Si të vendosni synime financiare për 2025-ën?
Është koha për një takim "kokë më kokë" me paratë tuaja!
Jemi zyrtarisht në vijën e finishit të vitit 2024, dhe po më duket sikur, me të gjitha ngjarjet e ndryshme që po ndodhin përreth, nuk po flasim mjaftueshëm për synimet e reja. Megjithatë, dua ta ndryshoj pak këtë frymë edhe te vetja, sidomos sepse jam ndikuar së tepërmi nga ngjarjet e fundit politike-ekonomike.
Ardhja e vitit të ri na frymëzon të shkruajmë një listë me synime të reja. Por, rrallëherë kam dëgjuar dikë të vendosë synime për financat e tij apo të saj, qofshin këto synime për të punuar më shumë, për të kursyer më shumë apo për të investuar.
Më pëlqen që kaq shumë njerëz e përdorin këtë kohë për të fituar qartësi mbi qëllimet e tyre, por do doja që t’i marrin financat e tyre më seriozisht dhe t'i fusin tek lista e synimeve të ardhshme. Sjellja jonë aktuale ndaj parasë është ajo që mund të diktojë se si 2025-a do të jetë për ne.
E keni parasysh shprehjen: një objekt në lëvizje do vazhdojë të qëndrojë në lëvizje? E njëjta gjë vlen edhe për qëllimet tona financiare—është më e lehtë të ruash vrullin kur ke bërë pak përparim paraprakisht. Nëse që në fundvit ke nisur të shikosh financat e tua me një sy tjetër, atëherë do ta nisësh 2025-ën me një hap para.
Kështu që, në vend që t’i futemi 2025-ës me kokë me një listë të ngarkuar detyrash financiare për të vënë në vijë financat, po ndaj me ju tre mënyra të thjeshta se si ta mbyllni këtë vit në mënyrë që të përgatiteni për sukses financiar në vitin e ardhshëm.
1. Bëni një takim “kokë më kokë” me paratë tuaja
Ky është një ushtrim tepër i dobishëm që unë do të doja me zemër që të gjithë lexuesit e mi ta nisnin. Hera e parë që lexova për këtë ushtrim u çudita dhe nuk mund të mos e ndaja me ju. Japonezët janë shumë të kujdesshëm kur bëhet fjalë për paranë dhe ekonominë e shtëpisë së tyre. Ata caktojnë një orar një herë në muaj, që ia dedikojnë si kohë vetëm financave të tyre. Quajeni si një formë kujdesi për veten, por për financat në këtë rast.
E di që paratë dhe financat janë stresuese, kështu që do doja ta trajtonit këtë takim kokë më kokë me paranë si një traditë që do t’ju japë qartësi për ekonominë tuaj. Sa më shpesh ta bëni këtë ushtrim, aq më mirë është për ju, pasi do të filloni të mësoheni se si të trajtoni financat pa stres.
Uluni, rehatohuni, bëni një kafe dhe përgatituni për të kaluar një takim “kokë më kokë” me paratë tuaja. Tani që jeni gati dhe të rehatuar, ja se cilat janë gjërat që duhet të shikoni te lista e financave tuaja:
Pagesa të dyshimta ose të dyfishta: Do të habiteshit se sa shpesh ndodhin pagesa të dyfishta pa u vënë re gjatë muajit. Nëse uleni dhe mbani shënim shpenzimet tuaja, bëni apo ndani buxhetin, keni për të vënë re se ka plot pagesa të dyfishta që ju shpëtojnë nga duart. Eliminojini ato dhe sapo keni bërë një ndryshim thelbësor në ekonimë e familjes.
Fshini abonime që nuk i përdorni më: Ëështë shumë e lehtë të regjistroheni tek një abonim "i lirë" ose një aplikacion dhe më pas të kuptoni se nuk e keni përdorur shërbimin për disa muaj. Përdoreni këtë takim me paratë për të identifikuar dhe anuluar çdo abonim, shërbim ose aplikacion të papërdorur—ky proces i thjeshtë mund t’ju kursejë qindra mijë lekë vitin e ardhshëm!
Shikoni fushat ku mund të keni shpenzuar më shumë sesa duhet: Kur mbani buxhet, është shumë e lehtë të vini re se ku e keni tepruar me shpenzime në një fushë të caktuar. Nxirrni bllokun e shënimeve dhe bëni krahasime nga muaji në muaj për të parë se ku ka mospërputhje në buxhet. Kjo është një mundësi e mirë për të rregulluar synimet që keni vendosur për buxhetin dhe për të siguruar që po ndiqni një plan shpenzimesh bazuar në vlerat tuaja.
Takimi “kokë më kokë” me paranë është një praktikë e vlefshme që mund ta përdorni gjatë gjithë vitit 2025 për të qëndruar në rrugën e duhur me qëllimet tuaja financiare. Bëni një takim mujor për të rishikuar financat tuaja aktuale ose për të kontrolluar progresin e synimeve tuaja!
2. Vendosni një qëllim të vogël dhe të arritshëm financiar për vitin e ardhshëm
Pasi të keni përfunduar takimin “kokë më kokë” me paratë për vitin që po ikën, përdorni informacionin që keni mbledhur për të bërë një hap prapa dhe për të shqyrtuar vitin financiar në tërësi. Identifikoni disa fusha ku dëshironi të shihni përmirësime ose ndryshime financiare dhe përdorni ato për të përditësuar synimet tuaja për vitin 2025.
Zgjidhni vetëm një prej tyre për të nisur! Mos harroni, hapat e ngadaltë dhe të sigurt ecin larg.
Filloni duke i bërë pyetje vetes:
A dëshiroj të filloj të investoj çdo muaj?
Të kursej më shumë nga paga ime?
Të rris të ardhurat e mia me një përqindje të caktuar?
Të jem më i qëllimshëm me përgatitjen për pensionin?
Të blej ar, bono thesari apo pronë?
Cilatdo qoftshin qëllimet tuaja financiare, ka shumë rëndësi që ato të jenë realiste dhe të arritshme. Për shembull, të thuash se do të kursej 90% të të ardhurave tuaja për vitin 2025 duket fantastike, por nuk është as realiste dhe as e arritshme. Nëse jeni realistë, do të ndiheni edhe më mirë me veten kur t’i arrini shpejt synimet tuaja për vitin tjetër.
Pasi të keni identifikuar synimin e parë financiar që do të arrini, (për shembull, synimi im kryesor është që të krijoj sa më shpejt fondin e emergjencës, fondin e pushimeve verore si dhe fondin për kopshtin e vajzës deri në fund të shtatorit 2025-ës) shkruajeni fizikisht dhe vendoseni diku ku mund ta shihni rregullisht këtë synim.
Kjo gjë jo vetëm që do t’ju ndihmojë të qëndroni të motivuar dhe të vëzhgoni progresin e synimeve tuaja, por një studim ka treguar se shkrimi fizik i qëllimeve tuaja shton mundësitë për t’i arritur ato deri në 42%! Këtu do t’ju hyjë në punë edhe ushtrimi i mësipërm, takimi “kokë më kokë” me paranë.
3. Përdorni kohën që ka mbetur për të përfunduar çdo synim të këtij viti
Tani që keni qartësi mbi financat tuaja aktuale dhe keni vendosur synimet për vitin e ri, është koha të përgatiteni për sukses, që të keni mundësi më të mirë për t’i mbajtur dhe për t’i arritur ato.
Mendoni për këtë kohë si “përmbylljen e çdo detyre të mbetur financiare” para vitit të ri—kjo është mundësia juaj për të përfunduar çdo detyrë financiare që ka mbetur dhe që do të dalë përpara qëllimeve të reja. Sa për t’ia bërë më të lehtë vetes, me pak fjalë.
Këto detyra janë ndryshe për secilin prej jush, në varësi të financave personale, por mund të përfshijnë:
Vendosjen e faturave në auto-pagim:
Vendosja e faturave në auto-pagim ju lehtëson punë. Ju sugjeroj që të vendosni sa më shumë fatura në auto-pagim, për të mos humbur asnjë pagesë dhe për të shmangur kamata. Për shembull, unë përdor aplikacionin Pago, ku kam llogari dhe kartë si dhe kam lidhur pagesën automatike të dritave, ujit, telefonit dhe internetit.
Pago, fatmirësisht, ka bashkëpunim me të gjitha këto të sipërpërmendurat dhe më lehtëson punë për pagesa automatike. Duke qenë se edhe pagën mujore tani e kam kaluar aty, mund të bëj çdo veprim nga telefoni pa kosto shtesë, nuk ka as kosto mirëmbajtjeje, as kosto transfertash, as vonesa në veprime.
E vetmja gjë që më ka ngelur të automatizoj është qiraja, por kjo ndodh sepse qiradhënësi nuk përdor aplikacionin Pago. Nëse do ta përdorte, do ta automatizoja edhe atë shpenzim dhe me një buton do t’i kryeja të gjitha faturat nga telefoni pa asnjë kosto ose komision shtesë.
Mbyllja e shpenzimeve të fundvitit:
Këtë vit kam vendosur të mos bëj dhurata. Kjo sepse në muajin janar dhe shkurt kam njëra pas tjetrës ditëlindjet e dy njerëzve më të rëndësishëm të jetës sime, vajzës dhe tim shoqi. Për këtë qëllim, kam vendosur që shpenzimet e fundvitit t’i kufizoj në maksimum dhe t’i ruaj për ata që kanë më tepër rëndësi për mua.
Kaq kisha për ju, lexuesit e mi të dashur. Me këtë artikull mbyll rrugëtimin e buletinit tim për këtë vit dhe në janar do rikthehem me energji dhe ide të reja për ju. Kam bërë disa tentativa për të pasur në buletinin tim të ftuar që mund të shkruajnë më tepër rreth financave, si dhe kam vendosur ta zgjeroj temën e buxhetit. Pra, jo vetëm të flas për të buxhetuar e kursyer si familjar, por edhe për ata lexues biznesmenë që më lexojnë. Diçka e re ju pret në buletinin tim.
Nga ana tjetër, do t’ju sjell të tjera aplikacione dhe të tjera informacione në lidhje me pyetjet tuaja më të shpeshta. Disa do t’i testoj vetë dhe në bazë të testimeve do t’ju sjell përfundimet dhe vlerësimet e mia për to.
Duke ju uruar një Vit të Ri sa më të mbarë dhe duke ju dashur më të mirën, ndahem me ju këtë vit me një këshillë: “Gur gur bëhet kalaja,” që në rastin e këtij buletini nënkupton, kujdesuni për financat tuaja sot që ato t’ju shërbejnë juve nesër. Vendosni një gur sot e një gur nesër dhe ndërtoni kalanë e sigurisë financiare rreth vetes dhe familjes suaj.
Shkruar nga Flogerta D. Lesi
Themeluese e Juno Moneta