Pritjani kokën!
Kokat u prenë për më pak se kaq, e megjithatë ne nuk jemi barbarë të presim koka apo jo?
Lakmia e Mbretit Luigji XVI nuk kishte të ngjarë, me përjashtim, ndoshta, të Luigjit XIV.
Oborri i tij mbretëror e konsumonte pasurinë e Francës me ritëm marramendës. Stafi familjar numëronte rreth katër mijë vetë, ndërsa truprojat personale ishin pothuajse dyfishi i kësaj shifre. Tridhjetë shërbëtorë ishin të punësuar vetëm për t’i shërbyer darkës së mbretit, nga të cilët katër kishin një detyrë të vetme: të siguroheshin që gota e tij e verës të mos mbetej kurrë bosh.
Shtatëdhjetë e pesë priftërinj e klerikë kujdeseshin për nevojat shpirtërore personale të tij, mbi njëqind muzikantë përbënin trupën private të argëtimit, pesëdhjetë mjekë merreshin me shëndetin e tij, ndërsa gati dyqind ndihmës kujdeseshin për veshjet e flokët dhe siguroheshin që sundimtari i tyre të lyhej gjithnjë si duhej me vajra e parfume të këndshme.
Edhe për një monark, këto ishin shpenzime të tepërta.
Dëshira e pangopur e Luigjit për kënaqësi, si dhe shpenzimi i fshehtë i parave të taksave për të mbështetur Perandorinë e Shenjtë Romake, do ta çonin ekonominë e kombit të tij drejt kaosit. Sigurisht, do të shkatërronin edhe mirëqenien e përgjithshme financiare të popullit francez.
Megjithatë, keqmenaxhimit të tij do t’i vinte fundi. Fati deshi që Luigji XVI të ishte mbreti i fundit i Francës. Pas plot një mijë vjetësh monarki në pushtet, atij iu pre koka gjatë Revolucionit Francez, në janar të vitit 1793, me akuzën për komplot me fuqi të huaja kundër kombit të tij.
“Pritjani kokën!” ishte thirrja që shoqëroi rrugëtimin e tij drejt gijotinës ku edhe dhe frymë për herë të fundit.

Monedha e re për një “Francë të Re”
Për fat të keq, dëmi i shkaktuar nga Luigji XVI në ekonominë e Francës kishte lënë gjurmë të thella. Në mungesë fondesh, qeveria e re franceze shtypi miliarda dollarë nga monedha e saj e re, për të mbledhur fonde.
Disa zyrtarë të qeverisë së sapoformuar (mes tyre Jacques Cazalès dhe Nicolas Bergasse) u përpoqën ta kundërshtonin këtë masë për arsye ekonomike, duke besuar se kjo do të shkaktonte vetëm zhvlerësim të konsiderueshëm të monedhës dhe shkatërrim fiskal në të ardhmen e afërt.
Por zërat e tyre ishin në pakicë dhe kundërshtimet e shpalosura u hodhën poshtë si të pabaza. Shumica ishte e bindur se parimet themelore të parasë nuk do të funksiononin për një komb të tërë, pasi pasuria e madhe tokësore e Francës do të ofronte siguri kundër çdo forme inflacioni.
Si gjithmonë, shumica e kishte gabim, sepse historia tregon gjithmonë se ligjet e parasë nuk ndryshojnë kurrë, pavarësisht kombit. Në fund të fundit, është matematikë, dhe matematika nuk përkulet përballë një kombi, duam apo nuk duam.
Si pasojë, vlera e monedhës ra ndjeshëm. Deri në gusht të po atij viti kur vdiq udhëheqësi i radhës, vlera e asinjatës (assignat) kishte rënë me gjashtëdhjetë për qind. Dy vjet më vonë, nëntëdhjetë e nëntë për qind e vlerës së saj kishte humbur fare.
Situata ishte e tmerrshme, por qeveria vazhdoi përpjekjet për ta bindur popullsinë se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar. Në të njëjtën kohë, e detyronte popullsinë të përdorte asinjatën, duke ndaluar shkëmbimin e saj me franga ari ose me mjete të tjera këmbimi.
Por dëmi ishte bërë tashmë. Duke e kuptuar se eksperimenti i saj monetar kishte dështuar, qeveria e re franceze, e braktisi asinjatën dhe krijoi në vend të saj një monedhë të re letre, të quajtur mandat. Ajo hyri në treg në shkurt të vitit 1796, ndërsa qeveria premtoi se këtë herë nuk do të kishte stres ekonomik.
Përsëri, qeveria gaboi.
Mandati pësoi një dështim po aq spektakolar. I shtyrë nga nevoja e madhe për fonde, shteti shtypi kaq shumë nga monedha e re, sa vetëm gjashtë muaj pas krijimit të saj vlera e tij ra përtokë.
Stabiliteti i Francës do të vinte më vonë vetëm fale ardhjes në pushtet të Napoleon Bonapartes (historinë e të cilit e njohim të gjithë).
Revolucioni Flamingo
Historia, siç e dimë të gjithë, e ka zakon të përsëritet.
Aktualisht, Shqipëria po përjeton atë që tashmë është emërtuar Revolucioni i Flamingos. Dhe njësoj si me mbretin Luigj XVI, për gati trembëdhjetë vite shqiptarët kanë duruar ndërkohë që kryeministri Edi Rama shpenzonte sa majtas e djathtas për të pasuruar miqtë dhe oligarkët e tij, për të ndërtuar kopshte të varura brenda godinës së kryeministrisë, dhe për një mori marrëzish të tjera, si rritja e pagës së një palo-presidenti të blerë apo një koncert i papërfillshëm i një artisti në shuarje si Kanie West (Kanye West).
Por duket se kupa u mbush.
Ashtu si me Luigjin XVI, kur u zbulua se gjatë gjithë këtyre viteve Edi Rama kishte hartuar plane për të “shitur” pjesë të vendit, ai është akuzuar me prova se ka “komplotuar” kundër kombit shqiptar dhe sot quhet prej shumëkujt “Tradhëtar i Kombit”.
Që nga tërheqja zvarrë e protestuesve në Zvërnec dhe deri te protesta para parlamentit më 30 qershor, pas plot 38 ditë proteste paqësore këtu dhe jashtë Shqipërisë me mbështetjen e diasporës, duket se qeveria shqiptare po numëron ditët e veta.
Ekonomia është aktualisht në paralizë dhe nuk publikon shifra rritjeje. Me pak fjalë, jemi në recesion, ndërkohë që përballemi me protestën më të madhe të 35 viteve të fundit.
Sipas qeverisë, kjo natyrisht nuk është e vërtetë. Protesta paraqitet si e pavlefshme dhe e parëndësishme, dhe mediat e afërta me kryeministrin si Top Channel, Klan TV apo Vizion + të gjitha me titullin e “investitorit strategjik” aprovojnë të njëjtën linjë.
Në një përpjekje të dukshme për të shmangur rrëzimin, qeveria Rama po punon ditë e natë: rrit në mënyrë fiktive pagat e administratës dhe pensionet e pensionistëve, votuesit më të mëdhenj të saj.
Po dhuron kredi shtëpie pa interes punonjësve të administratës; dhe nxiton të mbyllë çdo marrëveshje me partnerin e dytë më të rëndësishëm pas Amerikës, për tokat bujqësore, ngritjen e data center-ave dhe përmbushjen e planit të quajtur “Albanian Files”. Sipas qverisë, ekonomia mbetet “elastike” dhe vendi nuk ndodhet në asnjë krizë politiko-social-ekonomike.
Duke marrë parasysh që Shqipëria po përjeton inflacionin më të lartë në 35 vjet, 12.1 për qind dhe në rritje, është e vështirë të ndash optimizmin e Ramës nga besimi i tij se ekonomia shqiptare është e qëndrueshme.
Debati nëse Revolucioni i Flamingos meriton vërtet emrin “revolucion” është bërë aq i ngarkuar politikisht, sa Wikipedia u detyrua të bllokojë faqen përkatëse nga çdo redaktim i ri.
Kokat u prenë për më pak se kaq, e megjithatë ne nuk jemi barbarë të presim koka.
*Sa për ta sqaruar, nuk po sulmoj administratën aktuale të Shqipërisë vetëm si e tillë, edhe pse e di që është e mbushur me hallexhinj e patronazhistë njëkohësisht.
As nuk po kritikoj drejtpërdrejt udhëheqjen ekonomike të vendit, sepse për mua kjo nuk lidhet me parti të veçanta. Edhe sikur në pushtet të kishte vazhduar Sali Berisha, besoj se do të kishim përfunduar në një pozicion të ngjashëm.
Ky është në fakt një shembull tipik se si udhëheqësit politikë, pavarësisht ngjyrës, do të thonë çfarëdo u nevojitet, madje duke ridefinuar vetë kuptimin e fjalës “revolucion” në mes të një recesioni ekonomik, vetëm e vetëm për të shmangur fajin për një situatë që ekziston ndërkohë që janë në pushtet.
Dhe ashtu siç bëri edhe qeveria franceze gjatë revolucionit të vet, qeveritë e sotme do të vazhdojnë të përsërisin të njëjtat gabime financiare, duke na manipuluar mepropagandtë që ne të besojmë se asgjë nuk është gabim.
Atyre nuk u intereson as suksesi ekonomik i njerëzve, as e vërteta e as investimet strategjike në të mirë të vendit.
Në vend që të na japin lajmin e vështirë, se na pret një ngadalësim ekonomik dhe se duhet të bëjmë zgjedhje financiare për t’u përgatitur, na thonë thjesht se s’ka asgjë për t’u shqetësuar. Besoj se e bëjnë këtë vetëm për të shpëtuar lëkurën e tyre, në mënyrë që të mos marrin përsipër fajin për një situatë që vetë e kanë krijuar, përmes sasive marramendëse të parave të shtypura e shpenzuara këto vitet e fundit.
Me fjalë të tjera, jemi vetëm.
Edhe pse Shqipëria është një vend i vogël, mos u ndjeni rehat duke menduar se kriza jonë ekonomike do të mbetet e izoluar brenda kufijve tanë. Lidhjet e ngushta tregtare me Bashkimin Evropian, varësia nga remitancat e emigrantëve dhe ndjeshmëria ndaj çdo lëkundjeje rajonale nënkuptojnë se pasojat mund të jenë shumë më të gjera sesa duket në pamje të parë. Edhe vendet fqinje, ku ekonomitë kanë filluar të rriten përsëri pas vështirësive të fundit, nuk janë plotësisht jashtë rrezikut, ndoshta për disa vite të tjera.
Po çfarë mund të bëjmë ne atëhere? Secili për vete, Zoti për të gjithë?
Ka gjëra të thjeshta. Krijoni një buxhet, ulni kostot jo-thelbësore, kontaktoni bankën tuaj dhe përpiquni të merrni kushte më të mira për kreditë, ose negocioni faturat mujore të energjisë dhe telefonisë. Sa i përket pamjes së përgjithshme, ndoshta është koha e duhur për t’u siguruar që investimet tuaja të jenë sa më të diversifikuara, dhe që të mos i lini paratë e tepërta të humbasin vlerë pa kontroll nga inflacioni.
Bëni diçka, çfarëdo, përveçse të besoni verbërisht se gjërat nuk janë aq keq sa duken.
Sepse numrat nuk gënjejnë. As historia nuk gënjen.
Ekonomikisht, bota ndodhet në një gjendje të vështirë, dhe secili prej nesh duhet të ndërmarrë veprime për t’u përgatitur e për të pritur stuhinë. Por udhëheqësit tanë nuk do t’jua thonë këtë, sepse ta pranonin do të thoshte të merrnin përsipër fajin për diçka që e kanë shkaktuar vet.
E ndërsa përgatiteni për më të keqen e mundshme vazhdoni të dilni në shesh e të protestoni paqësisht, duke kërkuar të drejtat tuaja derisa të vij edhe për ne një pushtetar që i do të mirën e Shqipërisë së Re.
Pyetja ime e vetme është: Cfarë do ndodhi me ekonominë e Shqipërisë post Revolucionit Flamingo?
Shkruar nga Flogerta Lesi
Themeluese e Juno Moneta

