Si përherë, në buletinin tim javor e shkuara vendos për të tashmen dhe i jep formë të ardhmes, më shumë nga çna e pret mendja.
I ndarë në tre pjesë—ku e nisim me një udhëtim pas në kohë, ndjekur nga aktualiteti dhe më pas një sugjerim financiar nga ana ime—buletini përpiqet të jetë sa më asnjanës.

I. Pak Hisori
Më 28 qershor të vitit 1914, një automobil po transportonte anëtarin e një prej familjeve mbretërore më të famshme të Evropës, përmes qytetit të Sarajevës.
Hirësia e tij kishte mbërritur në Bosnje & Hercegovinë për arsye diplomatike, me qëllim që të inspektonte forcat e armatosura perandorake të perandorisë së tij - një perandori që kishte aneksuar kombin që ai po vizitonte tani vetëm gjashtë vite më parë.
Sidoqoftë, një seri ngjarjesh të çuditshme dhe një keqkuptim i thjeshtë gjuhësor bëri që autokolona e hirësisë së tij të merrte një kthesë të gabuar.
Ishte pikërisht kjo kthesë e gabuar që do të ndryshonte përgjithmonë rrjedhën e historisë njerëzore.
Kryeduka Franz Ferdinand Karl Ludvig Jozef Maria (Franz Ferdinand Carl Ludwig Joseph Maria) i Austrisë ishte trashëgimtar i fronit— ose trashëgimtar i mundshëm — i perandorisë Austro-Hungareze. Sipas të gjitha gjasave, ishte ai që do të ngjitej në fron, pasi xhaxhai i tij të ndërronte jetë (perandori Franz Joseph I).
Por, pasi autokolona e tij doli aksidentalisht jashtë rrugës së planifikuar, jetës së tij i erdhi fundi para kohe nga një plumb në qafë. Vrasësi ishte një i ri serbo-boshnjak i quajtur Gavrilo Princip, i cili u përpoq të çlironte kombin e tij nga sundimi shtypës i perandorisë Austro-Hungareze.
Dhe në një kthesë të çuditshme të fatit, Kryeduka Franz Ferdinandi do të vdiste pikërisht në Rrugën Franz Joseph - një rrugë kjo e emërtuar në nder të xhaxhait që ai do të zvendësonte në fron.
Shkëndija që ndezi Evropën flakë
Në atë kohë, Evropa dhe veçanërisht Ballkani, ishin një fuçi baruti tensionesh që prisnin të ndizeshin. Aleancat e mbivendosura midis perandorive, përplasjet e shpeshta etnike dhe konsolidimet e reja të pushtetit bënin që kombet të ishin mosbesues ndaj njëri-tjetrit.
Nëse Evropa ishte fuçi baruti, vrasja e Franz Ferdinandit ishte shkëndija që do ta ndizte atë flakë. Më 28 korrik, saktësisht një muaj pas vdekjes së kryedukës, Austria i shpalli luftë Serbisë dhe filloi bombardimin e Beogradit.
Kjo pra është mënyra se si nisi Lufta e Parë Botërore.
Në atë kohë, kjo luftë ishte konflikti më shkatërrues që njerëzimi kishte përjetuar ndonjëherë.
Gjatë luftës, kombet u bënë gjithnjë e më mosbesuese ndaj fuqive të huaja dhe spiunëve që depërtonin në radhët e tyre për të mbjellë konflikt, ose për të marrë informacion që mund t'i ndihmonte armiqtë e tyre me fitore.
Për të mbrojtur veten e tyre, shumë vende miratuan ligje të reja që synonin të forconin sigurinë publike, ose të kapnin e burgosnin më lehtë ata që synonin t’i bënin dëm kombit.
Në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, fishkëllima u ndalua me ligj. Po, po, me arsyetimin se mund të ngatërrohej me një sirenë sulmi ajror dhe mund të rezultonte në panik të panevojshëm.
Në ishujt e Samoas, ndarja racore dhe censura u zbatuan rregullisht. Sidomos pasi Zelanda e Re pushtoi ishullin në ditët e para të luftës.
Dhe në Shtetet e Bashkuara, u krijua Akti i spiunazhit i vitit 1917, i cili i dha qeverisë kompetenca të reja gjithëpërfshirëse për të arrestuar dhe ndaluar këdo që ata mendonin se po ndihmonte armiqtë e tyre.
II. Aktualitet
Ndalimi i lirive njerëzore veshur me petkun e ligjit të luftës
Sot, Lufta e Parë Botërore është zbehur në histori dhe në kujtesë, por ajo që ka mbetur janë disa nga ligjet shtypëse që u krijuan gjatë asaj kohe.
Siç mund ta dini, Xhulian Asanxh (Julian Assange) — qytetar i Australisë dhe themeluesi i WikiLeaks — aktualisht është i lirë (që prej 27 qershorit të 2024-ës) pasi lëngoi për pesë vjet në burgun Belmarsh të Anglisë. Asanxh (Assange) u paraqit në gjyq për krime të spiunazhit kundër Shteteve të Bashkuara; krime që mund ta çonin atë në burgim të përjetshëm (deri në 175 vjet).
Shumë njerëz, ashtu si unë, do të diskutonin fort se Xhuliani nuk është fajtor për asgjë. Përkundrazi, ai duhet nderuar për zbulimin e krimeve të luftës që ushtria e Shteteve të Bashkuara po kryente në Irak. Krime lufte si vrasja e civilëve të pafajshëm, që ndonjëherë kapeshin në video nga vetë ushtarët që kryenin mizoritë.
Megjithatë, ajo që shumica nuk e dinë është se Asanxh (Assange) po akuzohet sipas Aktit të spiunazhit të vitit 1917. Me pak fjalë, po gjykohet nga i njëjtin grup ligjesh që u krijuan nga SHBA-të gjatë kulmit kaotik të Luftës së Parë Botërore.
Ligjet e krijuara gjatë një kohe lufte. Ligje që nuk pasqyrojnë më botën në të cilën jetojmë, por ligje që vazhdojnë të veprojnë njësoj si 107 vjet më parë.
Lufta formon ligjet dhe ligjet i japin formë parave tuaja
Besoj e dini mirë se një luftë vazhdon të zhvillohet aktualisht në Ukrainë dhe një tjetër po kërcënon paqen e gjithë kontinentit Evropian. Si ndodhi e gjithë kjo?
Pas muajsh trimërie dhe bisedash për stërvitje të pafajshme ushtarake, Rusia ndërmori veprime që shumica e botës nuk e priste, dhe nisi një pushtim në shkallë të plotë në territorin e fqinjit të tij jo-luftëtar.
Motivet e mundshme të Rusisë për pushtim mund të shihen në shumë mënyra si:
dëshirë për fuqi shtesë në skenën botërore,
zgjerim gjeografik (për t'ia shtuar portofolit të saj tokësor),
ose nostalgji që të ringjallë lavdinë e dikurshme të Bashkimit Sovjetik plak.
Cilado qoftë arsyeja, nuk më mjafton ky postim për ta diskutuar këtë gjë më gjerë këtu. Kryesisht, sepse ka burime të tjera shumë më të sakta për të zbuluar se cilat mund të jenë motivimet reale të Putinit.
Në vend të kësaj, unë dua të diskutoj narrativat që na janë thënë në lidhje me këtë luftë. Dhe si mund të përdoren ato për të krijuar ligje ose për të zbatuar kufizime që mund të murosin të gjitha liritë tona financiare.
Një nga pikat kryesore të bisedimeve rreth pushtimit të Ukrainës kanë qenë sanksionet e rënda ekonomike të vendosura ndaj kombit rus.
Për ata që nuk e dinë, sanksionet janë thjesht ndëshkime ekonomike të krijuara për të ndaluar Rusinë të tregtojë lirshëm. Kjo me synimin për të ndaluar fluksin e parave të huaja që hyjnë në vend. Sa më pak para në ekonominë e Rusisë aq më pak burime për të financuar luftën e tyre në Ukrainë.
Në shumicën e rasteve, sanksionet nuk janë gjë tjetër veçse një përpjekje e dobët për të treguar përbuzjen e një kombi ndaj veprimeve të një tjetri. Në rastin e Rusisë, sanksionet deri më tani kanë qenë të shpejta, gjithëpërfshirëse dhe të rënda. Pak si shumë të shpejta për një luftë që plasi “papritur”.
Për shembull:
Diplomatët e Kremlinit janë përndjekur nga shumë vende perëndimore dhe bankat janë shkëputur nga sistemi i pagesave SWIFT.
Hapësira ajrore dhe portet evropiane u kanë mohuar hyrjen anijeve me flamur rus, dhe disa prej kompanive më të mëdha në botë si AirBnB kanë ndërprerë plotësisht tregtinë në Rusi.
Me një lëvizje akoma edhe më të guximshme për të goditur më së shumti miqtë e Putinit, vende si Norvegjia, Italia, Franca dhe Gjermania konfiskuan asetet e oligarkëve rusë, duke përfshirë sekuestrimin e Dilbarit (jahtit më të madh motorik në planet).
III. Bitcoin
Lufta për pushtet përmes prangosjes së kriptomonedhave
Megjithatë, pavarësisht gjithë këtyre sanksione, lufta në Ukrainë vazhdon. Dhe për shkak të kësaj, biseda kryesore rrotullohet rreth mënyrave shtesë se si bota mund të vazhdojë kufizimin e fluksit të parave në Rusi.
Në mënyrë të pashmangshme, kjo bisedë përfshiu edhe Bitcoinin këtu e dy vjet më parë. Që prej asaj kohe, në këto dy vitet e fundit, Bitcoin nuk ka arritur ende t’i rikthehet lavdisë së mëparshme.
Gazetat CNN dhe NeW York Times publikuan para dy vitesh artikuj që përshkruanin se si oligarkët rusë mund të përdorin hipotetikisht kriptomonedhën dixhitale për t'iu shmangur sanksioneve financiare. Në fakt, CNN shkoi aq larg sa e karakterizoi Bitcoinin si mjetin kryesor përgjegjës për mënyrën se si ata do ta arrinin këtë synim.
"Sanksionet financiare janë më të lehta se kurrë për t'u shmangur nga rusët. Faleminderit Bitcoin”, shkruante CNN.
Deklarata e CNN dukej sikur ishte punë e mbaruar. Në të vërtet ishte komplet e kundërta.
Pak para fillimit të pushtimit të Ukrainës, aktiviteti ditor i kriptove të investitorëve rus arrinte në mbi 70 milionë dollarë në ditë, siç raportohej nga Bloomberg. Më 3 mars të 2022-it, vetëm pak ditë pas vendosjes së sanksioneve kundër rusëve, ky aktivitet u përgjysmua (34.1 milionë dollarë në ditë).
Pra, ndërsa shumë media shtynin narrativën se Bitcoin do të ishte një mënyrë e lehtë për Rusinë për të shmangur sanksionet, të dhënat reale tregonin të kundërtën.
Me pak fjalë, sanksionet po funksiononin dhe vazhdojnë të kenë efekt edhe sot. Numrat nuk gënjejnë. Mirëpo media, sikur e ka zakon, i injoron këto fakte. Sepse për ta, faktet nuk kanë rëndësi.
Ajo që ka rëndësi është vetëm narrativa që shet
Të gjithë e dim se fuqia e vërtetë e një kombi shprehet me fuqinë e tij ekonomike dhe një pjesë e këtij pushteti vjen nga njerëzit që tregtojnë paratë e atij kombi; qofshin euro, dollarë, jen, bitcoin apo ndryshe.
Kripto u jep individëve më shumë kontroll mbi paratë e tyre, si dhe llojshmëri në mënyrën se si ata zgjedhin t'i përdorin këto para. Jo vetëm kjo, por duke qënë të decentralizuara ato janë thuajse të shkëputura nga ekosistemi financiar i një kombi.
Mirëpo, sa më pak para në ekosistemin financiar të një kombi, aq më pak fuqi ka ai. Rrjedhimisht, aq më pak fuqi ka edhe qeveria e atij vendi.
Kjo është arsyeja kryesore pse shumë qeveri (përfshirë edhe ajo e Shqipërisë apo Kosovës) kanë qenë kaq të shpejta për të denoncuar dhe për ta bërë të paligjshme përdorimin e parave të decentralizuara si kripto.
Si dhe pse shumë media - zëdhënëset e blera nga qeveria - janë hedhur përpjet për të përkrahur retorikën anti-kripto.
Në rastin e luftës në Ukrainë, sipas të dhënave, përdorimi i Bitcoinit nuk u lejoi rusëve të shmangin sanksionet. Rënia masive e përdorimit të kriptove në Rusi gjatë viteve të fundit e ilustron këtë gjë shumë qartë.
Por kjo nuk do t'i ndalojë fuqitë dhe aleatët e tyre mediatikë që të përdorin luftën si një justifikim për të zbatuar kufizime, ose për të krijuar ligje të reja që mund të rezultojnë në sanksionime më të forta për kriptovalutat dhe për të gjithë ne.
Me fjale te tjera ata i qëndrojnë shprehjes, “Kurrë mos lejo që një krizë e mirë të shkojë dëm.”
Nëse ligjet e reja që kufizojnë përdorimin e kriptove zbatohen (duke përdorur si arsyetim luftën në Ukrainë), mos mendoni se këto ligje do të zhduken menjëherë sapo lufta të përfundojë. Historia na jep shumë shembuj ku tregohet haptasi se si ligjet e krijuara gjatë luftës i japin formë parave tona dhe vazhdojnë të zbatohen po njësoj edhe pas 100 viteve.
Nuk kam për qëllim që me këtë buletin t'ju bind vendosjen e disa prej kursimeve tuaja në kripto apo shërbime të tjera financiare të decentralizuara. Ajo që dua t’ju tregoj është se nëse zgjidhni të diversifikoni portofolin tuaj financiar i bëni një nder vetes. Zgjedhja dhe edukimi i mëtejshëm ju takon juve.
Unë jam këtu që të hedh dritë mbi llojet e narrativave që përdoren nga media dhe fuqitë që i kontrollojnë ato për t’i dhënë formë botës dhe parave tona.
Sigurisht, tragjedia më e madhe e asaj që vazhdon të ndodh në Ukrainë është humbja e panevojshme e jetëve nga të dyja palët. Si dhe shpërngulja e shkatërrimi i jetëve të miliona njerëz.
Por, nuk duhet të harrojmë se për ata që janë në pushtet, kjo tragjedi është thjesht një ngjarje tjetër botërore nga e cila ata mund të përfitojnë e ta përdorin për të konsoliduar më tej pushtetin e tyre.
Dhe po ta shohim në një tjetër këndvështrim, ajo që po ndodh është një lloj përfitimi lufte. Dallimi i vetëm këtu është se plaçka e luftës nuk janë paratë - por formësimi i ideve tona sipas narrativave të tyre.
Mos harroni: pas çdo historie ka gjithmonë një motiv.
Shkruar nga Flogerta D. Lesi
Themeluese e Juno Moneta
P.S. - Aktualisht e vetmja metodë që unë mund të sugjeroj për të depozituar, tërhequr apo tregtuar kriptomonedha në bursë është EO Broker (e vlefshme edhe në Shqipëri). Krijoni llogarinë dhe ndiqni videot e tyre ilustruese. Kontaktoni me një agjent apo edhe me shërbimin e klientit në chatbot.
*Si gjithmonë, nuk jam e sponsorizuar nga asnjë prej kompanivë që sugjeroj. Ju ftoj të bëni kërkimet tuaja.
Ky buletin shërben për qëllime edukative dhe nuk përbën këshillim financiar profesional. Ju lutemi bëni kërkimet tuaja dhe merrni parasysh rreziqet që lidhen me investimin ose blerjen e bitcoin.