Çfarë është e jotja është e tyrja!
Pse Shqiptarët kanë një marrëdhënie të komplikuar me paranë?
Ne fshatin e vogël të Shpalit, një djalë i ri dëgjonte bisedat e tatë-gjyshit dhe babës ulur mu pranë vatrës, të ruajtur e nën vëzhgim nga simboli i diellit gdhendur mbi oxhak. Baba, kokë më kokë me tatë-gjyshin, bisedonin për një vendim me rëndësi. Vendim që djali i ri kishte mësuar se duhet të mbante vesh e të peshonte çdo fjalë që kullonte nga goja e tyre.
Djali i ri e dinte, ashtu sikur e kishte folur me shokët e tij, se majin e atij vjeti (1928) burrat hijerëndë të Mirditës kishin mbledhur komisionin e Bajrakëve. Kjo ishte bërë qëllimisht për të lidhur besë sipas kanunit, e me 3 qershor të po atij vjeti kjo u përforcua me dorzani të 25 krenëve të Mirditës si edhe me kanunin sipas zakonit të vendit.
Mirëpo, kjo bisedë e bërë kokë më kokë mes babës me tatë-gjyshin dukej se ishte e një peshe ma të rëndë. Po aq e rëndë sa monedhat e arit që ata mbanin në duar.
Fjala kishte mbërritur se Shqipnia ishte bërë mbretëri dhe se mbreti Zog - emër të cilin djali e nënqeshte sa herë e dëgjonte sepse i dukej qesharak - kishte marrë vendim se monedhat e arit, bizhutë e pasunitë e familjeve të mëdha fisnore në Shqipëri, e gjithçka që kishte të bënte me arin në përgjithësi do të mblidheshin e do t’i dorëzoheshin mbretit.
Djali i ri nuk e kuptonte pse? Ai kishte dëgjuar shpesh fjalët nga tatë-gjyshi se “Besa e Shqiptarit asht si purteka e arit” e duke qënë se djali e dinte se në këtë vend nuk ka gjë ma me vlerë se besa, doemos edhe ari i binte të ishte me vlerë të madhe.

Djali kapi fjalë nëpër të, si premtime se kartmonedhat do kishin të njëjtën vlerë me monedhat e arit që tatë-gjyshi mbante në duar. Po ashtu ai dëgjoi se kartmonedhat ishin të bëra prej karte e jo prej ari. Atëhere, si mund të kishin të njëjtën vlerë?
E ndërsa djali dëgjonte këto fjalë, dhe i bindur se kjo punë nuk ishte duke u menduar fort mirë prej babës e tatë-gjyshit, tinëzash fsheu nën shtrocë një monedhë ari që tatë-gyshi e baba hala nuk e kishin numërue. Pa kuptuar, djali kishte marrë një nga vendimet më të mira të jetës së tij dhe se ajo monedhë do t’i shpëtonte familjes në luftën që do i kanosej botës shumë shpejt.
Ishte koha kur Mirdita kishte burra dhe vetëqeverisej brenda krahinës sipas të drejtës zakonore shqiptare të trashëguar ndër breza, por pa ju ra ndesh ligjeve të kohës. Ishte pikërisht kjo zbutje e përgjithshme për të mos u rënë ndesh ligjeve të kohës (që ndërroheshin nga mbreti Zog sikur ndërronte titujt) ajo që do sillte telashet e mëvonshme.
Shumë pak vite pas qeverisjes së tij dhe pasi kishte zbrazur mirë qypat e familjeve të kamura shqiptare, pasi i kishte mashtruar mirë e bukur me ligje e skema se zvendësimi i tragtisë nga monedha ari në atë letër do të ishte më e frytshme apo se ata do të bëheshin më të pasur si rrjedhojë, mbreti Zog arratiset nga sytë këmbët në momentin më të vështirë.
Pushtimi Italian zbarkon në brigjet shqiptare dhe të gjithë e dimë mirë pjesën tjetër të historisë.
Çfarë është e jotja është e tyrja!
Kur ndodh që gjërat që ju përkasin juve bëhen të qeverisë suaj? Ashtu sikur ndodhi gati 100 vite më parë në Shqipëri, me monedhat e arit dhe boshatisjen e arkave të shtetit, e njëjta gjë po ndodh sërish, por këtë radhë në BE. Fenomen ky që shumë shpejt do të na kanoset edhe ne “european-dashësit” e mëdhenj të Ballkanit.
Nëse menduat se ne kemi shpikur rrotën me korrupsion, vjedhje e mashtrime, e keni gabim. Këto janë lojëra që luhen e përsëriten ndër shekuj dhe ajo që po ndodh aktualisht të bën tëmendosh se diçka luhet më rënd.
Së fundmi, Bashkimi Europian njoftoi synimin e tij për të krijuar një bazë të dhënash që do të gjurmojë pasuritë e çdo qytetari. Një regjistër qendror që regjistron gjithçka me vlerë që zotëron një qytetar i BE-së - dhe ku mbahet - apo mund të përfshihet: llogari bankare, pasuri të paluajtshme, ar apo argjend, kriptovaluta, art, makina, investime, aksione dhe zotërime të tjera financiare.
Ndërsa zyrat e taksave të shumë kombeve individuale evropiane tashmë kanë akses në disa nga këto të dhëna, realiteti është shumë larg mbikëqyrjes së pastër financiare. Megjithatë, BE-ja synon ta ndryshojë këtë gjë një herë e përgjithmonë.
BE thotë se kjo bazë të dhënash do të përfitojë nga “transparenca financiare” dhe do të përdoret për të luftuar krimin, për të parandaluar pastrimin e parave dhe për të frenuar evazionin fiskal. Më duket se BE-ja ka harruar të kaloj këtej nga Ballkani, ku lavatriçja vazhdon të punojë pa reshtur për të larë paratë e pista të saj. Ose ndoshta po bëjnë një sy qorr duke qënë se Kryeministri Rama ka deklaruar se “vret për miqtë e tij.”
Patjetër që vret, sa kohë i paguhet arma, i jepen do lekë të pista dorazi apo bëjnë sikur fusin në burg hajdutin numbër dy të arit pas mbretit Zog, Ilir Metën. Dhe mos më bëni të përmend për babagjysh Salën, i cili bën po ashtu si BE-ja plakë - si “babi i mirë” që do të na mbrojë nga njerëzit e këqij të kësaj botë.
Me fjalë të tjera, gjithçka bëhet vetëm e vetëm për sigurinë tonë apo jo?
Ose, për ta thjeshtuar akoma më tëpër, gjithçka bëhet për të njëjtat arsye që qeveritë autoritare përdorin gjithmonë për të na bindur, se, ligjet e tyre janë në të mirën tonë. Paçka se, në të vërtetë cenojnë liritë tona personale. Edhe mbreti Zog, për të mirën e përgjithshme po mendonte kur vodhi arin. Ku e mira e përgjithshme ishte e barabartë me të mirën e tij më specifikisht.
Mëgjithatë, arsyeja e vërtetë se pse BE-ja po bën këtë gjë– ashtu si shumica e qeverive në mbarë botën – është sepse po falimenton.
Aktualisht, duke pasur më shumë se 13.1 trilion euro borxh total, Bashkimi Europian është borxhli gati sa 82% të GDP-së së vetë. Në disa shtete është edhe më keq, si në Greqi, Itali, Portugali, Belgjikë, Francë ose Spanjë. Ku raporti i borxhit dhe GDP-së është 100% ose më lart (në rastin e Greqisë 159.8%). Kjo do të thotë se këto vende kanë më shumë borxhe se e gjithë vlera që prodhojnë në një vit.
Ky është një pozicion tepër i pasigurt.
Pra, çfarë ndodh kur BE-së fillon t'i mbarojnë paratë dhe kreditorët e huaj janë më pak të gatshëm të japin kredi për të mbuluar kostot e funksionimit të shteteve të tij?
BE-së do t’i duhet të gjej mënyra të tjera për të shlyer borxhin dhe për të shmangur kolapsin e euros. Dhe mënyra më e lehtë për ta bërë këtë është sekuestrimi i aseteve të qytetarëve.
Ka ndodhur shumë herë më parë, ashtu sikur ndodhi në Shqipëri (me mbretin Zog, apo të tjerë para tij).
Gjatë dy dekadave të fundit, pesë kombe europiane - Polonia, Hungaria, Portugalia, Irlanda dhe Bullgaria - kanë sekuestruar fondet private të pensioneve nga qytetarët e tyre. Në të gjitha rastet, kjo ndodhi për të ndihmuar në pagimin e borxheve të rënda që qeveria kishte grumbulluar.
Miliona europianë të ndershëm e punëtorë u zgjuan një ditë dhe zbuluan se nuk kishin më kontroll mbi fondet e tyre private të pensioneve dhe se një jetë e tërë pune ishte zhytur në makinën burokratike të qeverisë së tyre. Të ndëshkuar nga gabimet që liderët e tyre - analfabetë nga ana financiare - kishin bërë në emër të tyre.
Nëse ata nuk e kanë problem ta bëjnë këtë gjë me pensionistët – ndoshta njerëzit më vulnerabël të shoqërisë – imagjinoni se çfarë do të bënin me gjithë të tjerët nëse borxhi i BE-së vazhdon të rritet.
Një realitet ky që duket më i mundshëm se sa këto premtimet elektorale që po na bën i madhi aktualisht në Shqipëri.
Ka, sigurisht, shqetësime të tjera të mëdha në lidhje me bazën e të dhënave të aseteve të propozuara nga BE.
→ Shqetësimet e privatësisë: Ky nivel i mbikëqyrjes financiare është padyshim një shkelje e privatësisë personale.
→ Rreziqet e sigurisë: Një bazë të dhënash e centralizuar ofron shqetësime serioze për sigurinë kibernetike, të cilat nëse hakërohen, mund të ekspozojnë të dhëna të ndjeshme financiare të miliona njerëzve. (ne e pësuam një herë apo dy nëse nuk gaboj me e-albanian, nuk më bën çudi që kjo të ndodh sërish me paratë tona - Hello firmat piramidale!)
→ Shpërndarja burokratike: A ka nevojë ndonjë qeveri për këtë lloj mbikëqyrjeje të tepruar të çështjeve financiare personale? Nuk mendoj kështu.
→ Kosto për qytetarët: Nëse zbatohet në të gjitha shtetet anëtare të BE-së, kjo do të sillte gjithashtu një kosto prej miliarda euro për qytetarët, si në konfigurimin fillestar ashtu edhe në mirëmbajtjen e vazhdueshme vjetore.
Për më tepër, Europa tani është më afër një lufte të madhe sesa ka qenë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Një luftë që do të kushtonte një shumë të çmendur parash për t'u financuar e mundësisht fituar. Një, që sigurisht do të paguhet pjesërisht duke rrëmbyer pasurinë e njerëzve të saj. Ashtu si mbreti Zog garantoi arratisjen e tij të sigurt me vjedhjen e arit të Shqiptarëve.
Pra, në sytë e BE-së, nuk ka kohë më të mirë për të krijuar një bazë të dhënash që regjistron pasuritë e gjysmë miliardë të qytetarëve të saj apo jo?
Jemi vetëm një krizë, konflikt lufte apo ndryshim i thjeshtë ligji larg nga fakti që qeveria juaj të mund të marrë gjithçka për të cilën keni punuar gjithë jetën. Dhe ashtu si në të shkuarën, në mos me forcë ata do ta marrin me poshtërsi.
Kushtojini vëmendje nëse jeni europian, banor diku tjetër në Perëndim ose në Ballkan, edhe aty politikat nuk shkojnë fortë larg.
Por më e rëndësishmja, merrni masa. Sigurohuni që keni asete të shpërndara në shumë zona në mbarë botën, kështu që ato nuk janë në mëshirën e një organi të vetëm qeveritar.
Sepse mesa duket e vërteta universale qënka kjo: ajo që është e juaja është juaja vetëm nëse qeveria juaj e lejon.
Dhe nëse qeveria juaj është afër falimentimit, sa kohë do t’i duhet që të vij e të trokasë në derë për të marrë atë që teknikisht të përket ty?
Shkruar nga Flogerta Lesi
Themeluese e Juno Moneta
Nëse kjo është hera e parë që lexoni këtë buletin, ju sugjeroj të lexoni dy nga artikujt e mi më të klikuar “Sa duhet te kurseni cdo muaj?” ose “Çfarë është buxheti dhe sa lloje ka?” për të kuptuar pse e nisa këtë buletin.
*Ky buletin shërben për qëllime edukative dhe nuk përbën këshillim financiar profesional. Ju lutemi bëni kërkimet tuaja.