shpërblente besnikët sipas dëshirës. Një ekonomi dikur e lirë u shndërrua në një zgjatim të sundimit të tij.
Sidoqoftë, në fund, eksperimenti i tij përfundoi në katastrofë.
Inflacioni i shfrenuar rrënoi ekonominë e perandorisë dhe besimi te kao u thërrmua. Perandoria filloi të copëtohej, por Kublai Khan la pas një mësim të qartë për brezat që do të vinin: kur shteti merr kontrollin e parasë, ai merr në dorë sovranitetin që i përket me të drejtë popullit.
Jo më vonë… Tani
Aktualisht, mendoj se po qëndrojmë në buzë të greminës—në një prej periudhave më kritike në historinë moderne të financave—ose të paktën, është një nga më intrigueset.
Vetëm javën e kaluar, ari theu 3,000 dollarë për ons, për herë të parë në historinë e tregtimit të tij.
Në të njëjtën kohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump—ndoshta njeriu më polarizues në tokë tani për tani—ka folur për anulimin e tatimit mbi të ardhurat për këdo në SHBA që fiton nën 150,000 dollarë në vit.
Këto janë lajme madhore, por për qëllimin e buletinit të sotëm, në sfond po ndodh një tjetër ngjarje që kërkon më shumë vëmendje.
Më 7 mars, Christine Lagarde, kreu i Bankës Qendrore Evropiane, shpjegoi se si BQE planifikon të lançojë monedhën dixhitale të Bankës Qendrore (CBDC) në tetor të këtij viti.
Nëse e keni lexuar buletinin tim që në fillim, një nga temat kryesore për të cilat kam folur ka qënë pikërisht CBDC-ja.
“Nëse jo, mjafton të dini se CBDC-ja është një version dixhital i monedhës fiat të vendit tuaj, i emetuar dhe i kontrolluar nga banka qendrore, e cila mund të gjurmojë dhe rregullojë me saktësi çdo transaksion që kryeni”
Të paktën, kështu do ta përshkruajë qeveria juaj.
Do të ishte më saktë po të thuhej se, sapo të zbatohet, një CBDC do të lidhë të gjitha transaksionet tuaja me një sistem gjithëpërfshirës dhe rigoroz, duke mundësuar gjurmimin dhe kontrollin e çdo aspekti të jetës suaj financiare me një saktësi të ftohtë dhe të pangopur. Sa bukur apo jo?
Nëse ende nuk ju ka zënë frika nga ajo që një CBDC do t’i mundësojë qeverisë suaj, po jua përmbledh unë se çfarë ju pret:
🔒 Bllokimi i parave: Qeveria mund t’ju “fikë” fondet pa paralajmërim, pa pasur nevojë për ndërhyrjen e bankës suaj.
⏳ Paratë me afat skadimi: Ju kujtohen tollonat? Kursimet tuaja do të kenë një datë skadimi, duke ju detyruar të shpenzoni paratë tuaja para se ato të “zhduken”, në emër të stimulimit të ekonomisë.
🚫 Kufizime në shpenzime: Do të vendosin një tavan në lidhje me atë që shpenzoni për argëtim, kriptovaluta ose udhëtime, duke ju diktuar se ku dhe si mund të përdorni paratë tuaja.
❌ Transaksione të bllokuara: Mund t’ju ndalojnë të dhuroni për një kauzë “të papërshtatshme” ose të blini produkte “të kufizuara”, nëse këto kauza nuk janë pjesë e axhendave të tyre.
🌍 Limit karboni: Pasi të keni arritur kufirin tuaj personal të karbonit, mund të mos jeni më në gjendje të blini mish, karburant ose çdo produkt i cilësuar “me ndikim të lartë ndotës në mjedis”.
💸 Zbritje automatike: Nëse qeveria mendon se keni borxhe, gjoba apo taksa të papaguara, paratë tuaja do të merren automatikisht nga llogaria juaj, pa pritur miratimin tuaj.
👀 Hiqeni nga mendja privatësinë: Çdo transaksion që kryeni është automatikisht i dukshëm për qeverinë. Me fjalë të tjera, nuk ka më as para të fshehura dhe as privatësi financiare.
Pse kjo e ardhmja që dëshironi?
Me pak fjalë, kjo është ajo që e pret Evropën këtë vit.
Deri më tani, vetëm tre vende kanë një monedhë dixhitale CBDC—Nigeria, Bahamas dhe Xhamajka—mesa duket kjo gjë do të ndryshojë shumë shpejt.
Sapo BQE-ja të lançojë euron dixhitale, ajo do të përfshijë menjëherë 20 shtete dhe shumë të tjera do ta ndjekin. Brazili, Australia, Arabia Saudite, India, Rusia, Afrika e Jugut dhe 38 vende të tjera janë tashmë në fazën pilot të zhvillimit të monedhës së tyre dixhitale. E njëjta gjë vlen edhe për disa vende të BE-së që nuk përdorin euron. Ding, ding, ding mos përmendi kush Ballkanin?
Që udhëheqësve tanë nuk mund t'u besohet, këtë e di edhe ai që s’di të shkruaj e lexojë.
Jo vetëm që menaxhojnë të ardhurat tona nga taksat, pa u siguruar që veprojnë për të mirën e njerëzve, por shpesh abuzojnë me pushtetin e tyre për përfitime personale.
Nuk mund t'u besojmë atyre prosperitetin ekonomik të kombeve tona. Megjithatë, po këta njerëz që nuk u besohet as fjala që thonë, së shpejti do tu jepet fuqi e pakufizuar mbi sistemin financiar, duke e manipuluar dhe abuzuar atë sipas dëshirës së tyre.
Fuqi aq të mëdha, saqë as Kublai Khan, në kulmin e perandorisë së tij, nuk do ta kishte imagjinuar.
Kam folur për CBDC-të në një mënyrë ose në një tjetër që nga fillimi i ketij buletini. Gjatë gjithë kësaj kohe, CBDC-të kanë qenë gjithmonë diçka që dukej e largët, kurrë aq afër sa të na shqetësonte seriozisht ndikimi i tyre në jetën tonë.
Për fat të keq nuk është më kështu.
Për evropianët, mankthi do kthehet në realitet këtë vit. Po për të tjerët? Me shumë mundësi, shumë shpejt.
Ka ardhur koha të siguroni pasuritë, të ardhurat dhe të fitoni aftësi të reja për të fituar para në mënyra të reja dhe të mos varen nga një vend i vetëm. Duhet të keni akses në alternativa pagese jashtë sistemit fiat, si ari, argjendi ose Bitcoin. Dhe, në mënyrë ideale, të siguroni të paktën një leje qëndrimi ose shtetësi shtesë jashtë vendit tuaj.
Me fjalë të tjera, krijoni një plan rezervë të fortë.
Bëjeni tani.
Jo më vonë. Tani!
Shkruar nga Flogerta D.Lesi
Themeluese e Juno Moneta