Printeri i parave ia bën “brrrrrrrrrrrr”
dhe bashkë me të edhe vlera e parave ia bën "prrrrrrrrrrr" si një tullumbace e shfryrë.
Në vitin 600 p.e.s., qytetërimi i Athinës ndodhej në një gjendje kalbjeje dhe pisllëku. (një realitet që po pasqyrohet edhe sot për fat të keq).
Lakmia e shfrenuar dhe lufta për pushtet ishin kaq të zakonshme sa nxitnin përçarje të mëdha në të gjithë strukturën ekonomike dhe morale të shoqërisë. Korrupsioni ishte aq i përhapur, saqë ishte e natyrshme që klasa politike në pushtet ta përdorte si mjet qeverisjeje.
Populli i thjeshtë i Athinës nuk ishte në gjendje fort të mirë gjatë asaj kohe. Popullsia nënshtrohej kryesisht për shkak të frikës. Ekzekutimet ishin mjeti më i përdorur për të garantuar respektimin e ligjit. Dhe më e keqja ishte se ky dënim ndonjëherë jepej për shkelje të vogla si vjedhja e lakrës apo e ndonjë sendi të parëndësishëm.
Hendeku ekonomik
Përgjatë historisë, sa herë që kalbja përhapet në nivele të larta në një shoqëri, midis të pasurve dhe të varfërve krijohet një hendek i pakapërcyeshëm ekonomik. Dhe në këtë rast, për Athinën, ky fakt ishte mëse i vërtetë.
Bujqësia ishte deri në ato momente industria më e rëndësishme në Athinën e lashtë. Thuajse 80% e shoqërisë, në njërën mënyrë a në tjetrën, merrej me prodhimin e ushqimit. Ndërsa pjesa tjetër përbëhej nga klasa e privilegjuar athinase. Kjo e fundit përfaqësohej kryesisht nga tregtarë, bankierë, politikanë dhe studiues.
Varfëria e përditshme nënkuptonte që shumë fermerë mezi kishin kapital për të përballuar shpenzimet vjetore si stoku i farës ose ushqimi i kafshëve, dhe kështu prireshin të merrnin hua të majme nga elita e pasur e qytet-shtetit për të financuar veprimtaritë e tyre.
Megjithatë, kishte shumë faktorë potencialisht të padukshëm që mund t'ua bënin të pamundur fermerëve që të shlyenin borxhet (për shembull, një sezon me mot të keq që shkaktonte ulje të rendimentit të të korrurave.)
Ligji i Athinës asokohe i tillë që nëse një debitor nuk i shlyente këstet e tij kreditore, Ai që i kishte dhënë kredi mund t’i konfiskonte çdo tokë që debitori kishte në pronësi. Shkonte deri aq larg sa mund ta skllavëronte debitorin si një mjet shlyerjeje. Një dënim brutalisht i ashpër që theksoi më tej ndarjen midis klasave ekonomike në shoqëri.
Ardhja e Solonit në pushtet
Shumë nga këto ligje mizore u zbatuan nga ligjvënësi i lartë i Athinës, Draco. Këto akte u konsideruan të neveritshme nga shumica e kësaj kulture që tradicionalisht mbronte meritat e një shoqërie të barabartë. Dhe kështu diku rreth vitit 510 p.e.s., ligjvënësi i ardhshëm i qytet-shtetit, Soloni, vendosi të trajtojë problemin e pabarazisë, duke hequr shumë nga rregulloret e paraardhësit të tij.
Por Soloni u përball me një problem. Ekzistonte rreziku që, duke krijuar një shoqëri shumë të barabartë, do të humbej mbështetja nga klasa sunduese e qytet-shtetit. Kështu që, Soloni, i gjendur ngushtë tentoi një akt balancues ligjor që ai besonte se do të merrte miratimin nga të gjitha nivelet e shoqërisë athinase.
Së pari, ai liroi skllevërit e borxhit që nuk ishin në gjendje të paguanin kreditorët e tyre të pasur, në mënyrë që të ulte gjakrat e klasës së bujqësisë. Nga ana tjetër dekretoi se kreditorët mund të mbanin çdo tokë që kishin konfiskuar më parë, si një mënyrë për të shlyer borxhet që kishin. Dhe për të ëmbëlsuar marrëveshjen, ai i dha elitës më shumë fjalë në vendimet politike të Athinës në tërësi.
Në sytë e Solonit, këto ishin kompromise që do t'i jepnin atij favor si nga të pasurit ashtu edhe nga të varfërit e vendit. Por, koha do të tregonte së shpejti se përpjekja e tij për kurën e një ekonomie të kalbur do të kishte po aq efekt shërues sa të vësh fasho mbi një plagë të qelbëzuar.
Brenda pak viteve, ndarja klasore e Athinës u theksua edhe më tepër.
Të pasurit tani zotëronin më shumë tokë se kurrë dhe pjesa më e madhe e klasës së varfër të bujqësisë nuk zotëronte as edhe një copë tokë për të siguruar bukën e gojës. Sigurisht, bujqit nuk ishin skllevër të mirëfilltë, por tani ishin skllevër ekonomikë në kuptimin që u duhej të merrnin me qira tokë nga njerëzit më të pasur në shoqëri vetëm për të rritur ushqimin në tokën që dikur e zotëronin vetë.
Soloni nuk kishte bërë gjë tjetër veçse kishte dhënë një zgjidhje të përkohshme një problemi që shumë shpejt do të shndërrohej në diçka edhe më të shëmtuar.
Megjithatë, ajo që bëri Soloni nuk ishte një dështim i plotë. Reformat e tij arritën rritjen e tregtisë së Athinës me botën e jashtme dhe roli i tij do ta elevohej deri në njohjen e tij si një nga figurat më instrumentale të historisë. Personi i parë përgjegjës për krijimin e demokracisë siç e njohim sot. Mirëpo, suksesi i tij në trajtimin e pabarazisë mbetet një nga plagët e shumta që shënojnë trashëgiminë e tij.
Vjet, sot dhe mot po njësoj
Dy mijëvjeçarë e gjysmë më vonë, duket sikur nuk kemi mësuar asgjë nga përpjekjet e Solonit për të trajtuar pabarazinë e pasurisë.
Nuk është sekret që gjithçka rreth nesh është bërë gjithnjë e më e shtrenjtë kohët e fundit.
Në Tiranë dhe thuajse në të gjithë Shqipërinë, benzina dhe nafta tani janë pothuajse 170 lekë për litër. Jemi vendi me çmimin më të lartë të naftës në rajon. Kostoja e shportës ushqimore, transporti dhe qeraja janë 20 fishuar në vlerë.
Ky është inflacioni në aksion. Dhe jam e bindur se të gjithë e keni ndjerë këtë rritje të jashtëzakonshme të çmimeve.
Natyrisht, e gjithë kjo ka ardhur si rezultat i kovidit që mbërtheu planetin tonë pak më shumë se katër vjet më parë. Rezultati i drejtpërdrejtë i saj ishte printimi më i çmendur i parave që ka ndodhur ndonjëherë. Kjo u bë me arsyetimin për të lehtësuar stresin e një ekonomie të ngecur në vend numëro.
Print print print
Kushdo që e njeh stagnimin ekonomik e di edhe se sa herë printeri i parave të qeverisë bën brrrrrrr, stabilizimi i peisazhit ekonomik është vetëm i përkohësisht. Ndërkohë që sasi marramendëse parash pompohen në sistem, ose jepen për të majmuar llogaritë bankare të individëve nëpërmjet një pakete stimulimi, fluksi financiar është ai i duhuri.
Por kjo ishtë vetëm një fasho, si ajo që vendosi Soloni në Athinën e lashtë. Në mënyrë të pashmangshme, të gjitha paratë shtesë që janë futur në sistem çojnë drejt e në inflacion. Dhe për fatin e keq të mjeranëve si puna jonë, ata që shkruajnë rregullat e parave duket sikur nuk u intereson shumë kjo pjesë.
Kjerstin Braathen, për shembull, është drejtor i përgjithshëm i DNB ASA-s (grupi më i madh i shërbimeve financiare të Norvegjisë) foli dy vite më parë në takimin e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, për vështirësitë financiare që njerëzimit do i duhet të durojë gjatë viteve të ardhshme. Dy vjet kanë kaluar që atëhere dhe fjalët e saj akoma jehojnë të vërtetën e paraqitur prej saj.
Mirëpo, zonja foli se sfidat aktuale ekonomike dhe mungesat e energjisë do të krijojnë “presione inflacioniste” të mëtejshme dhe se dhimbja e inflacionit të lartë do të “ia vlejë” në afat të gjatë.
Megjithatë, ajo që zonja e nderuar nuk përmendi është se nuk do të vuajë ajo efektet e inflacionit sikur do të vuajë një person mesatar. Kjo sepse ajo sjell në shtëpi një pagë prej gati 9 milionë euro në vit, ndërsa zotëron dhjetëra pasuri të patundshme në vlerë prej miliona dollarësh.
Me pak fjalë, zonja është komplet e shkëputur nga realiteti i qindra mijëra njerëzve që jetojnë në këtë botë, dhe ajo nuk është e vetmja.
Shkëputja nga realiteti i atyre që diktojnë realitetin tonë
Liderët ekonomikë të planetit tonë jetojnë ashtu si shtresa e pasanikëve në Athinën e lashtë, në një realitet komplet tjetër. Problemi i pabarazisë së pasurisë mesa duket nuk përbën problem për ta.
Të dy udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë - Xhou Bajden dhe Xhastin Trudó - kanë fajësuar njerëzit dhe kompanitë më të pasura në shoqëri për faktin se kombet e tyre po përjetojnë një nivel athinas të pabarazisë së pasurisë. Sipas fjalëve të tyre, është "e padrejtë" që disa në shoqëri kanë grumbulluar para më shumë seç duhet, ndërsa lënë më pak për të gjithë të tjerët.
Sidoqoftë, në vend që të tregojnë gishtin, ata duhet t'i drejtojnë këto kritika drejt vetes. Fundja qeveritë janë rregullatore apo jo?
Për shumicën e të varfërve në shoqëri, pasuria e vetme që zotërojnë është paraja, një sasi e vogël e mbyllur si kursim diku në një llogari bankare, ose çfarëdo që u siguron paga. Dhe sa më shumë të përkeqësohet inflacioni, aq më shumë i heq vlerat këtyre kursimeve apo pagave, duke i bërë mallrat dhe shërbimet më të shtrenjta.
Për fat të keq ky është një nga kontrastet e forta me mënyrën se si i përjetojnë gjërat të pasurit. Për ta, inflacioni është kryesisht një dhuratë nga perëndia.
Ndërsa inflacioni rrit gradualisht koston e mallrave dhe shërbimeve, ai gjithashtu rrit vlerën e aktiveve të caktuara. Dhe duke qenë se shtresat e larta të shoqërisë sonë zotërojnë shumicën e aseteve – gjëra si toka, shtëpi, aksione, mallra, madje edhe koleksione të vlefshme si arti – rrjedhimisht edhe rritja e kërkesës dhe përfitimet prej tyre do të rriten.
Është pikërisht ajo që pësuan njerëzit e Athinës. Një lehtësim momental i një problemi, që përfundimisht çoi në zhytjen e mëtejshme të shumicës së shoqërisë në një gropë të madhe m*ti.
Letrën e merr era
Mirëpo, situata jonë moderne ka të ngjarë të jetë e pashpresë vetëm nëse mbështeteni tek paratë fizike.
Nëse inflacioni vazhdon të rritet – gjë që e dim të gjithë se po ndodh – mund të ketë ardhur momenti të shqyrtoni se ku dëshrioni të ruani dhe rritni pasurinë tuaj. Përfituesit më të dukshëm deri më tani kanë qenë pasuritë e paluajtshme, si dhe ushqimet dhe mallrat e energjisë si nafta, gazi natyror, gruri dhe kafeja. (po mund të investoni edhe në këto fusha).
Sigurisht, mund të mos jeni në gjendje të hidhni ca para në blerjen e një pronë tani. As unë nuk jam, por nuk ka asnjë justifikim për të mos pasur kapital për të vendosur një përqindje të të ardhurave tuaja në mallra të caktuara, të cilat blihen ose të tregtohen me shumë pak para. Blerja e arit dhe bitcoin do të ishte zgjidhja momentale më e përshtatshme. Megjithatë, vlen të shqyrtohen edhe të tjera.
Dhe sigurisht, koha më e mirë për të menduar për ta bërë këtë ishte ndoshta katër vjet më parë, kur shenjat e para të stuhisë së ardhshme ekonomike po shfaqeshin në fillim të vitit 2020. Por kjo nuk ka pse të na peshojë në ndërgjegjie. Teknikisht edhe blerja e pronave do ishte ideale në vitin 2008, por atëhere ishim ende fëmijë.
Nëse nuk keni më besim në kompetencën ekonomike të udhëheqësve tuaj, atëhere koha e duhur për ndryshim është tani.
Soloni nuk arriti të krijonte një të ardhme më të mirë për njerëzit e kohës së tij, por të paktën ju keni aftësinë për të krijuar një të ardhme më të mirë për veten tuaj.
Shkruar nga Flogerta D. Lesi
Themeluese e Juno Moneta
*Ky buletin shërben për qëllime edukative dhe nuk përbën këshillim financiar profesional. Ju lutemi bëni kërkimet tuaja.