Si të rindërtoni fondin tuaj të emergjencës?
Rrëfim: Po përdor fondin tim të emergjencës - për një rast urgjent!
Kam një rrëfim për t’ju bërë. Jam duke përdorur fondin tim të emergjencës qëkur ngela pa puna një muaj më parë.
E keni parasysh se si ju kam thënë vazhdimisht të mos e përdorni fondin e emergjencës për asnjë arsye? Epo, kjo është një nga ato arsyet.
Po e përdor aktualisht fondin e emergjencës dhe kjo ska asgjë të keqe. Kjo është arsyeja pse kursejmë një fond emergjence, njerëz, apo jo?
Fondi i emergjencës (i njohur ndryshe si fondi i 3-6 muaj shpenzime jetese të kursyera në një llogari më kthim të lartë) në përgjithësi duhet të mbetet i paprekur. Por nga ana tjëtër keni të drejtë të përdorni paratë tuaja për atë që ju duhet apo jo. Dhe si një familje me katër veta që jemi, me qera, një rrogë apo një pension nuk mjafton.
Akoma nuk e kam mbaruar por nëse do e mbaroj, ja se si do ta ringre me të njëjtën strategji që bëra këto dy vitet e fundit.

1. Eliminoni ngrënien jashtë
Vajza ime e vogël adhuron të dal e të shëtis. Me të drejtë sepse e kam mesuar të dal dy herë në ditë në park. Mirëpo, ka raste që i pëlqen edhe të ulemi diku e të ham diku jashtë. Kjo normalisht rëndon në buxhet sepse e ngrëna jashtë është shpenzim i tëpruar.
Kështu që i bëj vetjes dy pyetje:
A mund t'i përballoj të gjitha këto darka jashtë dhe ende të kursej disa para? Po. A më kufizon kjo gjë seriozisht që të kursej më shumë? Po.
Kështu që kur fondi im i emergjencës të mbarojë, unë do bëj atë që kam bërë sa herë jam gjendur ngushtë. Eliminoj darkat jashtë, por vajza ime nuk e kupton ndryshimin pasi e nxjer sërish, vecse tani i mar ushqime nga shtëpia, ujë apo pije dhe ham edhe jashtë nëse duam.
2. Bëni disa projekte afatshkurtra me punë të pavarur
Ndërsa jam në kërkim të punës, jam aktivisht e përkushtuar në marjen e disa projekteve të vogla si menaxhimi i rrjeteve sociale te një biznesi, apo menaxhimi i webfaqes e të tjera si këto.
Ndërsa e di që favor më i madh do të ishte gjetja e një pune të re, këto projekte të vogla edhe pse po më japin fitime shumë të pakta, po më ndihmojnë të përmirësoj strukturën time të punës si freelance por edhe të shtyj sa më shumë përdorimin e plotë të fondit tim të emergjencës.
Këto shuma ose përdoren ose ruhen. Sido që të jetë, për sa kohë mbaj shpenzime minimale në fondin tim të emergjencës aq më mirë është për mua. E njëjta gjë do funksionojë edhe për ju.
3. Jetoj vetëm me një përqindje të vogël të të ardhurave të mia
Kursimi i mirëmenduar të bën të kuptosh që shumë shpenzime në jetën tënde janë të kota. Në vend që të më kapë paniku dhe të bie preh e inflacionit të konsumit, zgjedh të ul shpenzimet e mia në minimum.
Ky është më shumë një ndryshim buxhetor mendor dhe zakonisht funksionon sepse ti bind veten që mund të jetosh me pak. Edhe pse nuk do t’ju vendosja kurrë përball përgjegjësisë se pse po shpenzoni paratë tuaja, për këtë pjesë do t'ju inkurajoja të shpenzoni qëllimisht. Sidomos kur jeni duke u përpjekur të rindërtoni fondin tuaj të urgjencës.
E kam përmendur edhe dy buletine më parë, mësoni të jenoni nën kushtet tuaja. Gatuani në shtëpi, merrni një ekspres dhe pijeni kafen aty (kurseni shumë më besoni), blini një filter uji të mirë (personalisht kam 7 vite që përdor filtrin kamelot), eliminoni pagesën e abonimit në TV, Netflix, apo abonimin e ndonjë prej telefonave nëse është e nevojshme.
Blini tek tregu i fshatarëve, duke u zgjuar herët e duke bërë pazar fruta-perimesh të reduktuara në pika të caktuara tregtarësh. Vetëm në zonen ku jetoj aktualisht ka të paktën katër pika të tilla dhe me shumë pak lek blini perime, fruta e zarzavate për një javë ose edhe më tepër nëse jua nxë xhepi.
4. Vendosni kufij financiarë
E di se të jesh transparent për paratë në një kulturë ku të flasësh për to është tabu, por është kaq e rëndësishme të jesh i hapur për financat, veçanërisht kur je duke përballuar disa sfida.
Vendosja e kufijve financiarë mund të jetë e lehtë nëse ua bën me dije të tjerëve se po tregohesh më i qëllimshëm me shpenzimet e tua për tre ose katër muaj.
Kjo do të thotë që do t’i thoni jo një darke me miqtë, apo me familjarët, por nëse ata janë vërtet njerëz që ju duan të mirën do e kuptojnë këtë pjesë e nuk do t’ju quajnë dorështrënguar.
Dhe nëse kanë dëshirë t’ju takojnë, mundet që gjithmonë të dilni një shëtitje ose ta ftoni për kafe në shtëpinë tuaj (nëse blini ekspresin sikur ju thash).
5. Përdorni karta krediti
Okay, këtë nuk e bëjnë shumë veta. Edhe unë jam pak skeptike në përdorimin e kartave të kreditit por mendoj se ato janë disi më të sigurta në interesat e kthimit se sa marrja e borxheve më të mëdha në bankë. Kartën e kreditit mund ta përdorni edhe kur jeni i papunë, ndërsa borxhin nuk e merni dot pa qënë i siguruar.
Të paktën kaq di unë, mund të ndodh që edhe gaboj. Ky nuk është një sugjerim që e jap me shumë qef, por në rastet kur gjërat shkojnë keq, dhe akoma nuk e keni zënë vendin e punës që doni kjo gjë mund t’ju nxjerr nga situata. Unë nuk kam arritur akoma në këtë pikë, pasi sikur e lash alternativën e fundit për ta shpjeguar këtu, ashtu e shoh edhe vet. Si alternativë të fundit.
Me pak fjalë, duke qënë të qëllimshëm me shpenzimet tuaja, duke reduktuar shpenzime të panevojshme si dreka apo darka në restorante me miqtë dhe duke shtrënguar pak rripin, jam e bindur se do ta rindërtoni fondin e emergjencës më shpejt nga sa mendoni.
Ju uroj fat dhe mua më keni këtu për cdo pyetje ne lidhje me këtë temë. Mos hezitoni të më kërkoni ndihmë, të më shkruani apo të më drejtoni pyetje në komentet poshtë buletinin.
Shkruar nga Flogerta D. Lesi
Themeluese e Juno Moneta
Nëse doni të bëni buxhet dhe nisni ringritjen e fondit të emergjencës me laps dhe letër, shkarkoni pdf-në e planit buxhetor të krijuar nga unë.
Ose nëse doni të gjurmoni vetëm kursimet për fondin që po krijoni, ja një tjetër alertnativë po aq e mirë.
*Ky buletin shërben për qëllime edukative dhe nuk përbën këshillim financiar profesional. Ju lutemi bëni kërkimet tuaja dhe merrni parasysh rreziqet që lidhen me fondet e kursimeve, investimet ose blerjen e metaleve të çmuara.