Si fitohen paratë kur investoni në bursë?
Në fund të buletinit kam dy sugjerime për ju. Një konsulente financiare me eksperiencë gati 15 vjeçare dhe një aplikacion i cili shërben për trasferta ndërkombëtare parash.
Në këtë pikë të rrugëtimit tuaj financiar, besoj se e dini tashmë se investimi është një nga mënyrat më të mira për të ndërtuar pasuri – *sidomos* nëse keni plane afat-gjata.
Fatkeqësisht shumica e konsulentëve të financave personale e mbyllin këtu bisedën. Ju ka rastisur të dëgjoni shpesh deklarata si - "tregu rritet mesatarisht me 7% çdo vit!" ose "compound interest (interesi i përbërë) është miku juaj më i mirë" ose "shiko me vëmendje dividentët!" - buzëqeshni apo tundni kokën sikur keni kuptuar se për cfarë bëhet fjalë. Për t’mos u dukur keq injoroni zërin e panikut në kokën tuaj që ju thotë, "Ç’kuptim kanë këto dreq shprehje?"
Nëse nuk keni filluar akoma të investoni sepse keni frikë, ankth, ndiheni sikur nuk jeni mjaftueshëm të përgatitur financiarisht, ose thjesht nuk jeni të sigurt nga t’ia nisni atëhere ky buletin është për ju.
Sot, ne do shqyrtojmë se si shtohen paratë tuaja në tregun e bursës, çfarë të kërkoni ndërsa analizoni portofolin tuaj dhe disa baza mbi mënyrat e ndryshme se si fitohen para nga investimi.

Nuk jeni të sigurt nëse jeni gati të filloni të investoni? Përgjigjuni këtyre 2 pyetjeve:
Keni një fond emergjence prej 3-6 muajsh?
A e keni shlyer borxhet tuaja me interes të lartë (dmth, diçka mbi 7%)?
Nëse i jeni përgjigjur po të dyjave, mund të ketë ardhur koha për të filluar investimin! Edhe nëse nuk e keni bërë, lexoni më tej – edukimi financiar është jetësor dhe të kuptuarit se si funksionon investimi është tepër e rëndësishme.
Ka disa mënyra se si njerëzit që investojnë në bursë "bëjnë" para në këtë lloj tregie.
Vlerësimi
Vlerësimi ndodh kur blini një aksion ose një fond dhe vlera rritet, që do të thotë se çmimi i aksionit ose fondit që zotëroni është rritur.
Nëse doni të tërhiqni fitimet nga stoku, duhet të shisni aksionet që keni blerë për ta bërë këtë. Mos harroni se mund të ketë implikime tatimore për shitjen e tyre. Shteti mban gjithnjë një pjesë vet, edhe kur shisni aksione.
Nga ana tjetër, nëse një aksion ose fond po funksionon dobët, nuk po “humbni para” deri në momentin që e shisni (përveçse kur kompania del jashtë biznesit). Pasi të keni shitur, do të keni para në llogarinë tuaj për vlerën e aksioneve tuaja në kohën që e keni shitur. Vlerësimi juaj (ajo për të cilën po flasim) do të jetë ajo vlerë minus çmimin që keni paguar në fillim kur i blet ato aksione.
Kini parasysh se nuk duhet të shisni sa herë që tregu arrin një nivel të ri – përkundrazi kjo është gjëja e fundit që duhet të bëni për një strategji investimi afatgjatë.
Mbani mend se tregu i aksioneve sheh një kthim mesatar vjetor prej 7% në vit – që do të thotë se nëse jeni të diversifikuar, stoqet dhe fondet tuaja do të rriten po aq (mesatarisht) vit pas viti. Pika më e lartë e këtij viti mund të jetë baza e vitit të ardhshëm dhe anasjelltas. Kjo është arsyeja pse paratë mbahen në qarkullim në treg për një kohë të gjatë dhe i lejojmë ato të rriten.
Nëse po pyesni veten, “Po si të bësh para nga e gjithë kjo nëse nuk shes aksionet?!” Kjo po që është pyetje! Ka dy përgjigje - përbërja dhe dividentët.
Përbërja
Përbërja edhe për mua që po e shpjegoj tani më duket si magji. Është shumë mbresëlënëse kur fillon ta mendosh. Ideja është pak a shumë kjo – kur paratë tuaja mblidhen ose bëhen bashkë si pjesë e përbërë, ju fitoni para nga paratë që keni fituar pak më para. Okay, prit ta thjeshtoj edhe pak më shumë me një shembull më të saktë:
Supozojmë se blini aksionin A për 1000 euro dhe vlerësohet si cdo vit (e shpjeguam pak më lartë) me 7%. Kjo do të thotë se në fund të vitit, vlera shkon tek 1070 euro.
Vitin tjetër, ai vlerësohet përsëri me 7%, por këtë herë, jo i 1000 euroshit fillestar, por 7% i 1070 eurove.
Vitin e dytë ky aksion aktualisht arrin në vlerën 1,144 euro. Në 5 vjet, stoku arrin vlerën gati 1,402 euro e 55 cent. Investimi juaj fillestar ngelet gjithmonë vetëm 1000 euro dhe për 5 vjet keni akumuluar 402,55 euro ekstra.
Kjo vlerë fillon të marrë goxha peshë domethënëse me kalimin e viteve edhe pa i shtuar asnjë cent investimit tuaj. Nëse për 30 vjet, e lini atë aksion të gjeneroj të ardhura (gjithmonë nëse kompania është akoma aktive - kjo është arsyeja pse shumë investojnë S&P 500) vlera prej 1000 eurosh do të përbëhet vit pas viti derisa të arrij në 7,612,26 euro.
Magji apo jo?
Dy gjëra duhen patur parasysh kur flasim për përbërjen:
Vetëm për shkak se aksionet tuaja vlerësohen nuk do të thotë që thjesht duhet të ndaloni së investuari. Llogjika është që sa më shumë para të investoni, aq më shumë do të dilni të fituar.
E di se është joshëse të shisni aksionet kur kapin një nivel të caktuar (kuptohet nëse keni një emrgjencë zgjedhja mbetet e juaja), por mbani mend se kur shisni, nuk mund të përfitoni më nga përbërja e atij investimi. Sa më gjatë prisni aq më e lartë përbërja!
P.S. Ky lloj investimi do ishte i shkëlqyer nëse do ta vendosnit një shumë prej 5000 eurosh për fëmijën tuaj, që kur të arrij 18 vjeç kjo shumë të shkoj 16,899.66 euro. Bëni llogari çdo shumë që dëshironi më këtë kalkulator tepër të vlefshëm online: Kalkulatori i interesit të përbërë.
Në një artikull më të detajuar do t’ju shpjegoj si të investoni me “compound interest” nga Shqipëria. Eshte pak rrugë e gjatë por ia vlen.
Po dividentët?
Dividentët janë kthime monetare ose kthime aksionesh të paguara nga kompanitë për aksionerët e tyre. Zakonisht ato janë një shumë fikse eurosh/parash për aksion dhe paguhen çdo tremujor (megjithëse disa kompani ofrojnë dividentë të aksioneve duke i shkëmbyer si aksione shtesë). Nga këndvështrimi i kompanisë, nëse biznesi i tyre po shkon mirë dhe kanë më shumë para sesa duan të investojnë në rritjen e biznesit, mund t'ua japin këto para aksionerëve të tyre si divident.
Disa investitorë pëlqejnë dividentët, sepse u lejon atyre të bëjnë të ardhura nga investimet e tyre.
Kur merrni një divident, keni një nga të dyja zgjedhjet. Ose brokeri juaj ta marrë këta dividentë si para në dorë (që do t’i shtohet llogarisë tuaj nëse nuk e investoni atë) ose ta ri-investoni atë në aksionet ose fondin që ju është paguar.
Kujdes, ky vendim mund të ketë pasoja - nëse dividentët tuaj janë në para, ato nuk do të jenë në gjendje të përbëhen (shiko pikën e dytë më lartë), kështu që zakonisht më e mira do të ishte të ri-investonit dividentët që merrni!
Vendimi mbetet i juaji ashtu si edhe kërkimi që do ju duhet të bëni në lidhje me cilat kompani ofrojnë dividentë. Ndërsa jeni duke bërë kërkime, si gjithmonë mbani mend se dividentët llogariten si të ardhura dhe si pasojë do kenë tatim mbi të ardhurat! (shteti nuk rri dot pa i futur hundët apo jo?)
Sqarim
Tani, një sqarim shumë i rëndësishëm. Për këtë buletin punoj pa u lodhur dhe nuk marr mbrapsht asnjë përfitim, qoftë në affiliate links, apo reklamim produkti. Ky buletin ka nisur me qëllim për të edukuar masat dhe personin tipik të cilit i komplikohen terma që nuk kanë nevojë t’i komplikohen. Kjo bëhet qëllimisht, për t’i mbajtur larg njerëzit nga të qënit të lirë financiarisht.
Ndaj vlen të përmendet se:
Informacioni i dhënë në këtë artikull është vetëm për qëllime të përgjithshme informative. Asnjë përmbajtje e publikuar në këtë buletin nuk përbën një rekomandim apo ndonjë strategji të veçantë garancie për investimet tuaja. Mundohem që analiza të jenë sa më objektive.
Në rastin kur ndonjë nga përmbajtjet e publikuara në buletin mund të konsiderohet si këshilla ose rekomandime investimi në lidhje me një strategji të caktuar sigurie ose investimi, një informacion i tillë është jopersonal dhe nuk i përshtatet nevojave të investimit të asnjë personi specifik.
Tregjet e bursës ndryshojnë vazhdimisht, informacioni dhe të dhënat e publikuara këtu mund të mos jenë aktuale dhe nuk duhet të mbështeteni tek to. Gjithmonë konsultohuni me një profesionist. Por që të konsultoheni, informohuni dhe hulumtoni paraprakisht. Këto informacione nuk duhet të interpretohen si promovuese në lidhje me investimet ose strategjitë e investimeve të referuara në këtë buletin.
Vetëm ju jeni përgjegjës për përcaktimin nëse ndonjë investim, kursim ose strategji, apo ndonjë produkt dhe shërbim tjetër që unë përmend, është i përshtatshëm për ju bazuar në objektivat tuaja të investimit dhe situatën personale financiare. Jeni ju ata që bëni vlerësimin e meritave dhe rreziqeve që lidhen me përdorimin e informacionin në buletinin tim. Gjithmonë konsultohuni me një broker, avokat apo financier profesionist tatimor në lidhje me situatën tuaj specifike ligjore ose tatimore.
Ju falenderoj që më lexoni dhe që jeni të interesuar për të mësuar më tepër në lidhje me këtë temë.
Shkruar nga Flogerta Driza
Themeluese e Juno Moneta
P.S. Sugjeroj Drita Rukaj si një këshilltare financiare të shkëlqyer. E autorizuar madje nga AMF-ja për këshillim dhe shitje fondesh investimi në aksione. Drita ka eksperiencë afatgjatë në fushën e investimeve dhe sigurimeve. Ajo nuk më njeh mua e as unë atë, mirëpo studiova disa këshilltarë financiarë dhe duke lexuar më tepër për të kuptova se ajo është e duhura për shumë të tjerë; informimi dhe pasja e produkteve te investimit dhe sigurimit sot është nevojë për këdo. Duke mos patur asnjë interes rekomandimi për të, përpos faktit që ka një përgatitje për t’u patur zili, mendoj se ia vlen t’i hidhni një sy profilit të saj si dhe të bisedoni drejtpërdrejt me të.
* Aplikacioni përmes të cilit unë kam kyer pagesa të ndryshme ndërkombëtare, sidomos kur kreva një trajnim me një Writer Coach para dy vitesh, është Wise.
Kam dëgjuar se e përdorin shumë persona, në kombinim ndonjëherë edhe me VPN pasi ende nuk e kanë të disponueshme shkarkimin e kartave të debitit apo kreditit për Shqipërinë.