Paralajmërimi i harruar: Jemi në dimrin e qytetërimit
100 vjet më parë Osvald Spengler shkruajti për atë që po ndodh sot.
Një shekull më parë, një historian gjerman me emrin Osvald Spengler arriti në një përfundim të çuditshëm që sot duket sikur po bëhet realitet para syve tanë. Parashikimi i tij ishte po aq shpresdhënës sa edhe një ogur i zi për shoqërinë moderne.
Pas vitesh studimi, Oswald arriti në një përfundim dritherues: të gjitha kulturat kalojnë të njëjtin cikël jete dhe fundi ynë tashmë është i shkruar në histori, sepse ka ndodhur më parë.
Mos valle jemi drejt fundit të ciklit të civilizimit tonë?
Me një zotësi analitike të pashoqe, Spengler argumentoi se çdo civilizim kalon nëpër faza të ndryshme si një organizëm i gjallë—lindja, rritja, rënia dhe në fund, vdekja e pashmangshme. Ai nuk na dha një parashikim të thjeshtë, por na la një paralajmërim të qartë e të ftohtë: shekulli XXI do të shënonte rënien e qyteteve të mëdha dhe shoqërisë perëndimore.
Për të, historia nuk ishte një progresion linear nga primitivja tek modernja. Jo! Ai na tregoi se kulturat pasojnë një ritëm ciklik, një cikël sezonesh, ashtu si natyra. Kishte periudha lulëzimi, por edhe degradimi e si përfundim rënia e pashmangshme.
Në veprën e tij "Rënia e Perëndimit", Spengler na tregoi se si çdo civilizim i madh—nga Babilonia e lashtë deri tek kultura jonë perëndimore—ndan të njëjtin fat. E dini se çfarë e shtyn perëndimin drejt fundit? Një etje e paepur për rritje, zgjerim dhe njohuri. Një dëshirë "Faustiane"—një referencë për legjendën gjermane të Faustit, i cili shet shpirtin për dijeni të pafundme.
Ai e pa qartë se çfarë jemi duke bërë—kulturën perëndimore e karakterizon një grykësi e pangopur për rritje të pafundme. Më shumë tokë, më shumë dijeni, më shumë teknologji, më shumë... më shumë... më shumë.
Por ky "më shumë" po na kushton shpirtin e shoqërisë!
Spengler e dinte që kjo dëshirë do të na çonte në dimrin e shoqërive civile, ku krijimtaria dhe shpirti do të shuheshin, duke lënë pas vetëm tre gjëra të ftohta:
Materializëm
Individualizëm
Komercializëm
Ju kujtohet si e krahasonte Spengler ciklin e jetës së një kulture? Me stinët! Një cikël i pandalshëm i rrotës së fatit.
Pranvera: periudha e besimit dhe krijimtarisë intelektuale. Kujtojmë këtu mesjeta e vonët me katedralet madhështore.
Vera: periudha e lulëzimit. Rilindja dhe Baroku, kohë arritjesh të mëdha artistike, kur mundësitë njerëzore dukeshin të pakufizuara.
Vjeshtë: periudha kur entuziazmi për inovacion ngadalësohet. Rasti i shekullit të 18-të me artin akademik dhe fokusimin në përsosje, jo në krijimtari.
Dimri: fundi i ftohtë dhe pa jetë i një cikli civilizimi. Shekulli XIX dhe XX, kur Europa Perëndimore u kthye nga "kulturë" në thjesht "civilizim". Një shoqëri e drejtuar jo nga pasioni, por nga kërkesat e ftohta të industrisë dhe tregtisë.
Ku jemi ne sot? Në zemër të dimrit!
Spengler parashikoi se shekulli ynë do të sillte tronditje të mëdha për shoqërinë, dhe me të vërtetë, shenjat janë të gjitha rreth nesh:
Megaqytetet e fragmentuara: 10-20 milionë banorë, të shkëputur nga toka dhe njëri-tjetri. Atomizimi i popullatave, zhdukja e idealeve të përbashkëta, emigracioni i parreshtur, përzjerja e kulturave dhe hegjemoni e detyruar.
Rënia e lindshmërive: Kur vendimi për të patur fëmijë vendoset në peshore, kultura ka humbur vitalitetin e saj.
Demokraci të dështuara: Nga mjete për të shprehur vullnetin e popullit, demokracitë bëhen mjete të parave dhe burokracisë, shërbëtore të elitave të pasura.
Pushteti i parasë: Pushteti nuk mbahet më nga tradita, por nga pasuria, dhe me këtë ndryshim vjen korrupsioni i pashmangshëm.
Ka ardhur koha për një Cezar, por a mundet ai të shpëtoj Romën e rrënuar?
Spengler e pa qartë se gjithë kjo do të krijonte terren pjellor për ngritjen e një udhëheqësi karizmatik, një "Cezar" i ri, që premton rend në një kulturë të shkatërruar. Por ai nuk do të shpëtojë asgjë! Cezarizmi do të dështojë, do të zhytet në korrupsion, ashtu siç ndodhi në fundin e Romës.
Qytetet e mëdha, "qytetet botërore" siç i quante Spengler, janë faza e fundit e një kulture që po vdes. Banorët e ketyre qyteteve do t'i mbrojnë këto ide e koncepte me fanatizëm, pa marrë parasysh sa të korruptuara ose të shkëputura nga realiteti po bëhen.
"Rrahja kozmike e qenies njerëzore po zvogëlohet gjithnjë e më shumë," shkruante Spengler. Energjia shpirtërore e shoqërisë po shuhet para syve tanë!
Ka ardhur koha të zgjohemi
Parashikimi i Spengler-it po bëhet realitet para syve tanë. Kompleksiteti i qyteteve tona, shkëputja nga toka dhe nga njëri-tjetri, pra zhdukja e komunitetit, ngritja e pasurisë si burimi kryesor i pushtetit, korrupsioni që na rrethon—këto janë shenjat e një civilizimi në ditët e tij të fundit.
Duhet të kuptojmë se nuk jemi më në kohë për të shtyrë fundin e pashmangshëm apo për të sjellë ndryshimin e nevojshëm. Duhet të përgatitemi jo vetëm për të përballuar dimrin e qytetërimit, por edhe për të krijuar themelet e asaj që do të vijë pas.
Çfarë do të na ndihmojë të mbijetojmë?
Rikthimi te vlerat thelbësore: Mos u mbështesni në sistemet artificiale të një shoqërie në rënie. Njeriu është qënie komunitare, rikthimi në komunitet dhe bashkësi të mbyllura do të risjell balancën e humbur.
Zhvillimi i aftësive të vërteta: Aftësi që nuk varen nga kompleksiteti i brishtë i megaqyteteve. Aftësitë ndërnjerëzore, sidomos tani me përdorimin e gjerë të AI-së.
Lidhja me tokën dhe bashkësinë: Kundër atomizimit dhe shkëputjes që Spengler e parashikoi. Rikthimi në zona rurale, dhe mbajtja fort e asteve kulturore dhe traditës të cilat garantojnë mbijetesën ndër breza.
Kultivimi i mendimit kritik: Për të parë përtej propagandës së "Cezarëve" modernë.
Pyetja mbetet: Çfarë do të ngrihet nga hiri i të vjetrës? Dhe çfare do ndërtojme ne për brezat që do të vijnë?
Shkruar nga Flogerta D.Lesi
Themeluese e Juno Moneta