Ky është buletini i parë në gjuhën shqipe në Substack, i nisur me një qëllim specifik: Edukimin financiar të qytetarit shqiptar për ta kthyer atë në një qytetar global dhe të lirë.
1. Pse tani?
Nisur nga shumë peripeci personale në lidhje me edukimin finaciar dhe mangësisë së theksuara të informimit në lidhje me këtë temë, m’u deshën vite të vendosja në vijë një nivel minimal mbijetese në ekonominë aktuale.
Këto vite mundimi për t’u vetedukuar në lidhje me atë që prindërit e mi, apo prindërit e prindërve të mi nuk kishin asnjë dije, dua që t’i përcjell tek lexuesi në mënyrë tërheqëse dhe edukative.
Synimi im është t’ju jap të përmbledhur dijen e shumë viteve stërmundim në një vit me postime për t’ju edukuar financiarisht.
2. Nuk bëhet fjalë vetëm për edukim finaciar, por shumë më shumë se kaq
Ekonomia dhe historia mësohen si dy lëndë të ndara në shkollë të mesme. Historia paraqitet si një libër me data të renditura dhe ngjarje të prekura shkarazi, ndërsa ekonomia shpaloset me përzierje konceptesh të paqarta si marketing, çmimi tavan apo dysheme e të tjera si këto.
Me kaq mbetet i gjithë informimi që ne marim prej tyre, dhe në asnjë kurrikulum këto dy subjekte nuk trajtohen në kombinim me njëra - tjetrën. Mirëpo, zhvilimet ekonomike, politike dhe historike ndërthuren si një rrjetë merimange, ku asnjë fije nuk mund të qendrojë pa tjetrën.
Pikturë e Kodrës së Kapitolinit bërë nga Georg Rehlender, në Tempullin e Juno Monetës në të djathtë lart, sipër Tabulariumit.
Ngjarjet historiko-politike ndodhin krahazi me ato ekonomike. Dhe është pikërisht kjo ndasi trajtimi si dy gjëra të ndara që i lë njerëzit në injorancë të vazhdueshme. Ngjarjet e sipërpërmendura nuk janë ngjarje kronologjike por një seri ndërthurjesh dhe pasojash që jehojnë nga një vend në tjetrin. Veriu Global zotëron Jugun Global, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht dhe çka ndodh tek njëri vend, jehon tek tjetri.
3. Përse në shqip?
Dobësia më e madhe që kemi është se aktualisht mendojmë se ngjarjet që po ndodhin në vendin tonë janë specifike tonat. Kjo na bën mendjengushtë, pasi historia ka tendencën të përsërisë veten ashtu sikurse edhe ngritjet e uljet ekonomike. Inflacioni nuk është një tendencë vetëm e të tashmes, por edhe e të shkuarës edhe e të ardhmes.
Kjo mosnjohje, kjo dëshirë për të na mbajtur injorantë me zor, na detyron të qëndrojmë sikurse miu në çark: brenda një sistemi që nuk do asesi që të jemi të lirë. Dhe liria e vërtetë është ajo financiare.
Ndaj edhe nisa të shkruaj këtë buletin informativ, i pari i llojit të tij shkruar në gjuhën shqipe në një nga forumet më të mëdha ndërkombtare për buletine elektronike (ose sikurse i njohim në anglisht newsletters).
Qëllimi im është tregimi i ngjarjeve të së shkuarës, të cilat kanë formësuar botën e tanishme, jo vetëm për t’ju bërë që të udhëtoni pas në kohë, por edhe për t’ju treguar se ngjashmëritë dhe paralelizmat janë të frikshme.
Botën vazhdojnë ta kontrollojnë po ata që kanë qënë qindra vite më parë dhe ne vazhdojmë të jemi po aq viktima sa kanë qënë prindërit tanë. Kjo nuk do të thotë se nuk mund të shpëtojmë nga ky cikël.
4. Kush është Juno Moneta dhe pse quhet kështu buletini?
Për romakët, Junoja ishte perandoresha hyjnore që paralajmëron rrezikun dhe mbron fondet e pasuritë monetare.
Juno është versioni thuajse paralel i perendise greke Hera, por ndryshe nga ajo Junoja është më e dashur dhe protektive, të paktën nga përshkrimi që na vjen prej romës së lashtë.
Me kalimin e kohës, Junos iu dha epiteti Moneta. Nga këtu buron edhe fjala angleze "money" dhe "mint". Ky titull me shumë mundësi rrjedh nga termi latin monēre, që do të thotë "të këshillosh" ose "të paralajmërosh dhe të kujdesesh".
Juno Moneta, si mbretëresha romake e zotave, besohej se mbronte fondet, një rol që e ktheu atë në perëndeshën e financave. Ajo ka për detyrë edhe të të paralajmërojë kur ndodhesh përballë rrezikut të humbjeve financiare apo investimeve të pamenduara.
Arsyeja pse zgjodha ta quaj kështu buletinin elektronik është sepse roli im në këtë rrugëtim të përbashkët do jetë tëtë këshilloj dhe të të ndihmoj të kujdesesh për financat e tua. Të të jap udhëzim aty ku ka dështuar të të edukojë familja jote (jo për faj të tyre), institucionet arsimore dhe shteti ku jeton.
4. Sa shpesh do ta lexoni?
Dëshira ime më e madhe është të shoh njerëz të lirë. Ky buletin elektronik u dedikohet pikërisht financave, lirisë dhe udhëzimeve për t'u bërë i tillë. Shpresoj që deri pas një viti unë ta kem përmbushur sadopak qëllimin tim.
Ky është buletini prezantues dhe menjëherë pas tij do të postoj atë të radhës titulluar “Inflacioni: Një mjet i frikshëm për kontrollin financiar”. Çdo të premte, do t’ju dërgoj në një rrugëtim të gjatë ngjarjesh që influencojnë të tashmen dhe do të formësojnë të ardhmen tuaj. Secili nga këto shkirme ka për synim edukimin tuaj financiar dhe se si të krijoni kursimet tuaja të para apo edhe investime nëse është e mundur.
1Ky buletin i dedikohet bashkëshortit tim, i cili është një adhurues i flaktë i hisorisë, por edhe fryti i pasionit tim për edukimin financiar të brezave. Prej dashurisë që kam për të nisa të shkruaj shqip (dhe jo anglisht sikurse bëj zakonisht) këtë buletin që me dëshirë të madhe do ta diskutojmë së bashku çdo fundjavë. Shpresoj të na bashkohen edhe shumë lexues të tjerë.
Shkruar nga Flogerta D. Lesi
Themeluese e Juno Moneta