Pak më shumë se 3200 vjet më parë, Mesdheu dhe tokat në lindje të tij ishin shtëpia e një grupi të larmishëm qytetërimesh të mëdha.
Zona ishte një vatër kulturash të ndërlidhura, të cilat në epokën e bronzit të historisë lulëzuan për shkak të tregtisë.
Detarët e Minoas eksportonin disa nga verërat dhe vajrat më të mira të ullirit të rajonit tek fqinjët e tyre, si dhe qeramikën më luksoze që kishte parë ndonjëherë bota. Qeramika me mjeshtëri të shkëlqyer tregtohej gjerësisht, tek ata të pakët që mund të përballonin çmimin e tyre marramendës.
Tokat e Hititëve ishin të pasura me argjend, bakër dhe hekur, të cilat ata i tregtonin për bizhuteri dhe tekstile me popullin e Mesopotamisë. Kryesisht në shkëmbim të lëndëve drusore të vlefshme që u dërgohej prej fenikasve.
Ndërsa larg në lindje, mbi lumin Eufrat, shtrihej qyteti i Babilonisë. Në atë kohë ky vend ishte epiqendra e tregtisë botëroe dhe një vend që njihej si qyteti më i pasur që ka ekzistuar ndonjëherë.
Ishte një kohë e prosperitetit të madh dhe zhvillimit. Dhe dukej sikur kishte një horizont të pa fund.
Megjithatë, fundi erdhi, ashtu sikurse i vjen cdo epoke të lavdishme. Dhe do të vinte menjëherë për pothuajse të gjitha perandoritë e epokës së bronzit.
Mjafton vetëm një shkëndijë që të shkrumbojë gjithcka
Gjatë një harku prej pesëdhjetë vjetësh, një zinxhir i pandalshëm katastrofash natyrore do të fshinte nga faqja e Tokës shumë prej këtyre kulturave madhështore. Duke e zhytur botën në një epokë të errët lufte dhe konfliktesh.
Një thatësirë historike me përmasa të paregjistruara ndonjëherë shkatërroi tokat pjellore gjerë e gjatë, duke i kthyer kombet që rrethonin Mesdheun në një mal pluhuri. Kjo thatësi shkaktoi që ujërat e Detit të Vdekur të binin nën pesëdhjetë metra.
Vendbanimet bregdetare u shkatërruan nga një grup pushtuesish misterioz të regjistruar në librat e historisë vetëm me emrin si "Populli i detit", që copëtuan kombe dhe shkrrumbuan qytete deri në rrëzë.
Sulmet morën përpara qytetin e Meggidos të Canaanites, si dhe Hattus-ën, kryeqytetin e perandorisë Hittites.
Dhe në vitin 1159, në një ishull të ngrirë që nuk do të zbulohej nga njerëzit edhe për dy mijë vjet të tjera, një vullkan i quajtur Hekla shpërtheu. Rezultati i kësaj katastrofave natyrore ishte uria dhe mjerimi, shkaktuar pikërisht nga dimri global vullkanik.
Mungesa e ushqimit, pushtuesit e huaj, uria, fatkeqësitë gjeologjike dhe shumë më tepër e gjunjëzuan njerëzimin. Asnjëherë në historinë e regjistruar të njerëzimit nuk kishte ndodhur që një grup perandorish të goditeshin nga kaq shumë fatkeqësi njëra pas tjetrës.
Rezultati ishte fundi i epokës së bronzit dhe shkatërrimin përfundimtar i shumë kulturave që bota nuk do t’i shihte më kurrë.
Po sikur sot, të vinte një tjetër stuhi e ngjashme katastrofash?
Mesa duket, ka mundësi të ndodhë diçka e ngjashme. Vetëm se këtë herë, këto katastrofa mund të vijnë me rënien e dollarit amerikan.
A është dollari amerikan në prag të shuarjes?
Për shumë njerëz që lexojnë këtë buletin, ndoshta gjëja e parë që mund të mendojnë ështëi "E kujt i plasi?”. Eshtë normale të mendoni kështu, sidomos nëse nuk fitoni ose shkëmbeni dollarë amerikanë. Fundja, pse duhet t’ju ndikoj kjo ngjarje kur nuk keni të bëni fare me Amerikën?
Gabim.
Një pjesë e madhe e botës sonë ka interes të lartë që dollari amerikan të mbetet një mjet i sigurt këmbimi. Dhe nëse kjo ndryshon papritur, cilësia e jetës që shumë prej nesh gëzojnë ka gjasa të thërrmohet si kështjellë rëre.
Për shembull, shumë nga kombet tona mbajnë aktive dollarin amerikan, tregtojnë shumë me paratë e Shteteve të Bashkuara ose kanë borxhe në këtë monedhë. Do të thotë se një zhvlerësim i dollarit të plotfuqishëm mund të nënkuptojë pasoja negative ekonomike për vendin tuaj në tërësi, pavarësisht se ku jetoni në botë.
Nëse jeni një pronar biznesi që tregton ndërkombëtarisht, një individ që blen shumë prej mallrave të tua në internet nga SHBA, ose dikush që mbështetet tek kompanitë ose furnitorët amerikanë pjesërisht për të siguruar jetesën tuaj, rënia e dollarit amerikan mund t'ju godasë, dhe shumë madje.
Dihet se njerëzit që jetojnë në Shtetet e Bashkuara janë ata që do të goditen më keq nga të gjithë.
Kam disa kohë që e prek këtë temë dhe më duket se ka shumë shenja që tregojnë se ky lloj kolapsi mund të vijë shumë shpejt.
Shenja si sasia e çmendur e printimit të parave që qeveria amerikane ka kryer gjatë viteve të fundit, që kur COVID goditi botën.
Se sa shumë ka printuar saktësisht nuk dihet, megjithëse sipas disa vlerësimeve, ka mundësi që mbi 80% e të gjithë dollarëve amerikanë që kanë ekzistuar ndonjëherë të jenë krijuar që nga fillimi i vitit 2020.
Nëse keni menduar se pse inflacioni ka arritur majat kohët e fundit, kjo është jetë një nga arsyet. Sepse këto printime të pakontrolluara kanë sjellë zhvlerësim të frikshëm të monedhës.
Një shenjë tjetër që paralajmëron kolapsin e dollarit është fakti që dollari amerikan ka humbur rreth 97% të fuqisë totale blerëse gjatë shekullit të kaluar. Vetëm kjo është problem mjaftueshëm serioz që duhet të shqetësoj këdo që ka ndonjë lidhje me këtë monedhë.
Dhe qershia mbi tortë - e potencialisht shenja më e frikshme e rrënimit të dollarit amerikan - është lajmi se Arabia Saudite po konsideron të pranojë pagesa për naftën me monedhën kineze Yuan.
Në rast se nuk e dini, pothuajse e gjithë tregtia e naftës në botë aktualisht kryhet në dollarë amerikanë, fakt i padiskutueshëm për gati gjysmë shekullin e fundit të historisë. E gjitha filloi pasi u arrit një marrëveshje midis Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite në vitet 1970, në një përpjekje për të stabilizuar çmimet botërore të naftës.
Nëse Arabia Saudite lejon PKK-në të fillojë të blejë naftë në Yuan, ky do të ishte një sinjal për pjesën tjetër të botës se dollari e ka humbur vendin e tij si standardi global për tregtimin e naftës. Që për mendimin tim, do të fillonte një reaksion zinxhir të kombeve të tjera prodhuese të naftës për të ndaluar detyrimin e përdorimit të petrodollar-it si monedhë tregtuese.
Nëse kjo ndodh, atëhere monedha rezervë e botës sonë moderne do të humbiste fuqinë e saj.
Më e pakta që kjo gjë mund të sjell është zhvlerësimi i shpejtë i dollarit amerikan. Dhe më e shumta, ndoshta mund të rezultojë në seri ngjarjes domino që mund të sjellin shembjen e plotë të ekonomisë.
E di se nuk ju intereson shumë politika dhe historia. Arsyeja pse lexoni këtë buletin është komplet tjetër. Pyetja që ju rremih kokën është çfarë të bëjë unë si një person tipik për të mbrojtur veten nga kjo gjë?
Për mua, diversifikimi është çelësi.
Të kesh të gjitha kursimet në dollarë amerikanë, ose në asete të ruajtura tek Shtetet e Bashkuara, është një ide po aq e keqe sa të hash makarona me peshk ton të skaduar.
Nëse dollari amerikan bie, njerëzit do të nxitojnë drejt monedhave të tjera më të qëndrueshme, gjë që ka të ngjarë të rezultojë në rritjen e vlerës së tyre. E para prej të cilave ka mundësi të jetë euro, pasi aktualisht është monedha e dytë më e tregtuar në planet.
Mua në fakt më pëlqen ideja e diversifikimit të kursimeve të mia mbi të paktën tre monedha historikisht të qëndrueshme. Idealisht, të ruhen në llogari bankare në shumë vende (jo vetëm në Shqipëri - megjithatë, këtë do më duhet pak kohë ta realizoj).
Pse jo, mund të shikoni si alternativë ruajtjen e kursimeve tuaja në monedhën e Yuan-it kinez. Vetëm biseda e bërë për pranimin e Yuan-it si monedhë tregtimi për blerjen e naftës bëri që vlera t’i rritet menjëherë. Gjë që mund të komplikohet vetëm nëse - ose më shumë gjasa kur— Arabia Saudite lejon që ajo të përdoret për të tregtuar naftë.
Cfarë mund të bëni tjetër për tu mbrojtur?
E di që e kam përmendur shpesh herë, por nuk do rresht së përmenduri faktin se ruajtja e kursimeve tuaj në metale të çmuara si ari dhe argjendi janë zgjedhja më e mirë, kur bëhet fjalë për sigurimin e kursimeve dhe pasurisë së dikujt.
Nuk ka rëndësi nëse dollari do të bjerë nesër, apo nëse do të ketë pasoja tek vendet e tjera, fakti që të gjitha vendet njohin vlerën e metaleve si ari dhe argjendi do të thotë që gjithmonë do të jeni në gjendje t'i konvertoni ato në një monedhë që ka ende vlerë.
Ose edhe thjesht, për të qenë në gjendje të tregtoni metalet tuaja drejtpërdrejt për artikujt që ju nevojiten.
Nga ana tjetër nuk është një ide e mirë t'i vendosni të gjitha vezët tuaja në një shportë.
Kështu që sot kam sjellë disa propozime se ku mund të blini arin në Shqipëri dhe në Kosovë.
*Në Shqipëri bankat e vetme që mundësojnë blerjen e arit janë banka Credins dhe FiBank. Preference ime personale anon më tepër nga Credins, por edhe FiBank është super alternativë.
*Sa për aplikacionet ku mund të bëhet blerja e arit për ju që ndodheni jashtë Shqipërisë kam propozuar edhe hërë të tjera Avenue Gold. Dhe një tjetër aplikacion që e kam zbuluar së fundmi dhe që ka besueshëmri të lartë (ju lutem bëni kërkimet tuaja si gjithmonë) është Kinesis Money.
Dhe këshilla e fundit, në rastin e një kolapsi masiv, një mënyrë e mirë do të ishte ruajtja e një pjesë të metalit tuaj të çmuar afër (mundësisht në kasafortën e shtëpisë nëse keni një të tillë).
Megjithatë, nga gjithcka që fola, fjala që duhet të mbani në mend është diversifikimi.
Diversifikoni pasuritë tuaja duke i mbajtur ato në disa vende. Diversifikoni kursimet tuaja në monedha të ndryshme. Diversifikoni mënyrën se si e ruani pasurinë tuaj, në gjëra të tilla si ari, kriptovalutat ose mallra të tjera.
Diversifikoni, diversifikoni, diversifikoni.
Nëse e bëni këtë gjë mirë, do arrini nga dita në ditë të bëheni më të paprekshëm financiarisht.
Sepse, pavarësisht se çfarë ndodh me dollarin amerikan, me kombin tuaj ose me tregjet botërore, çdo pasojë negative do të godasë vetëm një pjesë të vogël të asaj që zotëroni.
Jo gjithçka.
Diversifikoni!
Shkruar nga Flogerta D. Lesi
Themeluese e Juno Moneta
*Ky buletin shërben për qëllime edukative dhe nuk përbën këshillim financiar profesional. Ju lutemi bëni kërkimet tuaja dhe merrni parasysh rreziqet që lidhen me investimin ose blerjen e metaleve të çmuara.