Pothuajse tre mijë vjet më parë, brenda kufijve të një punishteje të vogël me tulla balte, një metalpunues punonte pa u lodhur.
Me dredhëzat e tymit të temjanit që vërshonin ajrin dhe nën shkëlqimin vezullues të fenerëve të ndezur, artizani dhe nxënësi i tij punuan gjatë deri në mbrëmje mbi një copë metali të shndritshëm që kishte një rëndësi të jashtëzakonshme për popullin e tij.
Detyra ishte e një rëndësie të madhe sepse iu ngarkua nga një qenie hyjnore; një njeri të cilin njerëzit e vendit të tij e konsideronin jo vetëm si sundimtarin e tyre, por edhe si perëndi të gjallë.
Emri i këtij personi hyjnor ishte Heqakheperre Setepenre Shoshenq II (më ndjeni nëse nuk ia shqiptoj emrin në kllapa, sepse thjesht është gjuhë e vdekur) - një emër që në egjiptianishten e lashtë nënkuptonte "i zgjedhuri i Ra-së". Shoshenq-u II ishte faraoni i tretë i dinastisë së njëzet e dytë të Egjiptit, i cili në vitin 886 p.e.s., kishte sunduar mbi mbretërinë e tij për vetëm një vit.

Faraoni kishte urdhëruar metalpunuesin të krijonte një statujë të Amun-Ra-së; një zot i formuar nga diada e Amun-it, krijuesi i universit, dhe dielli, (ai që u krijua nga dielli dhe përgjegjës për krijimin e dritës).
Për shkak të rëndësisë se statujës, faraoni e urdhëroi artizanin të krijonte figurën me metalin e shenjtë që egjiptianët e quanin nbu, ose nebu (prej qiellit).
Në Egjipt, nebu besohej të ishte i pathyeshëm, i përjetshëm dhe me origjinë qiellore.
Thuhej se Ra ishte i përbërë nga nebu, i cili ishte pikërisht elementi që ka prodhuar shkëlqimin e artë të diellit. Dhe të gjithë perënditë e Ennead-it të madh të Egjiptit - duke përfshirë Osiris-in, Isis-in, Neftis-in, Set-in, dhe ndonjëherë Horus-in - besoheshin se ishte të mbështjellë me nebu, duke i dhënë kështu lëndës emrin "mishi i perëndive". Ose sikurse e quajta unë “sarka e artë e perëndive.”
Për Shoshenqin II dhe për popullin e tij, nebu ishte i shenjtë. Dhe si pothuajse të gjithë faraonët paraardhës, edhe ai do ta merrte me vete këtë metal në varr.
Vdekja vjen për të gjithë: Edhe për një mbret-zot
Më pak se një vit pas urdhërit të krijimit të statujës së Nebu-së, Shoshenq II ndërroi jetë për shkak të një goditjeje septike - rezultat i një plage traumatike në kokë. Dhe sipas traditave të trashëguara nga populli i tij për gati një mijë vjet, ai u varros me fytyrën e mbuluar nga një maskë e madhe vdekjeje e përbërë nga lënda e shenjtë e nebu-së. Krahas me trupin e faranoit-zot u varros edhe statuja që kishte porositur pak kohë më parë.
Historia nuk e mban mend emrin e metalpunuesit që krijoi statujën që shoqëroi faraonin në jetën e përtejme. Por puna e tij i ka mbijetuar kohërave - idhulli i nebu-së mund të gjendet pothuajse dhjetë mijë kilometra larg vendit ku është bërë, aktualisht i ekspozuar në Manhattan në Muzeun Metropolitan të Artit.
Sot, ne nuk e quajmë më nebu metalin e shenjtë të Egjiptit. Në vend të kësaj, ne e njohim atë si AR.
Dhe për herë të parë në më shumë se gjysmë shekulli, vlera e arit po ngrihet sërish në pozicionimin e tij ekonomik, tek një vend shumë më shumë në veri të Egjiptit të lashtë.
Ari zvendëson letrën me qindfishin e vlerës
Që nga pushtimi i Ukrainës, Rusia ka qenë objektivi i disa prej sanksioneve ekonomike më të rënda që janë bërë ndonjëherë ndaj një vendi.
Kufizimet e monedhës, ndalimi i eksporteve të naftës dhe gazit, dalja e qindra vendeve shumëkombëshe nga tregu rus, si dhe sekuestrimi i miliarda dollarëve në asete personale nga oligarkët, familjet dhe miqtë e tyre.
Sa për ta sqaruar, unë personalisht nuk besoj se sanksionimi i qytetarëve individualë të Rusisë është një ide e mirë, veçanërisht ndaj atyre që nuk ka prova se kanë lidhje me luftën e Putinit. Sa për oligarkët, epo, mirë t’u bëhet.
Mendoj se kjo përbën një precedent të tmerrshëm ndaj njerëzve të pafajshëm. Madje, mund të jetë fillimi i një metode dredharake për legjitimimin e sekuestrimit të pronës personale të dikujt për cilëndo arsye arbitrare që vendos një qeveri.
Por, pavarësisht mendimit tim, i devijohem pak kësaj teme.
Sanksionet e vendosura ndaj Rusisë deri më tani kanë rezultuar në një zhvlerësim serioz të rublës. Vetëm një javë pas pushtimit të Ukrainës, mbi 20% e vlerës së rublës u fshi dhe vetëm një vit më parë (pra 2023-it) arriti të humbasë edhe 50% të vlerës së mbetur.
Rubla gati preku fundin
Sot, ndërsa po shkruaj këtë, rubla në të vërtetë është më e vlefshme se sa ishte para fillimit të luftës në Ukrainë. Madje, po vazhdon me një trend rritës, duke u forcuar pavarësisht nga parashikimet e të gjithëve për të kundërtën.
A po rritet rubla për shkak të lehtësimit të sanksioneve? Jo. Në fakt, ato vetëm sa po shtohen duke dëmtuar jo vetëm Rusinë, por gjithë klasën e mesme të vendeve evropiane.
Po si është e mundur që rubla po forcohet? Përgjigja është vetëm një, ARI.
Megjithëse ari është përdorur si mjet këmbimi për mijëra vjet, për gati gjysmë shekullin e fundit të historisë njerëzore, ne kemi shmangur përdorimin e tij. Tashmë, përdorim paratë prej letre, vlera e të cilave ndryshon cdo vit duke humbur mesatarisht 3%. Ka raste kur humb edhe 11.9% të vlerës së vet sikur ndodhi me inflacionin e vitit 2022.
Dollari amerikan ishte monedha e fundit globale që lidhte stabilitetin e vlerës së saj me arin. Por, që kur Nixon mori presidencën, duke hequr standardin e përdorimit të arit në vitin 1971, asnjë komb që ka marëdhënie të drejtpërdrejtë me Amerikën, nuk ka më lidhje me metalin e çmuar të verdhë.
Këtë fakt e ndryshoi Rusia dy vjet më parë, për një periudhë shumë të shkurtër.
Për të luftuar sanksionet brutale që u vendoson mbi kombin e tyre, Rusia miratoi masa për të frenuar gjakderdhjen e saj financiare. Një nga masat që ajo ndërmori ishte lidhja e vlerës së rublës me arin, duke u bërë kështu vendi i parë në më shumë se pesëdhjetë vjet që lidh monedhën vendase me çmimin e arit. Gjithcka nisi me blerjen e arit me një çmim fiks për gram nga bankat vendase.
Rusia krijoi kështu një standard të ri për arin
Dhe funksionoi. Monedha është stabilizuar dhe rubla vazdhon të rritet edhe sot.
Megjithatë, ari nuk është arsyeja e vetme për korrigjimin e vlerës së rublës. Ky sukses i dedikohet pjesërisht edhe rritjes së çmimeve të naftës dhe gazit, që Rusia po përfiton haptasi duke u hakmarrur drejtpërdrejt ndaj BE-së, si dhe faktit që qytetarëve rusë u ndalohet shpërdorimi i monedhës.
Megjithatë, ari luajti një rol të madh.
Çështja është se masat e Rusisë për të zbatuar një standard të arit nuk zgjatën shumë. Në fakt, lëvizja u deklarua haptasi se ishtë vetëm e përkohshme, dhe zgjati deri më 30 qershor të vitit 2022.
Nëse pyet veten se cdo të ndodhte nëse Putini do vazhdonte të ruante standartin e arit lidhur me monedhën vëndase edhe sot (ndërkohë që lufta vazhdon), le të themi që nuk do ishte një lajm i mirë për ekonomimë ruse.
Ajo që do ndodhtë do ishte se të gjithë ata që kanë rubla në posedim do të përpiqeshin menjëherë t'i shkëmbenin ato me ar përpara se Putini t’i thërriste medjes ose përpara se Rusisë t'i mbaronte ari. Ndaj dhe Rusia u tregua e shpejtë dhe e saktë me masat e saj.
Çfarë duhet të merrni nga e gjitha kjo që sapo ju shkruajta?
Që nga lansimi i këtij buletini, ju kam treguar se si, në rastin e një skenari të ardhshëm të një krizë të rëndë ekonomike (si ajo që parashikohet për fillim vitin e 2025-ës), ari do të jetë edhe një herë mjeti i vetëm i qëndrueshëm për shkëmbim. Thjesht sepse kjo sarkë e artë ka qenë një formë e besuar e tregtisë për mijëra vjet. Të gjithë pajtohen me vlerën e paçmueshme të tij.
Megjithatë, Rusia nuk është arsyeja e vetme se pse duhet t'i kushtojmë vëmendje arit. Ne po shohim një rritje masive në çmimet e banesave, shuma historike të borxhit, inflacioni i shfrenuar, zhvlerësimi i dollarit dhe i euros, mungesa e mundshme globale ushqimore dhe një mungesë e përgjithshme e besimit në monedhat prej letre.
Nëse historia na ka dëshmuar diçka është se këto janë të gjitha shenja që tregojnë mundësinë së shumë shpejt do të goditemi nga një formë e rëndë e recesionit ekonomik. Dhe ka të ngjarë të jetë më tepër një çështje kohe, se sa një çështje po apo jo.
Kur ky recesion të godasë, njerëzit do t’i kthehen gjithnjë e më shumë floririt.
Këtë po e shohim të ndodhë mu përpara syve tanë. Që nga fillimi i krizës Rusi-Ukrainë, çmimi i arit është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Në fakt, vetëm pak javë më parë ai tejkaloi 81,109$ për kilogram (ose 81.1$ për gram), duke thyer kështu rekordin e tij të të gjitha kohërave.
A po i kushtoni vëmendje shenjave?
Jam e bindur se nëse kujdeseni pak për sigurinë tuaj financiare, është koha që të filloni blerjen ose mbajtjen e metaleve të çmuara tani. Idealisht, në formën e dyshes së pandarë, arit dhe argjendit, të testuara prej kohësh për vlerën e tyre.
Nëse nuk keni filluar akoma, lajmi i mirë është se nuk është e vështirë për ta bërë.
Shkoni në dyqanin tuaj lokal të monedhave dhe blini disa monedha ari. Investoni një përqindje të pagës suaj mujore në metale, në vend që ta mbani në para. Ka plot mënyra që e bëjnë të lehtë blerjen dhe shitjen e metaleve të çmuara sipas nevojës.
Çfarëdolloj gjëje që vendosni të bëni, nuk ka kohë më të mirë se e tashmja.
Për egjiptianët e lashtë, ari ishte i shenjtë. Ndoshta nuk do t'ju dhurojë të njëjtin sarkë (mish) me ngjyrë të artë që zbukuronte perënditë që ata adhuronin, por do t'ju japë një farë armature ekonomike që mund t'ju ndihmojë në përballimin e çdo krize valutore që ju del përpara.
Bëhu zoti i artë i vetes tënde!
Shkruar nga Flogerta D.Lesi
Themeluese e Juno Moneta
P.S. – E kam përmendur edhe më parë këtë gjë, megjithatë nëse je banor evropian dhe po kërkoni një shërbim të sigurt për të ruajtur metalet e tua të çmuara, personalisht rekomandoj Avenue Gold.
*Si gjithmonë, nuk jam e sponsorizuar nga asnjë prej kompanive apo aplikacioneve që sugjeroj. Ju ftoj të bëni kërkimet tuaja.
Ky buletin shërben për qëllime edukative dhe nuk përbën këshillim financiar profesional. Ju lutemi bëni kërkimet tuaja dhe merrni parasysh rreziqet që lidhen me investimin ose blerjen e metaleve të çmuara.