Llojet e ndryshme të kursimit
Në fund të materialit keni një pdf të përgatitur nga unë, nga ku mund të nisni ruajtjen dhe gjurmimin e kursimeve tuaja të para.
Inflacioni mesa duket nuk ka plan të largohet as për 2025-ën dhe kjo vazhdon të duket qartasi edhe në vendin tonë. Shporta ushqimore parashikohet të ketë një inflacion prej 3% (nga 3.5% për vitin 2024), të paktën në Shqipëri.
Nëse marrim vendet e Ballkanit perëndimor sipas radhës, dy vende janë ato që vazhdojnë të mbyten nga inflacioni i lartë. Serbia, e cila zë vendin e parë me 3.5% (nga 5.3% për vitin 2024) dhe më pas vendi yne.
Shënim: Sqaroj se këto janë të dhënat zyrtare të marra nga statista.com, mirëpo unë i besoj xhepit tim më tepër se statistikave. Kjo sepse inflacioni mund të jetë ndryshe për një familje dhe ndryshe për një student/beqar. Sipas të dhënave të xhepit të një familjari mesatar, shporta ushqimore ka rritje në kosto sa dyfishi i 2 viteve më parë.
Sigurisht, buletini im edhe pse flet për financat, nuk ka për qëllim t’ju merzis me statistika ekonomike. Ato më ngelen mua ti studioj dhe t’jua servir juve në mënyrë sa më të përtypshme. Nisur nga të dhenat që ju përmenda më sipër, si dhe nga pyetjet që më janë drejtuar vazhdimisht nga lexuesit e mi sot do t’ju udhezoj si fillim për kursimet.
*Në numrin e radhes te buletinit rrufe të së enjtes do t’i përgjigjem pyetjes së dytë se cfarë të bëjmë me kursimet tona pasi të kemi akumuluar aq sa duhet.

Bëni ndarjen midis të ardhurave dhe shpenzimeve tuaja
Le t’ia nisim me disa koncepte bazë që jane kyçe në lidhje me planet tuaja të kursimit. Aftësia juaj për të kursyer lidhet drejtpërdrejt me hendekun midis të ardhurave dhe shpenzimeve tuaja. Nëse nuk ka një hendek midis tyre, kjo do të thotë që po jetoni nga rroga në rrogë. Kjo ju lë në mëshirë të fatit nëse rroga (e ardhura juaj bazë) ndërpritet papritur.
Të ardhurat janë burimi bazë i jetesës suaj. Ato mund të përfshijnë:
Pagën mujore
Pensioni (në rast se flasim për një familje që ka gjyshër)
Kompensimi javor/mujor qe prindërit sigurojnë për ju që jeni student
Pagë plus nga një punë e dytë ose punë freelance nëse keni një të tillë.
Shpenzimet nga ana tjetër ndahen në dy kategori: shpenzime fikse dhe shpenzime shtesë.
Shpenzimet fikse përfshijnë ato që ju faturohen çdo muaj si qeraja, dritat, uji, interneti, telefoni apo abonime si palestra, Netflix, Canva apo programe te ngjashme. Këto shpenzime janë të pandryshueshme çdo muaj, ndaj edhe quhen fikse.
Shpenzimet më të mëdha, janë strehimi (i cili futet tek shpenzimet fikse), ushqimi dhe transporti (të cilat futen tek shpenzimet e ndryshueshme dhe shtesë). Kjo ndodh sepse çmimet për shportën e ushqimeve, sikur e kemi vënë re, ndryshojnë shpesh.
Kur te krijoni buxhetin tuaj, këto koncepte duhet t’i keni të qarta dhe t’i ndani mirë me qëllim që të kuptoni se ku ju duhet të kurseni.
Shpenzime si kafja, dreka dhe darka nëpër restorante, kinema, pajisje elektronike, qerasje mes miqsh, qoka, raste ditëlindjesh apo dhurata, veshmbathje, këpucë dhe shumë të tjera përfshihen tek shpenzimet shtesë. Kjo sepse nuk janë të domosdoshme çdo muaj për të siguruar jetesën tuaj por kanë peshën e tyre gjithsesi.
Tani që jemi të qartë me këto koncepte le të bëjmë dallimin në lidhje me llojet e kursimeve që duhet të keni. Kursimet janë plane afatgjata ndaj mos harroni që të vendosni synime të caktuara se pse doni të kurseni.
Llojet e ndryshme të kursimeve
Që të filloni të kurseni duhet të dini sa lloje kursimesh ka dhe sa ju duhen për të garantuar një rrjetë sigurie për çdo të papritur në jetën tuaj. E di, është e vështirë, por është diçka që pasi t’ju bëhet zakon do t’ju ndhmoj të ndiheni më të qetë. Kështu që, le t’ia fillojmë.
Së pari, duhet të keni tre lloj kursimesh bazë që t’i aksesoni në mënyra të ndryshme. Nëse ende nuk keni nisur me kursimet, gjëja e parë që duhet të ndërtoni është fondi i emergjencave.
1. Fondi i emergjencave
Fondi i emergjencave do të thotë të ruani shpenzime për 3-6 muaj të mbyllura në një llogari bankare si llogari kursimi (kjo me qëllim që banka të mos e prek si llogari duke marrë shuma të vogla mujore për ruajtjen e saj si dhe ju të mos tundoheni për t’i prekur).
Uluni me familjen tuaj, llogarisni deri në hollësi buzhetin tuaj familjar, dhe në bazë të llogarive fondi juaj i emergjencës mund të jetë 3000 euro (në rast se je student apo beqar) ose 6000 euro në rast se je familjar. Sido që të jetë, ky fond duhet të qëndrojë i paprekur. Pse?
Sepse ky fond, ashtu sikur ka edhe emrin duhet të përdoret vetëm në raste emergjencash, si aksident, humbje të vendit të punës në mënyrë të papritur etj. Në bazë të stilit të jetës që bëni, ky fond emergjence mund të jetë edhe më i lartë, ose edhe më i ulët.
Si ta ndërtoni një fond emergjence?
Kur uleni për të bërë llogaritë e buxhetit tuaj, vendosni një syim për sasinë e parave që doni të ruani si fond emergjence. Supozojmë se doni të ruani një shumë prej 3000 eurosh, e cila ju mbulon shpenzimet per 4 apo 5 muaj. Që ta krijoni këtë fond sa më shpejt, duhet të kurseni në mënyrë ekstreme.
Marim rastin tim. Që të krijoja një fond të ngjashëm me atë të sipërmin, eliminova kafen duke përdorur ekspres në shtëpi (140 euro kursim në xhep për 3 muaj).
Hoqa shpenzimet shtesë si veshje apo këpucë, duke blerë ose të dorës së dytë (që kushtojnë relativish më pak dhe shpesh janë më cilësore) ose eliminimi i përditësimit të pajisjeve elektronike.
Telefoni i fundit që kam blerë ka qënë para 5 vitesh. Nuk përdor transport publik dhe taksi (vetëm në raste tepër të nevojshme) përpos bicikletës. Si dhe nuk ha jashtë apo nëpër restorante, nuk pi cigare dhe nuk konsumoj alkol (vetëm në raste festash ose mbledhje familjare që janë shumë të rralla).
Duket si jetesë e mjerueshme, por ajo që ka rëndësi është siguria juaj dhe e familjes si dhe synimi që keni vendosur. Më mirë të shtrëngoheni për dy tri vjet sesa të jetoni përherë me ndjenjën e frikës së humbjes së punës apo pasigurive të tjera.
Jetoni nën mundësitë tuaja
Supozojmë se keni një rrogë të kënaqshme, mirëpo asnjë kursim të hequr veçmas. Kjo nuk është diçka e mirë, sepse pa një rrjetë sigurie jeni në mëshirë të fatit. E di se është e lehtë të bini preh e inflacionit të konsumit. Për ata që nuk e din se çdo të thotë, kjo ndodh kur shpenzimet dhe konsumi juaj rritet me rritjen e pagës. Pra, sa më shumë merni aq më shumë shpenzoni.
Vendosini vetes limite të prera dhe kujdesuni për çdo shpenzim. Nuk keni nevojë për telefonin e fundit, për veshjet e shtrenjta apo për pushimet luksoze. Jetoni nën mundësitë tuaja për sa kohë të jetë e nevojshme ose për sa kohë të keni krijuar fondin e emergjencës.
Shënim: Nëse kaq pak sqarim nuk ju mjafton, më shkruani nëse doni t’ju shrkuaj në buletinat e ardhshëm dy strategji të ndara (si për student/beqar ashtu edhe për familje) për krijimin e një fondi emergjencash.
2. Fondi i kursimeve personale
Ky është një tjetër fond kursimesh që duhet me patjeter ta keni në portofolin tuaj. Ky do t’ju shërbej si një fond kursimesh që ju e mblidhni çdo vit për ta investuar më pas tek vetja juaj. Ndaj edhe quhet fondi i kursimeve personale.
Ky fond mund të mblidhet vecmas buxhetit të përbashkët familjar ose fondit të emergjencave. Ështe një fond i krijuar për ju dhe aksesohet vetëm nga ju. Mund ta përdorni për kurse, trajnime, specializime e të tjera si këto.
Personalisht, këtë fond e arrij me metodën duke paguar veten të parën, që e kam shpjeguar edhe në buletinin e të enjtes së kaluar.
Si e kam realizuar?
Kam hapur një llogari kursimi që tërheq automatikisht nga paga ime 10% të vlerës. Synimi i këtij fondi është i thjeshtë dhe fiks, më shërben cdo fundvit për të vendosur se në cilat aftësi duhet të investoj që të përmiresohem, te studioj, të marr training coach ose edhe të marr patentën (sikurse kam vendosur për vitin e ardhshëm).
Ky fond, mund t’ju shërbej edhe si fond i dëshirave tuaja ku mund ta ruani për t’i blerë vetes telefonin apo lap-topin që dëshironi. Zgjedhja është e juaja, vecse konsiderojeni si investim personal. Mund ta përdorni edhe të blini monedha ari apo argjendi, të cilat mund t’ju shërbejnë si investim afatgjatë që do t’ju kthehet në vlerë.
Mërni gjithnjë parasysh se vlera e këtij fondi duhet konsumuar brenda vitit sepse inflacioni ha një kafshatë të mirë.
Nëse nuk keni asnjë plan investimi për këtë fond vjetor kursimesh mund ta mbyllni në një bankë për një vit që t’ju rikthej 4.5 - 5% të vlerës (High Yield Account- sikur quhet ndryshe në anglisht). Edhe për këtë do t’ju shkruaj një artikull në të ardhmen.
3. Fondi i kursimeve të arritshme
Ky do t’ju habis pak, por kur t’jua shpjegoj do ta kuptoni se sa shumë do t’ju ndihmojë në të ardhmen. Më sipër ju përmenda dy lloje kursimesh të cilat kanë synim të caktuar dhe që nuk duhen prekur nga ju për asnjë arsye. Kjo sepse nëse i prekni këto kursime atëhere keni thyer rregullin e artë të tyre apo jo?
Fondi i kursimeve të arritshme është thelbësor në ato raste kur ju duhet diçka shumë shpejt dhe nuk keni mundësi të paguani as me kartë apo të tërhiqni në bankë. Le t’i quajmë si fondi i kursimit nën dyshekun tuaj.
Kur vajza ime sapo kishte mbushur 1 vjeç dhe kishte nisur të ecte këmbadorasi u rrëzua nga krevati. Me bindjen se ajo po flinte, unë kisha shkuar në kuzhinë për të marrë një gotë me lëng portokalli. Vajza ra, u dëmtua në kokë dhe e alarmuar si isha, duke qënë se edhe urgjencën nuk e kam larg, mbatha pantoflat (as këpucët jo), mora kuletën dhe dola nga dera me vajzën në krahë.
Në panik e sipër më kishte dal nga mendja që atë ditë kisha pak lekë në kuletë dhe do tërhiqja në bankë po atë pasdite. Pra, pa telefon, pa shumë lekë u nisa në këmbë. Paniku është problem i madh, mirëpo kur je nënë e re gjithçka të duket fundi i botës.
Për fat të mirë, im shoq ishte duke u kthyer nga puna dhe u shkëmbeva me të rrugës. Morëm taksi dhe mbërritëm shpejt në urgjencë. Gjithçka shkoi mirë dhe vajza qëndroi në vëzhgim duke dal nga spitali po atë ditë.
Tani, ju tregova këtë pjesë të jetës time për t’ju shpjeguar se nëse do të kisha patur në ato momente një fond kursimesh të arritshme gjërat do kishin ecur pak më ndryshe. Do të kisha marrë ato lekë e do kisha porositur menjëhere taksi. Por, as ato nuk më gjendeshin në atë moment dhe as në kuletë nuk i kisha. Shkujdesja ime më shkaktoi stres të panevojshëm.
Që nga ai moment, në shtëpi ruajmë një sasi të vogël fondi emergjence të arritshme. I kursejmë duke mbledhur monedhat dhe të thyerat ditore dhe brenda një muaji apo dy, edhe ju mund ta plotësoni këtë fond në të njëjtën mënyrë. Nuk ka pse të jetë një shumë e madhe, por mjafton ta keni në shtëpitë tuaja.
Sikur është kutia e ndihmës së shpejtë edhe ky fond duhet të jetë bashkangjitur me këtë kuti.
Në artikullin e ardhshëm të buletinit rrufe do t’ju tregoj disa mënyra si të ruani paratë tuaja nga inflacioni i cili cdo vit i zhvlerëson edhe më tepër vlerën e tyre. Mos harroni se tek kursimet bazë duhet të futet edhe planifikimi i pensionit. Mirëpo, edhe për këtë do të flas në një postim tjetër ku do të diskutoj më në detaj disa metoda për ngritjen e fondit të pensionit tuaj.
Shkruar nga Flogerta D. Lesi
Themeluese e Juno Moneta
P.S: Të vetmen bankë që sugjeroj për të ruajtur fondin tuaj të emergjencës është Banka e Shqipërisë (vendi më i sigurtë hë për hë). Gjithsesi, ju sugjeroj që kursimet tuaja të mos i ruani asnjëherë në të njëjtën bankë.
Zgjedhja se cila bankë jua mbush mendjen mbetjet gjithmonë e juaja, mos harroni bëni kërkime dhe informohuni me kujdes për këtë pjesë.
Ndërkohë, mos harroni të shkarkoni pdf-në e mëposhtme. Ridëgjohemi në buletinin e ardhshëm.
*Ky buletin shërben për qëllime edukative dhe nuk përbën këshillim financiar profesional. Ju lutemi bëni kërkimet tuaja dhe merrni parasysh rreziqet që lidhen me investimin ose blerjen e metaleve të çmuara.
Po pres nai postim per net worth ne shqip se mendoj do ishte interesante....