Kjo është një pyetje që ma kanë drejtuar disa herë dhe përgjigjia e parë që u jap kur më pyesin është:
"Cfarë qëllimi do të arrish me kursimet e tua dhe për sa kohë do të kursesh"?
Kjo është një pyetje serioze, sepse në varësi të përgjigjes ekzistojnë tre afate kohore që duhet të keni parasysh:
Më pak se 1 vit
Këto lloj kursimesh afatshkurtra mund t’ju shërbejnë për pushimet e verës në bregdet apo mal, për blerje dhuratash e ditëlindje ose të paguani ndonjë kredi apo borxh.
Më pak se 1 dekadë
Nëse keni plan të kurseni për një kohë të gjatë, këto janë ato lloj kursimesh që mund t’i përdorni për të blerë elektroshtëpiake, makinë, për të shmangur emergjenca të caktuara ose edhe si pagesë fillestare për blerjen e një apartamenti.
Pleqëria
Dalja në pension është qëllimi përfundimtar i kursimeve afatgjatë, sidomos për një cift. Nuk mund të mbështeteni vetëm tek pensioni i dhënë nga shteti.
Tani kthehemi tek pyetja fillestare: Sa duhet të kurseni në muaj? Nisur nga qëllimet dhe koha specifike që ju përmenda më lartë le t’i zbërthejmë një nga një.

1. Pensioni
A e dini se sa ju duhet të kurseni për të dalë në pension? Gati 10 - 15% të të ardhurave tuaja. Po, aq keq është puna, por ka një zgjidhje. Nëse jeni në punë, punëdhënësi juaj paguan një pjesë e cila do të shkoj në shtet dhe do t’ju kthehet në pension. Kini parasysh taksimin që paguan punëdhënësi, në rast se nuk e dini pyeteni direkt. Pastaj, shtoni një 5% nga vetja juaj cdo muaj duke e ruajtur si kursim afatgjatë.
Shiko se si mund ta bëni. Kursimi për pensionin nuk duhet t’ju vras xhepin në asnjë mënyrë. Akumuloni një shumë të caktuar, mbylleni në një high yield account e cila ju kthen mbrapsht deri në 5% të vlerës cdo vit. Mblidhni sërish atë që shtuat dhe vendosenii tek high yield account sërish dhe vazhdoni të veproni në këtë mënyrë derisa të dilni në pension.
2. Fondi i emergjencës
Fondi i emergjencave është fondi kyc dhe duhet të mbulojë 3-9 muaj të shpenzimeve tuaja sipas stilit të jetës që bëni.
Si mund të kurseni një shumë kaq të madhe? Së pari, llogarisni koston mujore të jetesës. E zëm se do humbni punën tuaj, sikur më ndodhi mua, hiqni të gjitha shpenzimet e panevojshme. Sa ju duhet për të mbijetuar?
Ndani këtë numër përgjysmë. A mund ta kurseni këtë muaj? Nëse po, do të ndërtoni një fond emergjence gjashtëmujore brenda vitit të ardhshëm.
3. Tjetër
Bëni një listë të shpenzimeve të mëdha brenda dekadës së ardhshme, duke filluar nga zëvendësimi i elektroshtëpiakeve ose zhvendosjes në një shtëpi të re me qera deri tek pushimet verore apo paratë për kopështin/shkollën e fëmijës suaj. Krijoni një dokument me kategori të ndara dhe shkruani objektivin tuaj të kursimitsi dhe afatin.
Pjestoni me numrin e muajve të mbetur për të parë se sa duhet të kurseni. Për shembull nëse dëshironi të paguani para në dorë për një makinë 10,000 euro në pesë vjet? Do t'ju duhen pak a shumë 167 euro në muaj.
Ndërsa bëni këto llogari, ndoshta do të kuptoni se nuk mund të kurseni mjaftueshëm për çdo qëllim kursimi në listën tuaj. Tani keni katër opsione:
Rivlerësoni qëllimet e kursimeve
Zgjatni afatin tuaj kohor
Ulni shpenzimet aktuale
Fitoni më shumë
Shumica e njerëzve zgjedhin një kombinim të këtyre katër zgjedhjeve. Për shembull, idealisht mund të vendosni se nuk keni pse të blini një makinë 10,000 euro, kur një 5000 euroshe mund t’ju bëj pune. Mos paguani më kabllor, ose përdorni telefon të përbashkët familjar që të mos paguani 10-15 euro për faturë mujore me telefonat që keni.
Me pak fjalë, përpiquni të eleminoni shpenzime të panevojshme kudo që të jetë e mundur.
Sa duhet të kursej cdo muaj?
A dëshironi një përgjigje më të thjeshtë? Bukuri. Besoj e mbani mend në një nga buletinet e mëparshme kur fola për buxhetin se rreguli 50/30/20 është një rregull mjaft i mirë për të kursyer.Me pak fjalë kurseni të paktën 20% e të ardhurave tuaja. Më shumë është mirë; më pak do nënkupton kursim më të afatgjatë.
Dhe ashtu sikur e kam shpjeguar, një tjetër 50% (maksimumi) duhet të shkojë për nevojat, ndërsa 30% për artikujt shtesë.
E di dhe e mirëkuptoj që është e vështirë, por gjithcka që ju duhet është vullneti dhe përpjekja e vazhdueshme për të ndërtuar një rrjet sigurie për ju dhe familjen tuaj. Në këtë rast jam pranë jush dhe do t’ju mbështes me gjithcka që mundem. Qofshin këto informacione përmes buletinit, pdf, metoda kursimi dhe strategji për krijimin e fondit të emergjencës apo edhe konsultave një me një se si ta bëni dicka të tillë.
Gjithmonë, mund të më gjeni në LinkedIn dhe të më kontaktoni direkt. Ose të më dërgoni një email tek flogertadriza@gmail.com
Nëse kjo është hera e parë që lexoni buletinin tim, faleminderit dhe mirë se erdhe. Nëse është hera e fundit që lexon, sepse nuk ke më interes nuk ka asnjë problem. Secili ndodhet këtu për një synim të caktuar dhe nëse synimet tona bashkangjiten atëhere jemi në sinergji.
Rilexohemi sërish në buletinin e radhës me një tjetër postim për strategji kursimi dhe investimi.
Shkruar nga Flogerta D. Lesi
Themeluese e Juno Moneta
Këtu keni një kalkulator që mund t’ju ndihmoj me përllogaritjen e parave që do t’ju duhen për të vendosur disa mënjanë ose për të krijuar strategjinë e duhur të kursimeve. Shpresoj t’ju hyj në punë -> Kalkulator
Nje sugjerim tjeter per ata qe kan rroga te larta dhe arrijn te kursejn me shum:
-Bli shpin e par sa me shpejt (cash)
-Bli shpin e dyt dhe jepe me qera
Pensionin e ke nxhep tashme cdo muaj, perllogaritje nese shpia esht ne tr ( 350minimumi x 12 muaj) = 4.2mili nvit