TikTok apo jo TikTok, kjo është pyetja
Ky nuk është një ligj për të mbrojtur fëmijët tanë. Ky është një ligj për të na kufizuar ne dhe lirinë e fjalës tonë.
Në prag të Luftës së Parë Botërore, Republika e Vajmarit, eksperimenti i parë i Gjermanisë me demokracinë, u gjend në një udhëkryq.
Një qorrsokak ky ku vihej në diskutim pafajësia e rinisë së kombit. Në atë kohë u përceptua se rreziku dhe kërcënimi po vinte pikërisht nga ndikimet korruptive të shoqërisë moderne.
Qeveria e Vajmarit synonte të mbronte brezat e saj të rinj nga prishja morale. Kjo e fundit sipas tyre po depërtonte në mënyra të pamenduara më parë, sepse shoqëria gjermane ishte e shkatërruar nga lufta. Kështu që, për t'i mbrojtur të rinjtë gjermanë nga ajo që quhej letërsi dhe kinema 'e ndyrë'—materiale këto që besohej se prishin pastërtinë dhe fibrën morale të të rinjve—qeveria venosi të ndërhynte.
Prej kësaj ndërhyrjeje del edhe ligji Gesetz zur Beëahrung der Jugend vor Schund- und Schmutzschriften—përkthyer fjalë për fjalë do të thotë “Ligji për mbrojtjen e të rinjve nga plehrat dhe shkrimet e ndyra.”
Të njohura ndryshe si “Ligjet për Mbrojtjen e Rinisë”, ato u hartuan me një fokus të veçantë: për të mbrojtur të rinjtë e Gjermanisë nga ato që shiheshin si ide imorale, radikale ose të rrezikshme. (Nuk e di për ju, por kjo më kujton pak propagandën e Enver Hoshës, i cili krijoi ligje të ngjashme për rininë e atëhershme shqiptare. Çdo konsum i letërsisë së huaj, jo vetëm që quhej e pamoralshme, por edhe ndëshkoheshe rëndë ti dhe farefisi yt nëse kapeshe me “presh në duar”.)
Në fillim, ligjet u shfaqën me shtrirje të kufizuar dhe të destinuara vetëm për të miturit. Pra, ato nuk përbënin asnjë kërcënim për liritë e të rriturve. Për shkak të kësaj mënyre se si ligji u zbatua, kundërshtimet qenë të pakta.
Prindërit u qetësuan se fëmijët e tyre po mbroheshin nga ndyrësia e skenës kulturore që kishte pushtuar Vejmarin. Qeveria e së cilës në atë kohë u dallua për këtë eksperimentim të guximshëm dhe për mbrojtjen e vlerave tradicionale.
Megjithatë, kjo vello sigurie e përkohshme ra shumë shpejt. Censura (synuar fillimisht për të miturit), filloi të depërtonte më tej në shoqëri, duke u tejkaluar kufijtë e moshës së lejuar. Kjo sepse autoriteteve iu duk e përshtatshme të zgjeronin kufizimet e tyre.
Nga fillimi i viteve 1930, kufiri midis mbrojtjes së të rinjve dhe kontrollit të opinionit publik u mjegullua, pasi kufizimet që dikur justifikoheshin për të mbrojtur fëmijët filluan të zbatoheshin në një kuptim më të gjerë, duke përfshirë çdo gjë që shihej si një kërcënim për sistemin mbizotërues.
Publikimet, filmat dhe diskutimi publik u shqyrtuan dhe u klasifikuan si materiale që konsideroheshin të rrezikshme - madje edhe për të rriturit. Kështu që, nisur nga kjo llogjikë, u ndaluan plotësisht. Dhe me fuqizimin e partisë naziste që erdhi në pushtet në vitin 1933, këto ligje para-ekzistuese u kapën dhe u zbatuan me efikasitet drithërues.
Nën sundimin nazist, censura u përshkallëzua nga mbrojtja e të rinjve në imponimin e një konformiteti kulturor dhe ideologjik. Nën hijen e Joseph Goebbels, Ministrit të Propagandës së Rajhut, kultura gjermane pësoi një metamorfozë të shëmtuar, duke formësuar rininë sipas kornizës së ngurtë të doktrinës naziste. Goebbels përdori fuqinë e tij për të kuruar hyrjen intelektuale të të rinjve, duke diktuar fatin e letërsisë, kinemasë dhe artit.
Bibliotekat i panë raftet e tyre të boshatisura. Ndërsa librat që konsideroheshin të degjeneruar ose subversivë u shkrrumbuan në zjarr. Hiri i tyre përzihej me tymin e lirisë intelektuale të një kombi që lejoi censurën të gllabëronte jetën e të rriturve.
Ligjet që kishin nisur me synimin fisnik për të mbrojtur të rinjtë u bënë pjesë e një makinerie të gjerë shtypjeje që prekte të gjithë qytetarët, duke mbytur e groposur thellë në skuta mendimin dhe krijimtarinë individuale.
Ky rrethim kulturor u paraqit si mburojë për të rinjtë, por përfundoi si një mjet për të shkatërruar sovranitetin dhe si themel për nazistët që të kryenin disa nga mizoritë më të mëdha të historisë njerëzore.
TikTok apo jo TikTok, kjo është pyetja-Historia përsëritet!
Nuk mendoja se do vinte një ditë që do krahasoja ndonjëherë qeverinë moderne shqiptare të vitit 2024 me partinë naziste të viteve 1930. Mesa shoh jetojmë në kohëra interesante.
Të gjithë e dim se çndodhi me 14 vjecarin që u vra nga moshatari i tij. Po ashtu e dim të gjithë se na kapi një panik kombëtar, prindër e mësues, për sigurinë e fëmijëve tan. E ndërsa zemra na dhemb të gjithëve, sidomos atyre që kanë fëmijë dhe e ndjejnë më thellë këtë frikë e dhimbje (unë një prej tyre), lëvizja e Ramës më duket jo fort e papritur. Përkundrazi, më duket e kalkuluar dhe e shpejtë.
Pak para se Edi Rama të dilte në një njoftim për shtyp për të bllokuar rrjetet sociale si TikTok apo Snapchat, në brigjet e largëta të Australisë, kjo gjë ishte parashtruar prej javësh dhe tashmë është fakt.
Kryeministri australian Anthony Albanese, njoftoi se vendi do të zbatojë një ndalim mbarëkombëtar të mediave sociale për këdo nën moshën 16 vjeç.
Mu duke e frikshme paralelizmi dhe recitimi i deklaratës së kryeministrit Rama me atë të kryeministrit Anthony. Në një recitim propagandues, me synim për të përdorur frikën në masë të popullatës që qeveria të ushtroj një grusht autoritar dhe ligjërues, u hodh ideja për të bllokuar përdorimin e rrjeteve sociale nën moshën 16 vjeç.
Ashtu sikur tha edhe Rama edhe Albanese, detajet ende duhet të përpunohen, duke përfshirë mënyrën se si do të verifikohej mosha për t'u kyçur në platformat e mediave sociale. Megjithatë, planet qeveritare tashmë janë mbështetur thuajse nga të gjithë.
Mesa duket, qeveria Rama, ashtu si dhe ajo Australiane mezi paskan pritur të përdorin ngjarje të tilla sociale (si vrasja e 14 vjeçarit) për të propozuar me të shpejtë ligje që po shiten nën maskën e mbrojtjes së fëmijëve.
Mua nga ana tjetër kjo më duket një tallje dhe një emitim i shëmtuar i Big Brother të një shoqërie post-Orwlliane.
Ndryshe nga ligjet e tjera që rregullojnë konsumin e medias nga fëmijët, si vlerësimet e moshës në filma dhe seriale televizive, këto ligje të përmbajtjes nuk do të anashkalohen as me pëlqimin e prindërve. Kjo do të thotë se edhe nëse një prind dëshiron të lejojë fëmijën e tij të përdorë rrjetet sociale para moshës 16 vjeç, ligji do t’ia ndalojë dhe do ndëshkojë prindin.
Ndoshta dikush do të thotë se nuk ka asgjë të keqe me këto ligje të propozuara nga Rama dhe Albanese, dhe se Rama realisht do të kujdeset vërtet për fëmijët e Shqipërisë. Megjithatë, pak më lartë jua tregova një shembull seç ndodhi me qeverinë e Vajmarit apo jo?
Dhe, për të vazhduar më tej absurditeti e këmbëngulja e qeverisë Rama, ai mori shembull me guxim dhe vlerësim të lartë qeverinë Australiane. Duke treguar se nuk është ai i pari që e mendoi këtë gjë, por që ka të tjerë që e kanë filluar tashmë atë ligj dhe po veprojnë. Bota do jetë më e lumtur e më e qetë tani që qeveritë autoritare (Big Brother) do kujdesen si dado për qytetarët e tyre. Awwww, sa të mirë apo jo?
Jo, absolutisht që jo.
Sepse, ndërsa e maskojnë ligjin me petkun e sigurisë (ashtu sikur u bë edhe gjatë Covid-it), synimi është komplet tjetër. Për shembull, kryeministri i Australisë, Albanese, është shprehur haptasi se po të jetë në dorën e tij ai do i zhdukte rrjetet sociale dhe përdorimin e tyre si nga fëmijët edhe të rriturit. Kjo sepse, sipas tij, lufta duhet bërë që të shtypen “luftëtarët e tastierave” të cilët bëjnë sikur kanë të drejtë për të shkruar apo folur çdo gjë pa frikë, dhe ai do t’u ndalojë këtë të drejtë.
Këto nuk janë tërbimet e çmendura të një diktatori totalitar; këto janë fjalë të vërteta të shprehura nga Kryeministri në detyrë i Australisë. Edhe sa kohë do duhet derisa edhe Rama t’i bashkohet këtij deliri? 12 vjet në qeveri i bëri ai. Mesa duket kjo kohë e gjatë në qeveri e ka bindur se nuk e zvendëson më kush. Nisur nga kjo, ndodhta i është krijuar edhe bindja se shqiptarët nuk kanë më nga t’ia mbajnë dhe në fund të fundit po atë do zgjedhin.
Por pyetja ime qëndron diku tjetër. A janë ligjet që propozon Rama ndaj rrjeteve sociale për fëmijët një hap drejt zbatimit të vizionit që ai ka për të gjithë kombin Shqiptar?
Ndoshta.
Rama, nga një anë është treguar më i butë në deklarata se Kryeministri i Australisë, i cili është gati të bëhet diktator po iu dha mundësia. Mirëpo, pavarësisht faktit se është më i butë në deklarata, kjo nuk e fsheh adhurimin e shprehur haptasi nga ai për kryeministrin e Australisë.
The soapbox test - Rrjetet sociale janë podiumi ynë
Besoj e keni dëgjuar ternmin "the soapbox test". Ky është një test metaforik për “free speach” të pacensuruar apo të palimituar. Ideja është pak a shumë kjo. Nëse dikush mund të qëndrojë në një podium në çdo qendër qyteti dhe të flasë lirshëm, pa censurë apo kufizime të panevojshme nga qeveria, kjo tregon një angazhim të fortë ndaj lirisë së fjalës.
Kina, Koreja e Veriut, Jemeni dhe Arabia Saudite do të dështonin në këtë test, pasi disidenca publike atje mund të çojë deri në arrestim të atyre që e provojnë.
Rrjetet sociale janë për ne podiumi modern. Është vendi ku ne ndajmë mendimet dhe idetë tona dhe kritikojmë ata që na qeverisin.
Ligjet që kufizojnë mediat sociale, shpesh të arsyetuara si mbrojtje për fëmijët, krijojnë një precedent për censurë më të gjerë. Edhe pse mbrojtja e fëmijëve dhe grupeve të margjinalizuara është e rëndësishme, ruajtja e parimit të lirisë së shprehjes mbetet jetike.
Nëse heqim dorë nga e drejta për të thënë atë që duam në mediat sociale, ne dorëzojmë mjetin tonë më të fuqishëm për të mbrojtur veten kundër forcimit të qeverive autoritare.
Sepse, në një afat të gjatë, ligje si ndalimi i propozuar i mediave sociale për fëmijët në Australi (dhe masa të ngjashme në Norvegji) përfundimisht hapin rrugën për censurë ndaj të gjithëve. Dhe nuk shkoi gjatë, e kjo i hapi rrugën edhe qeverisë shqiptare për të bërë të njëjtën gjë, duke marrë gjithmonë si model qeverinë Australiane.
Ne jetojmë në një eksperiment unik historik. Gëzojmë demokracinë dhe lirinë për të zgjedhur informacionin që konsumojmë, por kjo është një përjashtim, jo norma.
Për pjesën më të madhe të historisë njerëzore – deri rreth një shekull më parë në shumicën e vendeve – ne ishim nën sundimin e komandantëve të luftës, perandorëve dhe mbretërve. Ata forconin pushtetin mbi masat, duke i lënë qytetarët të heshtur nga frika e ndëshkimit.
Ajo që kemi aktualisht është vërtet e veçantë. Diçka që nuk duhet ta shpërdorojmë – por ndoshta do ta bëjmë.
Do ta bëjmë nëse njerëz të dobët lejojnë qeveri si ato të Australisë, Norvegjisë dhe Shqipërisë të vendosin kufizime mbi atë që ne konsumojmë e përdorim, në emër të "sigurisë" së përgjithshme. Historia na ka treguar se këto ligje, herët a vonë, do të zgjerohen dhe do të na privojnë nga të drejtat tona.
Për të censuruar gjithçka që nuk i përshtatet qeverisë.
Për të kriminalizuar ata që guxojnë të shprehin mendimin e tyre.
Për të imponuar bindjen tonë absolute ndaj shtetit.
Australia, Norvegjia dhe Shqipëria nuk do të jenë të fundit që do të krijojnë ligje të tilla. Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe disa shtete të SHBA-ve kanë vendosur kufizime të ngjashme për fëmijët që përdorin mediat sociale, gjë që mund të krijojë një precedent për të zbatuar kufizime të ngjashme për të gjithë.
Qeveria nuk ka pse t’i përgjigjet pyetjes TikTok apo jo TikTok. As nuk ka pse të bëjë babain apo Big Brother-in me qytetarët e vet.
Por kjo do të ndodhë nëse ne e lejojmë, dhe kam frikë se shumë shpejt as unë, as shumë të tjerë si unë, nuk do të kemi lirinë që na nevojitet për të shprehur mendimin tonë kritik. Ky nuk është një ligj për të mbrojtur fëmijët tanë. Ky është një ligj për të na kufizuar ne dhe lirinë e fjalës tonë.
Shkruar nga Flogerta D. Lesi
Themeluese e Juno Moneta
Shënim i rëndësishëm: Për arsye të shumta, të cilat lidhen kryesisht me të ardhmen time dhe të familjes sime, ky është artikulli i fundit që do të shkruaj në buletin si kritikë ndaj censurës që po ndodh nëpër botë dhe kryesisht në vendin tim. Postimi i ardhshëm do i dedikohet eksluzivisht niche-s që kam zgjedhur për të folur - buxheti, kursimet apo investimet.
Faleminderit që lexon buletinin e Flogertës në Substack! Abonohu falas që të marësh në email postimet e saj.