Si t’i mësosh fëmijës tënd një marrëdhënie të shëndetshme me paranë?
...një plan ëndërr në sirtar.
Një nga synimet e mia kryesore për nisjen e këtij buletini ka qënë t’ju ndihmoj apo edukoj në lidhje me kursimet. Përveç shkrimit të historive të ndryshme, kombinuar me ngjarjet e sotme dhe se si ndikojnë ato në ekonomië tonë të përditshme, kam dashur t’ju tregoj se ekzistojnë alternativa kursimi apo edhe investimi.
Pavarësisht se këshillat apo sugjerimet e mia nuk janë ato të një eksperteje ato vijnë me sinqeritet dhe bazuar nga eksperienca ime personale. Jo më larg se dy javë më parë një miku im më shkruajti e më tha: “Problemi yt është se ti je e bindur në diçka që ekziston vetëm nga perspektiva jote.” Mirëpo, unë këtë nuk e konsideroj problem. Pse? Sepse problem do ishte nëse unë do flisja me bindje nga eksperienca e të tjerëve, jo e imja.
Paçka se kjo fjali erdhi pas një diskutimi të gjatë mes nesh, ideja ishte se miku im po fliste nga eksperienca e të tjerëve por jo e vetja, ndërsa unë po bëja të kundertën.
Edhe buletini im, gjithçka e shkruar dhe drejtuar lexuesëve të mi vjen nga eksperienca ime personale. Nuk mund të ndaj me të tjerët atë që nuk e kam kaluar vet, sepse kjo thjesht nuk ka kuptim në këndvështrimin tim.
Nëse flas për strategji kursimi, apo se si të krijosh fonde emergjence, fonde për ditëlindje të fëmijëve tuaj apo edhe fonde pushimesh flas nga bindja personale sepse këto janë strategji që i ndjek vetë. Sikur e kam shpjeguar në buletinët e mëparshëm, mu deshën vite që të më bëhej zakon ideja e kursimit dhe të jem e sinqertë akoma vazhdoj të kem vështirësi.
Madje, kësaj herë, mëqë planet i kam të mëdha, kërkova ndihmën e një profesionisti për të ndërtuar një plan financiar për pesë vitet e ardhshme.
Profesionistët që zgjodha ishin nga Prospera.al, të cilët edhe pse shumicën e shërbimeve që ofronin i kishin këshillim financiar për biznese, lexova në website-in e tyre se ofronin paketa të volitshme edhe për individ. Kështu që, jam ende në bisedime për të parë se ku do shkoj kjo eksperiencë dhe do ishte fantastike t’ju sillja një artikull se ku qëndron ndryshimi midis një këshillimi financiar profesionist nga ai autodidakt sikur i imi.

Sikur e premtova javën e kaluar, këtë radhë kam ardhur me një tjetër metode të thjeshtë që kam muaj që po e mendoj për ta aplikuar tek fëmija im sapo ajo të mbush moshën e duhur. Duke qënë se edukimi financiar nuk mësohet nëpër shkolla, kjo metodë (që e zbulova duke bërë kërkime në lidhje me mënyrat më të thjeshta të mundshme se si t’i mësosh fëmijëve financat,) është diçka që mendoj se me pak personalizim do të jetë gati për time bijë.
Si çdo metodë kursimi apo edukimi financash, është më mirë t’i mësoj vajzës për ekonominë dhe paratë në një ambient të sigurt se sa të përballet me një realitet të vështirë në të ardhmen. Pa e zgjatur më tej, po jua shtjelloj më poshtë.
Si t’i mësosh fëmijës tënd një marëdhënie të shëndetshme me paranë?
Të gjithë prindërit duan që fëmijët e tyre t’i ndihmojnë me ndonjë punë shtëpie. Më kujtohet qartasi se kur ne vajzat u rritëm (vij nga një familje e madhe ku mami e babi kishin gjashtë fëmijë, nga të cilët pesë vajza) mami merrej kryesisht vetëm me pjesën e gatimit sepse punët e shtëpisë dhe jo vetëm, edhe punët në baçe, të mbjellat e të korrurat apo edhe kujdesin e gjedhëve e bënim ne vajzat.
Kuptohet që ne nuk paguheshim pasi nuk e kishim për kulturë. Pavarësisht se t’i sigurosh fëmijëvë të tu rroba, ushqim dhe shkollim duhet të jetë detyrë e çdo prindi, ne ishim mësuar me idenë se me punën tonë justifikonim gjërat bazë të jetesës në famije.
Ashtu si unë jam e bindur që janë rritur pjesa më e madhe e shqiptarëve. Mirëpo, tëk vajza ime do doja ta nisja ndryshe. Pika e parë që do aplikoj është të paguaj time bijë kur ajo të bëj punë shtëpie, ose pazare, urdhëresa apo cfarëdo që do t’i ndërpresë rutinën ditore. Vlera do varet gjithmonë se ku do jemi këtu e tetë vjet me inflacionin, por supozojmë se do ta paguaj 5 qind lek në javë. Shuma mujore do jetë e parabartë me 2 mijë lekë.
Po pastaj?
Këtu vjen pjesa që do t’i mësoj time bije se si ndahen të ardhurat pasi i bën të tuat. Ushqimi, veshmbathjet apo shpenzimet shkollore (në atë moshë do jetë sigurisht në shkollë) do t’ia marr mbrapsht si vlerë mujore të cilat do jenë baraz me 3 qind lekë në muaj. Sigurisht, këtë shumë unë nuk do t’ia marr e t’i përdor vetë, por mendoj t’ia ruaj si kursime.
Pasi ajo të ketë dorëzuar pagesën për qera, ushqime dhe shpenzime të tjera, do e mësoj që t’i heqi nga blloku i saj i menaxhimit të parave.
Meqë shuma e mbetur e saj mujore do jetë 1 mijë e 700 lekë, do t’i shpjegoj se si 10% të asaj shume t’i vendosi anas për të paguar vetem të parën. Me pjesën tjetër do t’i mësoj të krijoj kursime apo fonde të tjera si blerja e një lodre të preferuar, një palë këpucë që i pëlqejn e të tjera si këto.
Kuptohet që qëllimi im nuk është t’ia kufizoj gjërat. Qëllimi im është që t’i mësoj me thjeshtësi për ekonominë, në një ambient të sigurt dhe që funksionon për ne. Kjo mënyrë buxhetimi do t’i mësoj disa gjëra bazë dhe elementare me mënyrën se si përdoret leku. Përveç kësaj, kjo do e ndihmoj të mos shpenzoj në bazë të emocioneve dhe t’i japi vlerë çdo qindarke.
Shpenzimet emocionale për ne të rriturit përfshijnë blerje si këpucë që nuk na duhen, vetëm sepse janë në modë, ose darka çdo fundjavë për t’u ndjerë më mirë edhe kur nuk është e nevojshme. Shpënzimet emocionale për fëmijët mund të përfshijnë blerje ëmbëlsirash apo lodrash me xixa e drita që u tërheqin vëmendjen.
Këto aftësi mendoj se do ta ndihmojnë të ngrejë zakone më të mira në lidhje me kursimet dhe me shpenzimin e parasë në fatura, ushqime, qera, veshmbathje e shumë të tjera.
Si do ta nxisja unë atë për të fituar më tepër?
Këtu, do doja që t’i jepja opsione të ndryshme që ajo të rritet me idenë, se jo vetëm mund të kursesh apo buxhetosh, por edhe të fitosh më tepër nëse bën gjërat e duhura në momentin e duhur.
Do doja shumë që vajza ime kur të rritet të jetë po kaq e etur për dije dhe aftësi sikur unë, dhe mendoj se e vetmja mënyrë që do ta nxisë të jetë e tillë është nëse unë ia ushqej këtë dëshirë.
Do ta nisja me një ushtrim të thjeshtë. Sapo ajo të mësoj lexim dhe shkrim, do t’i them që nëse lexon një faqe të një libri jashtëshkollor cdo ditë do fitoj 1 qind lekë. Nëse lexon vetëm gjysëm faqe 50 lekë, e kështu me radhë. Dihet se të jesh në moshë të vogël e të lexosh një faqe libri në ditë është sfidë e vërtetë.
Mirëpo, nësë arrin ta bëj leximin rregullisht si pjesë të rutinës, në fund të muajit ajo mund të ketë lexuar të paktën një apo dy libra jashtëshkollorë. Flasim këtu për libra fëmijësh që zakonisht nuk janë më tepër se 15 apo 20 faqe. Dhe më e bukura është se do paguhet për t’i lexuar. Unë do ta pyes çdo funditë se çfarë ka kuptuar nga leximi duke më thënë një përmbledhje të shkurtër dhe ajo do marr stimulimin e pagesës.
Dy janë përfitimet në këtë mes.
E para, ajo do filloj të shijoj leximin e librave dhe do t’i shtohet mendimi kritik për të kuptuar tekstet që ka përballë, do shkathtësohet në lexim e cila do t’i shërbej më vonë në jetën e saj.
E dyta, do kuptoj se çdo aftësi që fiton në jetë vlen të paguhet. Nëse shoh që ajo nuk pëlqen të lexoj libra, nuk ka asgjë të keqe për këtë, do përpiqëm që të njëjtin motivim t’ia nxis për diçka tjetër si sporte, vrap, balet, gatim apo cilado qoftë gjëja që do e bëj të ndihet mirë.
Mendoj se të mësosh dikë që herët se mund të paguhet nëse bën atë që dashuron, kjo do ta motivoj të mos bëj kurrë diçka që nuk pëlqen përfshi këtu edhe një punë apo një karierë që nuk lidhet me mirqënien e saj.
Kuptohet, këto janë disa nga idetë e mia hipotetike dhe jam e bindur se kam kohë t’i ndryshoj apo perfeksionojë derisa ime bijë të arrij moshën tetë apo nëntë vjeç. Ndaj, do doja këtë radhë një mendim nga ju.
Nëse keni fëmijë të vegjël si po ua mësoni marrëdhënien me lekun? A keni sugjerime apo ide më të mira se ato të miat? Nëse po, ndjehuni të lirë t’i ndani me mua, fundja ky është komunitet i përbashkët. Nëse nuk po bëni asgjë akoma, a mendoni se këto plane që kam unë do jenë të dobishme apo komplet e kundërta?
Shkruaj nga Flogerta Lesi
Themeluese e Juno Moneta
Mirëpres çdo mendim tuajin dhe e vlerësoj shumë faktin që vazhdoni të lexoni buletinin tim. Nëse kjo është hera e parë që lexoni këtë buletin, ju sugjeroj të lexoni dy nga artikujt e mi më të lexuar “Sa duhet te kurseni cdo muaj?” ose “Çfarë është buxheti dhe sa lloje ka?” për të kuptuar pse e nisa këtë buletin.
*Këtë radhë kam risjell në vëmendje një aplikacion që mund t’ju ndihmoj me pagesa ndërkombëtare. WISE, nuk ka tarifa mirëmbajtjeje dhe është më i përshtatshëm se PayPal (sipas mendimit tim, kuptohet).
* Si dhe, duke qënë se shumë prej jush janë praktikë më tepër në kompjuter, kam krijuar “Buxhet me Llogari Automatike” një tabelë në google spreadsheet. Kushdo prej jush ka akses si viewer dhe mund ta kopjoni tabelën e personalizoni atë sipas dëshirë suaj. Numrat e vendosur në tabelë janë komplet të rastësishëm, sa për t’ju treguar pak se si bëhen llogaritë në spreadsheet. Shpresoj t’ju ndihmoj me ndërtimin e buxhetit tuaj personal.
*Ky buletin shërben për qëllime edukative dhe nuk përbën këshillim financiar profesional. Ju lutemi bëni kërkimet tuaja.